Dialog shqiptarçe për riciklimin

Dialog shqiptarçe për riciklimin
1 Gazeta T&I Durrës Nr 21
  • Shoqata e prodhuesve: Mbyllja e 100 pikave të grumbullimit të skrapit, e paligjshme
  • Ministri Klosi: Aksioni s’do ndalet

Një situatë tepër e nderë është krijuar gjatë javës së parë të këtij marsi ndërmjet ricikluesve të mbetjeve dhe organizmave shtetërore.  Shkak është bërë pezullimi, nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, i lejeve mjedisore për rreth 100 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të riciklueshme në kryeqytet. Ky veprim ka detyruar organizatat, “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” dhe “Shoqata e Ricikluesve”, të dalin në një konferencë shtypi me një deklaratë të përbashkët të ashpër, si:

“Denoncojnë veprimet ekstraligjore të ushtruara nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, ndaj një numri të konsiderueshëm subjektesh aktivë në fushën e grumbullimit, përpunimit të mbetjeve të riciklueshme, në bashkinë e Tiranës. Subjekte private prej muajsh vazhdojnë të jenë prè e një seri masash administrative arbitrare dhe të jashtligjshme, që kanë kulmuar me revokimin dhe pezullimin e lejeve mjedisore dhe për rrjedhojë ndërprerjen e aktivitetit të 100 (njëqind) subjekteve, duke nëpërkëmbur të drejtat kushtetuese për të ushtruar aktivitetin dhe atë të pronësisë private, duke dëmtuar rëndë financiarisht këto sipërmarrje, mbi të gjitha duke cënuar rëndë interesin publik si rrjedhoje e mbylljes masive të vëndeve të punës, deligjitimimit të aksionit të shtetit dhe kompromentimit pa kthim të procesit të riciklimit në vend, si dhe po sjell përkeqësimin e shumë indikatorëve të performancës së sipërmarrjes të këtij sektori në vendin tonë”. Më tej, këto dy shoqata, shprehin kërkesat e tyre, si vijon:

“Kërkojmë me këmbëngulje që, në respekt të ligjit:

  1. Të ndalet ky aksion represiv dhe diskriminues ndaj subjekteve private.
  2. Të rikthehet ligjshmëria, duke anulluar vendimin për heqjen dhe pezullimin e lejeve mjedisore dhe liçencave.
  3. Të hapet rruga e dialogut institucional me organizmat përfaqësues të sipërmarrjes dhe me shoqatat e sektorit, duke i mbyllur kështu rrugën fushatave apo zgjidhjeve diletanteske në ekonomi”.

Por, pavarësisht se Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Ricikluesve kanë kërkuar ndaljen e aksionit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi për mediat se do evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara.

Deklarata e Klosit, u bë gjatë inspektimit të një pike grumbullimi që funksiononte në një nga zonat më të populluara të Tiranës, duke shtuar se ky aksion vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.

“Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja. Jemi këtu për çdo shqetësim të qytetarëve, për të mbështetur organet ligjzbatuese, për të mbështetur biznesin e ndershëm, i cili mund t’i zhvillojë bizneset me kriteret e lejeve mjedisore në përputhje me kushtet me të cilat ndërtohen këto biznese në gjithë vendet normale europiane dhe padyshim zhvillimin e këtyre bizneseve larg zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me plehrat”.

Në thelb, ajo që ka ndodhur është që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ka ndërmarrë masa administrative drastike, siç janë revokimi i lejeve mjedisore të tipit “C” dhe “B”, gjoba në vlerë të konsiderueshme, duke kulmuar në pezullimin e aktivitetit, për rreth 100 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të riciklueshme në kryeqytet. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Ricikluesve kërkojnë ndaljen e këtij aksioni, të cilin e konsiderojnë represiv dhe në kundërshtim të plotë me ligjin, sepse në këtë aksion ka një sërë shkeljesh të ligjit dhe anomalish proceduriale, të cilat sipas tyre janë:

