Bujqësia Kombëtare

Bujqësia Kombëtare
1 Gazeta T&I Durrës Nr 20

Në numrin e kaluar të kësaj gazete, Prof. Asoc. Enver Isufi  i ka përshkruar zhvillimet e bujqësisë tonë të viteve 1990 – 2010 si kaotike, me ndryshime të shpejta, si një depresion të thellë, por edhe si një fillim të ringritjes së saj. Ndërsa për dekadën e tretë, ai ka mendimin se:
“Pas  viteve 2010 kthesa e bujqësisë filloi të ndihej. Subvencionet në bujqësi joshën fermerin që ai t’i kthehej tokës. Rritja graduale  e prodhimit të vendit stepi importuesit për të sjellë produkte bujqësore  me volume të mëdha, ndryshe nga  fillimet e periudhës tranzicionit. Nga viti në vit, prodhimi vendas po sundonte tregun. Fillimi i rritjes së eksporteve të perimeve, bimëve  mjeksore, erëzave të  guzhinës, vajit të ullirit, krijuan  një situatë  më optimiste  dhe besimi se   edhe bujqësia  jonë mund të jetë konkuruese. Fillimi i eksportit ishte gjithashtu edhe një lehtësim psikologjik për fermerin tonë. Në fakt, Shqipëria me sistemin e bujqësisë kolektive kishte eksportuar kaq shumë perime, ndërsa me fillimet e demokracisë  nisëm të importojmë  nga Maqedonia, Greqia, dhe Italia fruta, perime, rrush, birrë, cigare  e  deri  edhe bar  për bagëtitë. Kjo u përjetua  si shok psikologjik, sepse ne ndienim krenari kur dërgonin jashtë vendit produkte agroushqimore me etiketën “Made in Albania”
Pesë vitet e fundit, në radhë të parë falë përkushtimit të vetë fermerëve, si edhe rritjes  së vëmendjes  së shtetit, mund të themi që bujqësia ka marë një rrugë zhvillimi pa kthim.
Pesha  që zë prodhimi i vendit  në treg është shumë  e madhe, kurse produktet e huaja bujqësore sa vijnë  e paksohen.Nga ana tjetër, hapësira për t’u mbushur  me mallra vendi  si, vaj ulliri, mish dhe nënprodukte të tij, djathëra, salca apo pije si verërat  me cilësi të lartë. është ende e madhe. Kjo hapësirë në treg është edhe një mundësi zhvillimi që duhet të ketë si moto mënjanimin sa më  shumë e mundur e importit të ushqimeve nga jashtë. Shtypi dhe mediat përmendim që Shqipëria ende shpenzon vlera të mëdha monetare për të plotësuar kërkesat në rritje të konsumatorit tonë për produkte bujqësore  dhe blegtorale. Nëse  gjysma  e kësaj shume  do t’i kalonte zhvillimit të bujqësisë vendase, eksporti do rritej  shumë  më tepër.
Çfarë ka filluar të përmirësohet dhe çfarë duhet përmirësuar  ende në secilën hallkë  të zinxhirit të vlerave?  Këtyre pyetjeve zoti Isufi u jep përgjigje me një analizë SWOT të tijën, mbi aspekte të ndryshme që lidhen me zhvillimet e bujqësisë sonë, si buxheti, specialistët, kërkimi shkencor apo edhe agroturizmi, si në vijim:

  1. Buxheti për bujqësinë për vitin 2018
  2. Përgatitja specialistëve  dhe kërkimi shkencor

 

Më tej zoti Isufi na e shkurton tabelën e mësipërme, duke shtuar:
“Dixhitalizimi manaxhimit të bujqësië, përdorimi  i energjive të rinovueshme, studimi i potencialeve  të zhvillimit, plani i nevojave reale për studentë sipas profileve, metodika  mbi moderinizimin e të ushqyerit të tokës, për metodat moderne  në prognozimin e sëmundjeve, futjen në praktikë  të mekanizimit  modern dhe të shumëllojshëm, përshtatur edhe në ekonominë tonë bujqësore, me  fermat  e vogla dhe me terren kodrinor  dhe malor, studime  pë nxitjen e kooperimit në bujqësi, mbi hartat agropedologjike, të cilat sot mungojnë. Analizat egsistuese të tokave nuk janë  më të përdorëshme,  sepse analizat e ngastrave janë bërë  qysh nga  viti 1985.
Bashkëpunimi mes Universitetit dhe niveleve të tjera të kërkimit, me specialistët e organizatave joqeveritare, me specialistët e shërbimit këshillimor nëpër komuna ka  shumë vend, për përmirësimin e lidhjeve mes tyre dhe për një komunikim më aktiv dhe institucional”.

