Energjia, sfidat e komercializimit

Energjia, sfidat e komercializimit
1 Gazeta T&I Durrës Nr 24

Dhoma ka qenë shumë aktive në diskutimet me ERE për vendosjen e tarifave dhe çmimeve të energjisë elektrike sipas kostove reale te operatorëve të mëdhenj. Në thelb, Dhoma ka argumentuar që çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri vetëm mund të ulet, sepse shumica e saj prodhohet nga uji. Në ditët e sotme po flitet shumë për liberalizimin e tregut të energjisë, për ndarjen në pjesë të OSHEE, etj. Në kërkim të një gjykimi të pavarur dhe profesionist, po paraqesim në vijimnjë parashtrim të idesë së Dr. Lorenc Gordani mbi këto çështje:
Përpara nisjes se proceseve te ristrukturimit dhe liberalizimit të industrisë së energjisë elektrike, aktivitetet qe aktualisht po cilësohen si “tregu me pakicë” apo “furnizimi” dhe nganjëherë “komercializimi” e “derregullim i shitjes”, ishin pjesë e zinxhirit të aktiviteteve të kryera si shërbime te integruara vertikalisht nga KESH-i, njëherësh shërbim publik dhe monopol i rregulluar natyror dhe ligjor.
Tregtimi me pakicë i energjisë elektrike është një aktivitet konkurrues vetëm në vendet ku tregu i energjisë është ristrukturuar. Megjithatë ristrukturimi nuk sjell domosdoshmërisht liberalizimin edhe te shitjes me pakicë. Kështu, strategjia e re e sektorit te energjisë, prezantuar ne publik me 26 mars 2018, edhe se akoma për t’u aprovuar, parashikon liberalizimin e plotë brenda vitit 2025.
Pra, një vendim që duket i largët për t’u vënë në praktikë, dhe pyetja lind a duhet bërë liberalizimi apo jo? Siç dihet, ai është tashmë në proces në nivele të ndryshme në mbarë botën, dhe plotësimi i tij për vendin tonë është një detyrim ne kuadër të integrimit europian. Duke qenë kështu, sa me sipër nuk është një opsion pavarësisht sfidave të ndryshme qe paraqet. Natyrisht këtu nuk do të merremi me të gjitha, por do të përqendrohemi duke ilustruar vetëm disa prej tyre, të konsideruar me të rëndësishme.
E para ka të bëjë me ndërhyrjen në tarifat e rregulluara. Siç dihet, liberalizimi i shitjes me pakicë mund të zbatohet në dy mënyra: kualifikimi i konsumatorëve (eligibility), që në thelb do të thotë se konsumatorët janë të lirë të zgjedhin një furnizues alternativ, por ato gjithashtu mund të mbeten nën mbrojtjen e tarifave të rregulluara; ose liberalizimi i plotë, ku tarifat eliminohen plotësisht.
Në rastin e parë, çështja që duhet të trajtohet me kujdes është qe tarifat e rregulluara (default) të mos përbejnë konkurrencë të pandershme kundrejt furnizuesve alternative. Kjo do të thotë që konsumatorët të paguajnë kostot reale. Edhe pse kjo është e qartë në parim, një vështrim i shpejtë në përvojat praktike pasqyron se realiteti nuk është kështu te paktën në vendet e rajonit. Në shumë raste, rregullatorët apo dhe autoritet publike hezitojnë të mbështesin çmimet në treg. Në një rast të tillë, derregullimi i shitjes me pakicë ka gjasa të dështojë.
Nga ana tjetër, ka çështje strukturore dhe shumë debate rreth nevojës për ndarje apo shthurje (unbundling) të kompanive publike. Ndarje, që në thelb nënkupton se duhet të ekzistojë një nivel minimal i ndarjes midis aktiviteteve, veçanërisht ndërmjet atyre të rregulluara (transmetimit dhe shpërndarjes) dhe atyre konkurruese.
Çështja më e diskutueshme e ndarjes ka të bëjë me nivelin e ndarjes midis shpërndarjes dhe shitjes me pakicë. Në këtë rast, frika është se kompanitë e shpërndarjes mund të vendosin shumë pengesa që në thelb synojnë mbajtjen e klientëve ekzistues, për shembull duke ndikuar në cilësinë e shërbimit që furnizuesit alternativë afrojnë për klientët që preferojnë të fitojnë nga shërbimet konkurrente.
Natyrisht, kjo është një çështje jo e qartë dhe jo e lehtë për të faktuar. Ka nga ata që argumentojnë se nuk është e nevojshme dhe është shumë e paefektshme dhe se këto raste janë të izoluara dhe mund të monitorohen lehtësisht nga enti rregullatorë. Për këtë shpesh e rekomanduar është një ndarje e rëndësishme apo e plotë e pronësisë, ose vendosja e barrierave të qarta midis dy veprimtarive të kompanisë publike.
Një çështje tjetër që është duke fituar rëndësi në kontekstin e sistemeve të energjisë elektrike është ndarja midis gjenerimit dhe shitjes me pakicë. Në këtë rast, edhe se po flasim për dy aktivitete konkurruese të cilat nuk janë aq kritike, ka zëra që po fillojnë të argumentojnë (për shembull, rregullatori Ofgem në UK) se diçka e tillë nevojitet për të garantuar hyrjen e lirë të furnizuesve të rinj në sistem. Siç ka shume çështjet rreth ndarjes, të verifikuar së fundmi lidhur edhe me balancimin e energjisë për OST-në, të cilat me sa duket do kërkojnë trajtim të mëtejshëm në vijim.
Së fundi ka shumë çështje të tjera, më operative, ku nevojiten garanci për të siguruar që procedurat të kryhen në mënyrën e duhur. Njëra prej tyre është sëitching, e cila nuk është diçka e veçantë për biznesin e energjisë elektrike, por gjithashtu ekziston edhe në biznese të tjera si telefonia, interneti, etj. Kjo garanton që procesi i ndryshimit nga një furnizues në tjetrin të jetë efikas, i shpejtë dhe jo shumë i kushtueshëm, sepse në të kundërt konsumatorët nuk do të lëvizin dhe tregu nuk do të arrije kurrë të funksionojë.
Çështje të tjera kanë të bëjnë me matjen, ku natyrshëm pikëpyetje ngrihen në lidhje me kush duhet të ketë përgjegjësinë për to, kush duhet ta zotërojë njehsorin e energjisë, a duhet të jetë shitës me pakicë apo duhet të jetë distributori, e cili lloj matësish duhet të vendoset dhe a duhet të jenë të njëjtë për të gjithë konsumatorët? Pra këto dhe të tjera janë shumë çështje të hapura dhe shumë të rëndësishme nëse duam të vëmë në praktikë procesin e liberalizimit dhe të bëjmë që efektet e tij të ndihen edhe tek konsumatori final.