  • duke iu referuar fjalëve të ministrit Klosi, është evidente që më parë është aktivizuar fushata dhe më pas do bëhen ndryshimet në ligj…;
  • Lejet mjedisore të tipit “C” (ato me impakt të reduktuar në mjedis) nuk mund të jenë target i kontrollit të ISHM, por të ARM-së, siç e parashikon ligji;
  • Masat administrative duhet të jenë të paraprira nga ato këshillimore;
  • Masat administrative janë firmosur nga z. P. Ndreca, i cili asokohe ishte Kryeinspektor “ad interim” (pra me emërim të përkohshëm) dhe më pas menjëherë i dorëhequr;
  • Inspektimet duhet të jenë të njoftuara paraprakisht;
  • Akt-Konstatimet nuk ka si të jenë “copy-paste” e njëra-tjetrës, por duhet të përshkruajnë në detaj llojin eventual të shkeljes;

Ata shtojnë:

  • që disponojnë urdhëresa nga ana e Inspektoratit Qëndror Shtetëror, të cilat në thelb sanksionojnë:
  • ndaljen e inspektimeve të jashtëligjshme, nëse të paregjistruara on-line;
  • ndaljen e inspektimeve të jashtëligjshme, nëse të pa paralajmëruara prej të paktën 3(tre) ditesh
  • Që subjektet private nuk mund të paguajnë as financiarisht dhe as moralisht koston e politikave të gabuara të urbanizimit ndër vite ndërkohë që, për veçoritë specifike dhe funksionin tejet pozitiv që aktiviteti i këtyre subjekteve ka në reduktimin e impaktit në mjedis të mbetjeve urbane nëpërmjet ripërdorimit dhe riciklimit, këto subjekte duhen konsideruar si aset kombëtar dhe duhen incentivuar ekonomikisht.
  • Që shteti, me aksione të tilla të pathelluara, dëshmon se behët palë me ato grupe interesi që përfaqësojnë interes nga pikëpamja elektorale, në dëm të iniciativës private, ndërkohë që duhet të qëndrojë mbi palët.
  • Që për arsyet e mësipërme, të cilat në substancë cënojnë konceptin juridik të pronës private, që qëndron në themel të Kushtetutës, klima ndaj sipërmarrjes kompromentohet kështu në mënyrë të pariparueshme.
  • Që dëmi ekonomik i shkaktuar bizneseve dhe qindra mijëra punonjësve, është pariparueshëm, ndërsa theksojnë se do ta ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore.

Kush ka të drejtë, qeveria që kërkon që “qytetarët të mos bashkëjetojnë më me plehrat”, apo ricikluesit që e konsiderojnë “të cënuar të drejtën e pronës dhe aktivitetit privat të tyre” nga mbyllja e gati 100 subjekteve te sektorit? Duket qartë se konflikti ka si shkak të parë veprimin me një “aksion” të befasishëm të organeve të shtetit. Në fakt, bizneset ricikluese kanë kërkuar dialog institucional. Një dialog i tillë duhet të jetë i thellë. Ai duhet të shkojë deri në Kuvend, i cili “i zënë” me çështje më të rëndësishme, deri tani ka heshtur për këte përplasje biznes – shtet.  Zgjidhja do të vinte vetëm atëhere kur të kishim formuluar një strategji kombëtare për trajtimin e mbetjeve, kur ato të konsiderohen ligjërisht si “nënprodukte”, pra si pasuri kombëtare dhe jo si plehra, kur t’i kemi gjetur vendin mbledhjes së diferencuar të mbetjeve urbane, apo dhe ndonjë inçeneritori.

Dhoma gjykon se këto janë çështje tepër të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë. Dhe ato nuk mund të zgjidhen as me deklarata dhe as me dialog “fasadë” dhe aq më pak me dialog “shqiptarçe”, ku ai që ka pushtetin e përdor ligjin si kopaçe.