Inçenerimi pa diferencim, një vetëvrasje ekonomike dhe fizike (1)

Inçenerimi pa diferencim, një vetëvrasje ekonomike dhe fizike (1)
1 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Ngritja e tre inçeneritorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë ka qenë kohët e fundit tema kryesore e diskutimit nga politika, media dhe sipërmarrja ricikluese. Meqë këto investime do të ishin me pasoja shumë të rënda për industrinë ricikluese, po parashtrojmë në vijim gjykimet mbi këtë situatë të zotit Iljaz Mehmeti, njëri nga përfaqësuesit më aktivë të Shoqatës Shqiptare të Riciklimit:
“Përballë një dështimi total të të gjitha politikave dhe afateve të deritanishme në manaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel qendror dhe lokal, duket qartë se ndërtimi i inçeneritorëve shihet nga të gjitha nivelet e administrates publike si zgjidhja e problemit! Ndërkohë që ne, si sipërmarrës të sektorit të riciklimit apo edhe si qytetarë, nuk dimë çfarë përgjigjesh do t’u jepen problematikave të mëdha që ka sjellë ndërtimi i inceneritorëve edhe në vendet e BE, ku ose nuk kanë marrë akoma zgjidhje, ose zgjidhjet kanë rezultuar me kosto shumë të larta për publikun. Ndryshe, nuk dimë çfare kostosh ka kjo “ngutje” me inçeneritorët per buxhetin e shtetit sot dhe çfarë barre financiare u lenë ato mbi supe brezave që do vijnë. Siç nuk dimë çfarë do ndodhë me proçesin e manaxhimit të mbetjeve, pas një deformimi që në lindje a pa lindur mirë të këtij procesi, i cili në vendet e BE është tashmë një realitet funksional dhe efiçent, por që për “specifikat e vendit”, rezulton i papërshtatshëm për Shqipërinë!
Nga ana tjetër, fakti qe ne ricikluesit, si kategori ekonomike, nuk kemi qenë pjesë e asnjë proçesi të konsultimit publik, që ka çuar në marrjen e vendimeve për ndërtimin e inceneritoreve në vend, na jep neve të drejtën legjitime të ngrejmë një serë pyetjesh me shumë rëndësi për interesin publik, nga pikëpamja ekonomike, ambientale, sociale, etj.
Sigurisht, nuk do donim aspak të viheshim në pozicionin e hetuesit. Përkundrazi, do kishim preferuar atë të bashkautorëve të inisiativave kaq të rëndësishme për ne dhe brezat qe do vijnë. Por, kjo e drejtë legjitime na u mohua!
Pyetjeve të shtruara më lart, u përpoqa t’u jepnim vetë më parë një përgjigje bazuar në analizën e studimit të fizibilietit, i cili qendron në themel të projektit të instalimit të inçeneritorit të Elbasanit dhe të aprovimit të tij nga qeveria, në kuadrin e partneritetit publiko-privat. Duke qenë se përgjigjet që morëm janë, siç do shihni, absurde, na lind detyrimi që ato t’i bëjmë publike”.
Më tej, zoti Mehmeti i bën një analizë studimit të fizibilitetit për inçeneritorin e Elbasanit, si më poshtë:
“Sipas Eurostat, në raportin e azhornuar në tetor 2017, totali i sasisë së mbetjeve urbane, të prodhuara për frymë në Republikën Ceke per vitin 2015, ka qenë 316 kg/frymë në vit, ose 0.86 kg/frymë në ditë.
Sipas studimit të fizibilitetit për inçeneritorin e Elbasanit, sasia e mbetjeve te prodhuara në Shqiperi jo sot, por që nga 2012, na qenkërka 335 kg/frymë ne vit ose 0.917 kg/frymë në ditë.
Nuk po konsiderojmë që të ardhurat për frymë të popullsisë në Shqipëri janë minimalisht (pa e ekzagjeruar) 5 herë më të ulta se mesatarja e vendeve antare të BE. Gjithashtu, nuk po konsiderojmë që prodhimi i mbetjeve urbane është në proporcion të drejtë edhe me nivelin e industrializimit, për rrjedhojë edhe me prodhimin e mbetjeve nga amballazhet apo nga proçeset industriale. Pra, po i referohemi sasisë surreale së mbetjeve prej gati 1 kg mbetje në ditë të supozuara në studimin e fizibilitetit që shoqëron projektin e ndërtimit të inçeneritorit të Elbasanit. Ndërkohë, për raportet e rekuperimit të mbetjeve po i referohemi të dhënave të entit italian ISPRA, meqenëse Italia është një vend ku efiçenca e procesit të rekuperimit me diferencim është në nivelet mesatare të BE. Këto referime do na ndihmojnë të deduktojmë objektivisht sasinë optimale të mbetjeve solide të vlefshme për inçenerim për stabilimentin e Elbasanit.
