Inçenerimi pa diferencim, një vetëvrasje ekonomike dhe fizike (2)

Inçenerimi pa diferencim, një vetëvrasje ekonomike dhe fizike (2)
1 Gazeta T&I Durrës Nr 19

Pasi ka argumentuar se me instalimin në Shqipëri të një sistemi me tre inçeneritorë, çdo mbetje me fuqi kalorifike do të jetë e destinuar të digjet, duke rrënuar që në nisje proçesin dhe sistemin e menaxhimit të mbetjeve, zoti Iliaz Mehmeti, antar i Shoqatës Shqiptare të Riciklimit, vijon me analizën e studimit të fizibilitetit të inçeneritorit të Elbasanit, nga pikpamja e kostove për publikun:
“Sipas vetë studimit, ky stabiliment do të inçenerojë 130 ton në ditë, veprimtari për të cilën do të rimbursohet nga buxheti i shtetit me shumën 21,656,000 €, për 6 vjet.  Përllogaritjet me këto të dhëna do të rezultonin me shifrat:
365 ditë x 130 ton/ditë = 47450 ton në vit dhe 21’656’000 € : 6 vite = 3,609,333 €/vit.
Për rrjedhojë kostoja  e inçeneritorit për qytetarët do jetë:
3’609’333  € : 47450 ton = 76.07 €/Ton.
Dhe kjo nuk është kosto finale e trajtimit të 1 ton mbetjeve të inçeneruara, sepse asaj i duhet shtuar kosto e transportit deri tek inçeneritori, e cila, sipas të dhënave nga subjektet që kryejnë transport mbetjesh për bashkitë e tjera, varion nga 10 deri në 20 €/Ton.
Për rrjedhojë, do kemi një kosto minimale prej 85 €/Ton.
Çfarë vërejmë tjetër nga këto shifra dhe nga shqyrtimi i  mëtejshëm i studimit të fizibilitetit është që kostoja për buxhetin do jetë: 85€/Ton+X (të padjegëshme)+ Y( “hiri i rëndë”)+“Z” (“hiri i thatë”),   ku “X” dhe “Y” janë  të panjohura me peshe të madhe në kosto, sepse bëhet fjalë për menaxhimin e një sasie të madhe mbetjesh, siç janë mbetjet e padjegëshme jashtë standartit për inçenerim, ndër to  dhe “hiri i rënde”, i cili  zë 20% të vellimit të hyrë ditor. Ndërkaq,  “Z” përbën një nga zërat më të kushtueshme të shpenzimeve operacionale të një inçeneritori në vendet e BE-së, sepse “hiri i thatë” konsiderohet mbetje e rrezikshme po aq sa mbetjet radioaktive. Por, që në studim, kostoja e trajtimit të “hirit të thatë” lihet qartazi si çështje e hapur per t’u negociuar mes partnerit privat dhe partnerit publik. Kjo do të thotë se partneri privat i rezervon vetes të drejtën t’i paraqesë atij publik faturën e asgjesimit të hirit të thatë, proçes i cili kryhet nga 1 a 2 kompani gjithsej në të gjithë BE-në, me kosto shumë shumë të larta. Një konflikt do çonte në bllokimin e aksesit të mbetjeve urbane në inçenerator,  këstet e të cilit ndërkohë paguhen nga buxheti.

Kostoja e vetem inçenerimit për një familje prej 4 personash, e cila sipas hipotezës (skandaloze) prodhon 1.5 ton mbetje në vit, do jetë: 1.5 Ton/vit x 85 €/Ton = 127.5 €/vit. ”
Kostot e larta të inçenerimit e shtyjnë zotin Mehmeti të shtrojë për diskutim disa problematika dhe rreziqe edhe më të forta, të  lidhura me praktikën e inçenerimit, si:
“- Është e paqartë se kush do të përballojë kostot e vendosjes së standarteve më të larta, gjatë periudhës së kontratës, në kontrollin dhe ndalimin e emetimeve në ajer dhe në tokë të substancave të rrezikshme. Pra, risku që këto kosto të përballohen nga buxheti publik është iminent. Një konflikt do çonte në bllokimin e aksesit të mbetjeve urbane në inçenerator, këstet e të cilit ndërkohë paguhen nga buxheti.
-Po këtu mund të lind qartë dyshimi se standartet aktuale të BE-së mund të mos jenë targeti i standarteve aktuale të “inçeneritorit” lidhur me emetimin e substancave të dëmshme.
-Nuk ka info se ku do depozitohen mbetjet që nuk mund të digjen (“X” në ekuacionin e mësipërm). Ndërkohë, në mungesë të një sistemi të menaxhimit të mbetjeve, të standarteve të diferencimit, të një autoriteti kontrollues dhe rregullator të të gjithë sistemit, sasia e këtyre mbetjeve me destinacion landfillim, në bazë të eksperiencës sonë por edhe të statistikave të BE-së për ato vende të cilat nuk kanë një menaxhim efikas të mbetjeve, rezulton të jetë shumë e lartë (p.sh. Malta, e cila landfillon 95% të mbetjeve). Një konflikt me Bashkinë në këtë rast do çonte në bllokimin e aksesit të mbetjeve urbane në inçenerator , këstet e të cilit ndërkohë paguhen nga buxheti.
-Nuk ka info se ç’do të ndodhë në momentin që bashkia Elbasan nuk do mund apo nuk do dojë të respektojë standartet e seleksionimit të mbetjeve sipas destinacionit, për riciklim, inçenerim apo për landfillim, apo nuk do mund të respektojë sasinë e konkorduar. Një konflikt do çonte në bllokimin e aksesit të mbetjeve urbane në inçenerator, këstet e të cilit ndërkohë paguhen nga buxheti.
Në konkluzion, me premisën që inçenerimi:

