Forumi “Sfidat dhe mundësitë”, Shqipëri -Mali i Zi

Forumi “Sfidat dhe mundësitë”, Shqipëri -Mali i Zi
2 Gazeta T&I Durrës Nr 25

Provomovimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, nismat pozitive dypalëshe për nxitjen e bashkëpunimit afatgjatë në fushën e tregtisë dhe rritjes së investimeve. Ky ishte, sipas Znj. Ines Muçostepa, lajtmotivi i forumit biznesor Shqipëri – Mali i Zi me temë “Sfidat dhe Mundësitë”, i cili i zhvilloi punimet këtë fillim korriku në qytetin e Shkodrës. Aktiviteti u organizua nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në kontekstin e sesionit të parë të mbledhjes së qeverive të vendeve, Shqipëri dhe Mali i Zi.  Rëndësia e madhe e nxitjes së iniciativave bashkëpunuese të sipërmarrësve të dy vendeve u nderua  në këtë forum biznesi  nga pjesmarrja e kryeministrave respektivë,  Zoti Edi Rama  dhe  Zoti Duško Marković, së bashku me kabinetet e tyre.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj. Muçostepa, citoi në nisje të këtij forumi se “takimi i këtij lloji mes sipërmarrësve të dy vendeve është mekanizmi i duhur për të nxitur bashkëpunimin ekonomik me interes reciprok mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”  Sipas saj, të flasësh për bashkëpunim ekononik,  nuk mjafton vetëm shkëmbimi tregtar i produkteve, por është shumë i rëndësishëm bashkimi i sipërmarrjeve të dy vendeve, i cili më pas do t’i bënte ato të krahasueshme edhe konkurruese me sipërmarrjet europiane . “Sfidat tona me Dhomën Ekonomike të Malit të Zi nuk mbarojnë këtu . Integrimi europian fillon nga integrimi rajonal  dhe biznesi është lokomotiva e tij” u shpreh Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë . Sipas saj, ky ishte edhe motivi i krijimit të Forumit të Investimeve të Dhomave Ballkanike Perëndimore nga të gjitha dhomat e tregtisë së Rajonit, në Samitin e Vjenës, në gusht 2015. “Midis dy vendeve tona ka hapësira dhe potenciale reale ekonomike si në infrastrukturën rrugore, në transportin hekurudhor, në fushën e turizmit dhe bujqësisë. Prandaj, edhe sot në këtë forum rikonfirmohet dëshira e madhe e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me praninë e lartë të biznesmenëve nga Mali i Zi dhe Shqipëria”,  tha ajo.

Në emër të Dhomës Ekonomisë së Malit të Zi foli Presidenti i saj, Zoti Vlastimir Gulobović, i cili pasi nënvizoi rëndësinë e madhe të këtij forumi biznesi ndërmjet dy vendeve, shtoi: “Kemi vënë theksin në rritjen e kapaciteteve për shfrytëzimin e potencialeve të përbashkëta mes dy vendeve në krijimin e  parakteve, për të shtuar bashkëpunimin në krijimin e lehtësirave që nxisin shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë e Malit të Zi”. Ai tha se, shumë sektorë parashtrojnë nevojën e bashkëpunimit mes bizneseve duke u ndalur tek potencialet dhe resurset turistike që ofron Mali i Zi, duke premtuar për vijimin e bashkëpunimit dypalësh dhe marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Dhomave të Tregtisë së dy vendeve.

Niveli i forumit u ngrit më tepër me ndërhyrjet e dy kryeministrave. Sipas kryeministrit Rama, “shumëçka duhej thënë nga ana jonë, e tha më së miri miku im i dashur, Duško, me të cilin sot kemi diskutuar ndër të tjera, edhe për domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke u fokusuar tek reduktimi maksimal i barrierave jo tarifore. E vërteta është që, nëse do të vëmë në një peshore, nga njëra anë nivelin e marrëdhënieve njerëzore dhe politike mes dy vendeve dhe nga ana tjetër, nivelin e marrëdhënieve tregtare, jemi shumë të mirë për dashuri, por jemi shumë dobët me tregtinë. Kthimi i dashurisë në tregti është një proces jo i lehtë, por besoj që dashuria është një bazë shumë e mirë për të zhvilluar edhe tregtinë, në kushte besimi të madh reciprok. Besoj që hapi i hedhur nga të dy drejtuesit e Dhomave të Tregtisë dhe ardhja këtu e të dy grupeve të biznesit janë një moment i rëndësishëm dhe ajo që unë do propozoja është që Vlasimiri dhe Inesi, së bashku me të gjithë ata ndër ju që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë proces, të na propozojnë një raport rekomandimesh konkrete se çfarë duhet bërë, sipas jush, nga ana jonë si dy qeveri, për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe çfarë prisni ju nga secila prej qeverive, për të qenë më aktivë dhe për të investuar më shumë në këtë marrëdhënie ekonomike. Për fat të mirë, marrëdhënia politike mes të dy vendeve, mes dy qeverive është e shkëlqyer dhe është një bazë absolutisht e favorshme për të zhvilluar më tutje bashkëpunimin ekonomik dhe në fund të fundit, për të çuar përpara një traditë që ka qenë e pranishme mes komuniteteve në të dy anët e kufirit, përpara sesa të na ndante për së gjalli periudha pas Luftës së Dytë Botërore që për një kohë shumë të gjatë e ndërpreu këtë marrëdhënie e pastaj me të gjitha problematikat dhe hallet që ka pasur secili nga vendet në tranzicionin e vështirë demokratik, ka vonuar shumë ripërtëritjen dhe ringjalljen e plotë të një historie që ka qenë një histori komplet e natyrshme mes dy kombeve tona dhe të dy komuniteteve në të dy anët e kufirit”.