Sipas të dhënave zyrtare të ISPRA, në Itali, në prezencën e një sistemi të strukturuar të rekuperimit me diferencim të mbetjeve, është arritur që në vitin 2016 të rekuperohet 50.6% e mbetjeve urbane të prodhuara. Duke e transpozuar për inçeneritorin tonë, do kishim përllogaritjen:
0.917 kg/fryme x 50.6%= 0.46 kg/frymë në ditë mbetje urbane të rekuperuara.
Referuar gjithmonë të dhënave zyrtare të ISPRA, sasia e mbetjeve solide urbane të destinuara (të vlefshme) për inçenerim ishte 20% e totalit të mbetjeve urbane të rekuperuara. Prandaj, për rastin e stabilimentit të Elbasanit, llogaritjet do të jepnin:
0.46 kg/frymë x 20%= 0.09 kg/frymë në ditë mbetje solide urbane, të vlefshme për inçenerim.
Meqenëse inçeneritori i Elbasanit ka një kapacitet përpunues prej 130 ton/ditë, popullsia që do ta furnizonte atë me mbetje të thata të djegëshme do të ishte:
130,000 kg: 0,09 kg/frymë = 1,444,444 frymë
Me fjalë të tjera, në një vend si Italia, ku proçesi i rekuperimit të mbetjeve me diferencim funksionon, ky inçeneritor do të mjaftonte për të djegur mbetjet e prodhuara nga gati 1,5 milion njerëz ose ½ e popullsisë së Shqipërisë”.
Çfarë mund të evidentohet qartazi deri këtu, sipas zotit Mehmeti, do të ishte:
“∙ Studimi i fizibilitetit bazohet mbi një ekuivok skandaloz, siç është vënia e shenjës së barazimit mes sasisë bruto të mbetjeve të prodhuara, sado e pavërtetë është ajo, me sasinë e mbetjeve që plotesojnë standartet për inçenerim.
∙ Si studimi ashtu edhe konkretizimi i këtij projekti injorojnë faktin që në vendet e BE objektivi i menaxhimit të integruar të mbetjeve është ai i reduktimit të mbetjeve për inçenerim. Praktikisht, ne Itali, sipas ISPRA, vetëm 20% e mbetjeve urbane inçenerohen, ndërkohë që ketu në Shqipëri presupozohet të ineçnerohet (digjet) çdo gram mbetje.
∙ Instalimi i inceneritoreve në vend, sanksionon pa lindur akoma, vdekjen e proçesit të rekuperimit të mbetjeve në burim si dhe të të gjithë proçesit të manaxhimit të mbetjeve, duke qenë se po të zbatoheshin standartet europiane, nuk do kishte lëndë të parë të mjaftueshme për asnjerin nga proçeset e ndermjetme. E thënë ndryshe, nuk ka asnjë shans që me ngritjen e procesit të inçenerimit, pa ngrituar akoma në këmbë proçesin dhe sistemin e menaxhimit të mbetjeve, të mund të ketë mbetje të destinuara për ripërdorim, riciklim apo qoftë edhe për inçenerim në vazhdimësi. Në fakt, çdo mbetje me fuqi kalorifike, pavarësisht çfarë vlere ka nëse riciklohet a rekuperohet, është e destinuar të perfundojë në inçenerim afatshkurtër, duke thyer dhe rrënuar me pas çdo perspektivë të proçesit në tërësi.
∙ Dhe në fund dhe më  i rendesishmi, për të cilën ne ricikluesit kemi qenë mëse të bindur, do të ishte konkluzioni:
–  nëse nisemi nga sasia reale e mbetjeve të prodhuara në vend, e cila rezulton të jetë maksimumi 0.5 kg/frymë mbetje në ditë;
–  nëse jemi optimistë dhe konsiderojme se do arrihet të rekuperohen vetëm 50% e mbetjeve në tërësi, pra 0.25 kg/frymë, nga ku 20% mbetje me vlerë inçenerimi, gjithmone sipas standarteve të Italisë, do dispononim për inçenerim vetëm 0.05 kg/fryme në ditë.
– kështu na rezulton qe inçeneritori i Elbasanit do mund të djegë mbetje për një popullsi prej: 130,000 kg / 0.05 kg = 4,333,333 frymë, ose sa popullsia e Shqiperisë dhe e Maqedonisë të marra së bashku.
Prandaj, pjesa e parë e intervistës mbyllet nga zoti Mehmeti me një pyetje sarkastike:
Pasi të djegin mbetjet e Ballkanit, me çfarë lënde të parë do do të punonin dy inceneritorët e tjerë, në Fier dhe Tiranë?!
(vijon në numrin e ardhshëm)