  • duhet të bëhet në kushtet e një sistemi efikas të menaxhimit të mbetjeve;
  • duhet të kryhet nga impiante të fjalës së fundit të teknologjisë;
  • duhet të monitorohet rreptësisht nga inspektorati i mjedisit, i paisur me teknologjitë matëse më moderne;
  • është një hallkë e kushtueshme, por e domosdoshme;

më pas, edhe mbi bazën e realizimeve të mësipërme, pyetjet legjitime që lindin janë:
-A mundet që vendime kaq të rëndësishme për vëndin sot, por mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijve tanë, të ndërmerren pa një debat të hapur publik, pa një vlerësim të politikave nga një tryezë e gjerë me grupet e interesit, pa një analizë serioze ekonomike dhe ambjentale?
-A nuk eshte rasti, nisur nga fakti që për nga impakti ndaj shëndetit, ndaj riskut të konfliktit social dhe për nga pesha ekonomike që menaxhimi i mbetjeve ka në kuadrin e ekonomisë cirkulare,  të vëmë në këmbë sa më parë një strategji efikase të menaxhimit të mbetjeve, e administruar nga një Autoritet publik-privat, i cili të rregullojë dhe ekzekutojë të gjithë proçesin, duke operuar në dy nivele, atë administrativ dhe atë operativ?
-A është rasti të përmbysim piramidën menaxhimit të mbetjeve dhe të demolojmë industrinë vëndase të riciklimit, duke e privuar atë nga lënda e parë e vlefshme dhe duke sjellë falimentimin e pashmangshëm të saj, ndërkohë që sipas raporteve financiare të MM dhe MF, ku fondet publike për inçenerimin zënë 65% (10 milion €, kundrejtë 14.5 milion € të buxhetuara në 2017) të të gjitha fondeve me destinacion mjedisin, duke sjellë paralizimin e të gjitha inisiativave, si institucionale ashtu edhe ekonomike, në vend?
-A është rasti ta hedhim në anarki totale një proçes kaq të vështirë dhe strategjik për vendin?
-A është rasti të bëjmë zgjedhje të tilla, kaq në kontrast me politikat e BE-së, të tilla që me siguri, në momentin e qasjes në BE do duhet të rishikohen rrënjësisht, me dëme të pakalkulueshme për ne dhe për brezat që do vijnë.
-A është rasti të bëjmë zgjedhje kaq irracionale, ndërkohë që sot, kur jemi në nivelet më të ulta të menaxhimit të mbetjeve,  mund të riciklojmë minimalisht 7% (ose 70 kg/frymë në vit) të sasisë, duke i dhënë një vlerë të shtuar minimale prej 700 €/Ton (çmimi në bursën ndërkombëtare i materjaleve të ricikluara) nëpërmjet kthimit të saj në lëndë të parë dytësore, ndryshe e thëne duke rritur PBB, sepse: 0,07 Ton x 700€/Ton = 50 €
Pra, 50 € të ardhura për çdo Ton mbetje të prodhuar në vend, kundrejt 85 € të shpenzuara për inçenerim? Ose ndryshe akoma, si mund të optohet për vendime të tilla të cilat, në vend të të ardhurave për buxhetin e shtetit, sjellin humbje?”
Duket qartë se zoti Mehmeti ka edhe shume pyetje të tjera, por preferon që ato t’ua lërë gazetarëve investigativë!