BERZH, miliona euro për turizmin dhe agrobiznesin

BERZH, miliona euro për turizmin dhe agrobiznesin
3 Gazeta T&I Durrës Nr 24

Sipërmarrësit shqiptare kanë një mundësi të re për të siguruar kapital të lirë për biznesin e tyre. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka shpalosur ditët e fundit në Tiranë një angazhim të dukshëm për të mbështetur me kredi sektorët me potencial më të lartë, ku duhet të përqendrohet zhvillimi i ekonomisë, që janë agrobiznesi dhe turizmi. BERZH tërheq vëmendjen që për një stabilitet afatgjatë, rritja të balancohet midis sektorëve dhe likuiditeti të drejtohet në sektorët konkurrues të ekonomisë shqiptare.
Për sa i përket turizmit  banka e njohur europiane gjykon se për Shqipërinë është e rëndësishme që të fokusohet në cilësinë e ofertës së saj dhe të synojë të tërheqë vizitorë apo konsumatorë të mëdhenj, duke lëvruar më shumë nga bukuritë natyrore apo trashëgimitë kulturore të vendit. Përmirësimi i infrastrukturës së transportit publik dhe shërbimeve mjedisore, veçanërisht për mbetjet dhe menaxhimin e ujërave, si dhe parandalimi i ndërtimeve masive dhe pa plan janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e një avantazhi konkurrues të Shqipërisë në një periudhë afatgjatë.
Ekonomia shqiptare ka nevoja thelbësore në ndërtim, veçanërisht në infrastrukturë dhe nuk është çudi ta shohim këtë sektor si një nga faktorët kryesorë të rritjes, aktualisht. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që për një stabilitet afatgjatë të shmangen sërish problemet me NPL-tëm apo kreditë nën standarde.
Që prej fillimit të operacioneve të saj, BERZH ka investuar rreth 1 miliard euro në Shqipëri. Portofoli aktual është prej 422 milionë eurosh, kryesisht në sektorin e energjisë dhe transportit, lidhur me projektet e infrastrukturës. Në vitin 2018, BERZH do të mbyllë një financim prej 500 milionë eurosh për projektin TAP, krahas të paktën 1 miliard euro hua sindikale që do t’u jepen bankave nga BERZH. Po punohet në një projekt të madh për financimin e turizmit – dhe zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri, nëpërmjet së cilës   do të zgjidhen disa nga problemet në zhvillimin e sektorit.
Fokus më të madh do të ketë edhe zhvillimi i sektorit privat, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes investimeve dhe shërbimeve të konsulencës. Ndarja e riskut me bankat tregtare do të jetë një mjet efektiv për të drejtuar investimet e BERZH drejt SME-ve. Edhe zhvillimi i sektorit të energjisë diellore në Shqipëri do të mbështetet një procesi konkurrues tenderimi për centralin e parë fotovoltaik, gjatë 2018-s. Kjo është një nismë shumë e rëndësishme e Bankës dhe e zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare, e cila po e mbështet me fonde të konsiderueshme grantesh. Objektivi është të injektojmë 180 milionë euro financime për një periudhë 3-vjeçare në sektorin e agrobiznesit nga kreditë më të vogla për fermerët tek financimet e mëdha për kompanitë e përpunimit dhe shpërndarjes.
Këtë vit do të ketë rritje të përdorimit të skemës dhe një akses të përmirësuar në financime për agrobizneset shqiptare. Sfida më e madhe në përthithjen e financimeve të lira, është e lidhur me nivelin e lartë të informalitetit në sektor dhe aftësi të kufizuara konkurruese në tregjet e eksportit. Kjo mund të adresohet duke ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në sigurinë ushqimore dhe kontrollin e tyre. Ashtu si në turizëm, agrobiznesi në Shqipëri duhet të fokusohet tek cilësia dhe tek shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve të tij të konsiderueshme natyrore.
Para disa ditësh u firmos me kompaninë Forchner një ofertë që i hap rrugë një investimi të ri të kësaj kompanie, ku do të punësohen rreth 1 mijë punonjës. Ka interes të avancuar nga një kompani gjermano-zviceriane për ndërtimin e një porti jahtesh dhe mjete luksoze lundrimi dhe Lufthansa IT Solution, është këtu për të bërë  potencialisht një partnership për të prodhuar për kërkesën globale në industrinë e software-ve, duke punësuar inxhinierë dhe specialistë të kualifikuar.
Shqipëria ka avantazhe të lidhura me lokacionin gjeografik, daljen në det, pasuritë natyrore, minerare dhe hidrike, popullsinë në moshë të re, koston e ulët akoma të fuqisë punëtore. Ndryshe nga disa vende të rajonit, të cilat nuk e kanë një ligj të veçantë për investimet, siç është Kroacia dhe Maqedonia, Shqipëria ka institucionalizuar dhe një sërë mekanizmash mbrojtës për investitorët.
Kuadri ligjor për shoqëritë tregtare, si rregull, nuk parashikon barierra për themelimin e shoqërive tregtare me kapital 100 % të huaj.
Bashkimi Europian dhe BERZH do të nisin një program investimesh prej 100 milionë eurosh në zonat turistike të Shqipërisë.
“Ne po përgatisim me qeverinë dhe Bashkimin Europian një program inovativ, i cili do të kombinojë paratë e BERZH dhe BE-së. Do të jetë një program i madh, rreth 100 milionë euro, për të ndërtuar rrugët lokale dhe ujësjellësat në zonat turistike. Por, programi parashikon gjithashtu financime edhe për bizneset e vogla të turizmit, si dhe financon mbrojtjen dhe reastaurimin e trashëgimnisë kulturore dhe asaj natyrore”, tha Alain Pilloux, zv.president i BERZH-it.
Programi do të jetë një financim i përzierë, ku gjysma e parave janë kredi të buta për qeverinë, ndërsa gjysma tjetër grante, pra parà falas.
Por nuk mbaron këtu angazhimi i BERZH. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  planifikon të investojë në zhvillimin e aeroportet Tivat dhe Podgoricë të Malit të Zi. Një tjetër projekt që pritet të marrë mbështetje nga ky institucion huadhënës është edhe korridori Adriatiko-Jonian, që do të lidhë Shqipërinë me Kroacinë dhe Malin e Zi.
“Ne do të mbështesim zhvillimin e aeroporteve e Tivat dhe Podgoricë, si dhe, natyrisht, zhvillimi i infrastrukturës rrugore, duke përfshirë ndërtimin e një autostrade në Serbi, si dhe korridori Adriatik-Jon që do të lidhë Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë , “- tha Pilloux në një dalje për median malazeze RTCG.
“Ne do të investojmë në zhvillimin e sektorit lokal të agrobiznesit.” Veçanërisht frutat, perimet, mishi “.

ANEKS. Çfarë është Korridori Blu

Autostrada Adriatiko–Joniane apo Korridori Blu është autostrada e të ardhmes që zgjatet përgjatë gjithë bregut lindor të Adriatikut dhe detit Jon duke u zgjatur deri në pjesën perëndimorë të Gadishullit të Ballkanit. Rruga nis nga Trieste në Itali, kalon përmes Sllovenisë, hyn në Kroaci afër Rijeka dhe del Trebinjë në Bosnjë përpara se të hyjë në Mal të Zi. Gjithsesi ende nuk janë konkluduar projektet finale. Autostrada kalon në Podgoricë dhe më pas në Shkodër në Shqipëri për të vazhduar në Tirane-Durrës-Fier-Gjirokastër duke dalë nga Shqipëria për t’u lidhur me seksionin grek rrugës E55.