Dhoma e Tregtisë dhe Industrise Durrës marrëveshje me UAMD

Dhoma e Tregtisë dhe Industrise  Durrës marrëveshje me UAMD
Njoftime

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës nënshkruan një Marrëveshje bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe promovimin e mirëkuptimit mes dy Institucioneve.

Marrëveshja e nënshkruar nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Z. Alban Isteri dhe Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ranë dakord që të dy intitucionet të ideojnë dhe realizojnë aktivitete dhe projekte me interes zhvillimin e përbashkët dhe të mirën e komunitetit të Durrësit.

Marrëveshja përfshin ndër të tjera edhe bashkëpunime për projekte të ndryshme, kryerjen e praktikave për studentët e Universitetit, shkëmbime të përvojave të menaxhimit institucional, si dhe pjesëmarrje e kontribut në konferenca dhe aktivitete të tjera akademike.

Për Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Isteri, nëshkrimi i kësaj marrëveshje është dëshmi e interesit të ndërsjellë të të dy palëve. “Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor, të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta me qellim rritjen e promovimin e bizneseve”, theksoi ndër të tjera ai.

Në fjalën e saj Rektorja Sotirofski vlerësoi bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës. “Universiteti është pjesë e qytetit dhe dëshiron të kontribuojë më shumë për komunitetin vendor. Ky është synim i përbashkët i yni. Ne kemi projektuar ngritjen e një Bordi Strategjik të Universitetit, pjesë e të cilit do të jenë biznesmenë të rëndësishëm. Së bashku me botën e biznesit, jo vetëm që do të lidhim më mirë Universitetin me tregun e punës, por edhe do të njohim trendet dhe nevojat specifike që ka biznesi në mënyrë që të përmirësojmë kurrikulat”, u shpreh ajo.