 

 

 

 

3. Niveli i dytë  i shkencës  bujqësore

Ashtu  si vetë Universiteti Bujqësor që mori një goditje fizike dhe morale (kujtojmë vitin 1997 që  gati e çoi në mbyllje), goditje morën edhe  institucionet e nivelit të dytë që quheshin Institute. Bujqësia pati 18 të tilla. Shkatërrimi i tyre u shoqërua me shkatërrimin e vetë bujqësisë. Kujtojmë për analogji Institutet e naftës. Shkatërrimi i këtyre instituteve u pasua nga shkatërrimi i ekonomisë  së naftës  që edhe sot ndodhet  në pikën më të keqe të prodhimit  dhe organizimit. Shkenca është truri i vendit. Po u dëmtua truri ,nuk ka rëndësi  se sa i trashë  është tuli! Në Bujqësi Institutet ranë  nga kategoria, duke u quajtur  QTTB (Qendra të Transferimit  të Teknologjive Bujqësore). Që të transferosh një mall duhet ta prodhosh. Edhe tulla të  transferosh dikush duhet t’i prodhojë ato. U krijua fryma se nuk duhet të përdorim termin shkencë. Por, prodhuesi  i shkencës së aplikuar u mendua të jenë institucionet  e huaja. Parrulla  e kohës sikur ishte “nuk na duhet shkenca, por vetëm aplikimi“. Çdo gjë që kërkon studim është shkencë. Thellësia  e studimit  është çështje tjetër. Kjo thellësi shkallëzohet që nga Universiteti e deri në Njesitë Administrative. Lind një pyetje  e thjeshtë: pse  çdo vend europian i ka këto ishtitucione aplikative?

Çfarë kemi  të njëllojtë me të gjitha vendet në Europë: klimën, tokën,relievin, traditat bujqësore, nivelin e njerëzve, llojet e kultivarëve, biologjinë e sëmundjeve dhe insekteve, etj? Të  gjitha i kemi të ndryshme  që duhen përshtatur me studime. Kjo do ishte sikur t’i montojmë makinës Benz Mercedes pjesët e FIAT  dhe e kundërta,  të dyja janë makina të prodhuara në perëndim. Kjo do të thoshte se Tropoja nuk ka nevojë për studime  për kumbullën tropojane, sepse  këto studime  i ka kryer Saranda!

Ky koncept ishte zgjatim i koncepteve injorante te “shejtan budallait” të viteve 1990 që thonin se  nuk na duhen specialistet, nuk na duhet shkolla, nuk na duhet shkenca, se fermeri në ekonominë  e tregut  është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Ai është  në gjendje t’i bëjë të gjitha. Këto ja siguron liria dhe demokracia që dje  fermeri nuk e kishte  etj, etj. Nuk ka njeri të moshës mbi 40 vjeç që nuk e ka përjetuar këtë çmenduri,  ashtu si nuk ka asnjë student sot që e ka përjetuar këtë situatë. Dhe kjo ka bërë që të humbasë ajo përvojë dhe ajo ndjenjë përgjegjësie që ekszistonte para vitit 1990, kur studentët  studionin  fort  dhe pedagogët përkushtoheshin gjithashtu shumë  fort.

A kanë  pika të forta sot QTTB-te? Kanë, sigurisht që kanë. Kanë  ende specialistë  me përvojë  që kanë kontribuar dhe po kontribojnë  në zhvillimin e shkencës së aplikuar. Pamvarsisht nga pallvarat  se nuk na duhet shkenca, instikti  dhe nevojat  e prodhimit  bënë  që qeveritë  të investojnë  për ato që sot quhen QTTB.U ngritën godina të reja, u ngritën sera për punën shkencore, u rrit rroga  e shkencëtarëve, u shtuan mardhëniet me jashtë. Këto  gjëra  të mira  u bënë pas  vitit 2006. Ndonëse me buxhete të kursyera,  ato  ende funksionojnë sipas  mundësive dhe detyrave që kanë.