Kryeministri malazez u shpreh se,  i ka kërkuar kryeministrit Rama, në kontekstin e anëtarësimit në marrëveshjen CEFTA dhe të OBT, që të zgjidhin çështjen e barrierave jodoganore, këtu është fjala edhe për eksportin e birrës dhe verërave shqiptare.

Gjashtë marrëveshje janë nënshkruar pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Marrëveshjet dypalëshe përfshijnë bashkëpunimin në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare, operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror si dhe hapjen e pikave të reja doganore. Më konkretisht, palët nënshkruan:

  • Deklaratë e përbashkët ndërmjet Kryeministrave, Edi Rama dhe Duško Marković, në kuadër të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri – Mali i Zi.
  • Marrëveshje kuadër ndërmjet dy qeverive mbi marrëdhëniet e ndërsjella në fushën e menaxhimit të burimeve ujore ndërkufitare.
  • Marrëveshje mbi bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjelltë në emergjenca nëpërmjet dy qeverive
  • Marrëveshje ndërmjet dy qeverive në lidhje me operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror
  • Marrëveshje ndërmjet dy qeverive për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Zogaj-Skje, për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës
  • Programi i bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet Ministrive përkatëse të dy vendeve, për periudhën 2018-2020

Synimi për një bashkëpunim afatgjatë disavjecar ndërmjet Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe Malit të Zi është konkretizuar më një marrëveshje për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, si në vijim:

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit të Dhomave rë Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Dhomës Ekonomike të Malit të Zi

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë dhe Dhoma Ekonomike e Malit të Zi, refreuar më poshtë si Palët,

Të udhëhequra nga interesat e antarëve të tyre, kompani, firma,  organizata dhe sipërmarrës , në Shqipëri dhe Malin e Zi për rritjen me përfitime reciproke të marëdhënieve ekonomike, tregtare, shkencore dhe teknike me njëri tjetrin, bien dakord për sa vijon:

Neni 1

Palët, brënda juridiksionit të tyre do të promovojnë fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marëdhënieve tregtare, ekonomike, shkencore dhe teknike ndërmjet ndërmarrjeve, kompanive, organizatave dhe individëve sipërmarrës, përfshirë forma efektive të reja të bashkëpunimit ekonomik.

Neni 2

Palët do të ndihmojne ndërmarrjet, organizatat, kompanitë dhe individët sipërmarrës në:

– Kërkim vendosje të kontakteve direkte midis bizneseve partnere

– Organizimin e misioneve tregtare të përfaqësuesve të qaerqeve biznesore, të cilët ndjekin aktivitetet në dy vendet

 – Përgatitjen takimeve biznesore dhe negociatat që synojnë të vendosin kontakte përfitimi reciprok

– Përgatitjen për në panaire, ekspozita, sympoziume, seminare apo aktivitete të tjera që do të zhvillohen në dy vendet.

Neni 3

Palët do të shkëmbejnë oferta trgtare dhe investimesh ndërmjet kompanive, firmave, organizatave she sipërmarrësve, sikundër informacion referues.

Neni 4

Dy palët, me anë marrëveshjesh, do bëjnë konsultime për rishikimin e çështjeve aktuale apo të ardhëshme të bashkëpunimit, me qëllim rritjen e efektivitetit të tij sipas kësaj Marrëveshje. Data dhe vendi i konsultimeve të mësipërme do të dakordësohen në një radhë pune.

Neni 5

Kjo marrëveshje nuk imponon detyrime financiare për Palët nënshkruese të saj.

Neni 6

Mënyrat e zbatimit të veprimeve të përbashkëta sipas kësaj Marrëveshje do të regullohen sipas traktatesh apo marrëveshjesh të Palëve.

Neni 7

Kjo marrëveshje mund të amendohet. Amendimet dhe anekset regjistrohen si protokolle të veçanta, të cilat të nënshkruara nga Palët, bëhen pjesë integrale e kësaj Marrëveshje.

Neni 8

Kjo marrëveshje përmbyllet për një afat kohe të pacaktuar dhe hyn në fuqi një ditë pas nënshkrimit të saj. Secila palë mund të heqë dorë nga kjo Marrëveshje, me njoftimin me shkrim të Palës tjetër. Në këtë rast, Marrëveshja pushon së qëni e vlefshme 30 ditë pas dërgimit të njoftimit me shkrim.

 

Marrëveshja u nënshkrua në Shkodër, datë 03 Korrik 2018, në anglisht, në 2 kopje,secila me të njëjtën vlefshmëri.

                

 

Për                                                                                                  Për

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë      Dhoma Ekonomike e Malit të Zi

Kryetari                                                                                           Presidenti

Ines Muçostepa                                                                               Vlastimir Golubović       

 

Ndërkaq, si një feedback i Forumit, një paketë sugjerimesh për të dy qeveritë po përgatitet nga specialistët e Dhomave e dy vendeve.