Pikat e dobëta. Këto institucione  u mplakën. Mosha mesatare e specialistëve është mbi 50 vjeç. Nuk ka pasur strategji për rinovimin e stafeve. Ndrrimi i emrit i shokoi shkencëtarët  edhe nga ana psikologjike. Më parë  isntitucionet shkencore të huaja  i njihnin me emrin “INSTITUTE”, tani QTTB. Për vite  ato nuk po përshtaten me këto emërtime. Prandaj, do ishte  mirë që ato të rimarin statusin “Institute”, pra  të prodhojne shkencë të aplikuar  dhe jo thjesht të transferojnë. Bimët  dhe kafshët nuk janë  si makinat  dhe celularët  që mund të ecin dhe funksionojnë  kudo në glob. Bimët dhe kafshët janë organizma të gjalla biologjike  që nuk përshtaten njëlloj në çdo cep të globit, kontinentit, vendit  e deri tek rajonet.

Vëmendja  e shtetit ka qenë  dhe vazhdon të jetë  e ulët për institucionet  e nivelit  të dytë.Ministra  dhe Kryeministra  kurrë nuk janë ulur shtruar  t’i dëgjojnë  shkencëtarët  se me se meren, çfarë produktesh  shkencore të dobishme prodhojnë, si po zbatohen në praktikë studimet e sukseshëshme  dhe me ndikim të  shpejtë  në prodhim, sa fonde  kanë për kërkim dhe zhvillim në nivel ferme, të njohin nga afër  perspektivën, nevojën për shkencëtarë të rinj, etj. Deri  më sot ende nuk është e qartë se  si do të organizohen institucionet  shkencore  të nivelit  të dytë. (niveli parë  është Universiteti)

Agroturizmi

Pikat  e forta. Këto vite agroturizmi po kristalizohet  si një veprimatari e veçantë brenda veprimtarive bujqësore. Në  shumë fshatra  të vendit sot ka restorante  cilësore që konsumojnë ushqimet  e zonave, kemi shumë e më shumë ferma që shtojnë prodhimin më synimin për ta shitur në restorantet e zonës, kemi shumë e më shumë familje fermere që po rikonceptojnë  banesat  dhe mjedisin e fermës në atë formë  që ato të jenë të vizitueshme  nga turistë vendas dhe të huaj. Po ndihet se agroturizmi është një konsumator i produkteve  të fermës dhe që agroturizmi e sjell klientin tek ferma dhe jo fermeri shkon pas klientit. Pozitiv është fakti që me ndarjen teritoriale  është më lehtë  të evidentohen potencialet agroturistike të çdo zone. Inisiativa  e modernizimit  të 100 fshatrave  dhe shtimi tek to i aksesoreve  të qytetërimit, do t’i japi një shtysë  të re agroturizmit në zonat fshatare. Shtimi  i turizmit  në përgjithësi  në Shqipëri, që  në fakt  është pranë  një “bumi  numerik” , jep mundësi që një pjesë  e këtyre turistëve të përhapën në zonat rurale  e deri në malësi e alpe.

Pikat  e dobëta. Ka mangësi  në studimet për potencialin turistik për çdo bashki dhe qark, rajon. Evidentohen objektet turistike  si ato kulturore, institucionet fetare, pikat ekologjike, pemët historike,  objektet historike , objektet arkeologjike, objekte  e vjetra  si mullinj bloje, mullinj vaji, enë mbajtëse  të vajit të ullirit dhe verës, objekte  për transportin dhe punimet  si plugje, permenda, qerre, puse, ura,  veglat  e punëve bujqësore  të vjetra, trashigimia  etnografike e zonave rurale, etj. Nuk mundet që investimet të bëhen në mënyrë spontane, me opinione personale, me biseda nëpër zyra. Duhet shkelur terreni  pa të bëhet përzgjedhja e familjeve fermere me potencial turistik. Vlerat  e  evidentuara  mund të klasifikohen  sipas  një metodike  me pikëzim. Të paktën në ato raste  që shteti do t’i ndihmojë këto ferma agroturistike duhet të ketë me domosdo studime  me elementët  e mësipërm  që ende  na mungojnë. Edukacioni i fermerëve mbi konceptet e agroturizmi është ende i pakët. Kultura e pritjes së   turisteve të huaj kërkon disa njohuri shtesë rreth kërkesave që kanë  ata ndaj të zotit të shtëpisë. Duhen kurse edhe për përgatitjen e të rinjve  si guxhinierë, rregullues të teritorit, për mirëmenaxhimin e shtëpive të pritjeve, hoteleve, kampingjeve ,  si dhe përkthyes për të shoqëruar turistët,  etj. Por,  fakti që agroturizmi po bëhet temë e ditës, fakti që janë shtuar vizitorët në zonat rurale, na bind se përspektiva e një agroturizmi të zhvilluar është  gjithnjë e më  afër.

(vijon në numrin e ardhëshëm)