Interesim i madh, bujqësi e vogël (2)

Interesim i madh, bujqësi e vogël (2)
1 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Bujqësia, një sektor prioritar! Ky informacion lakonik është nxjerrë nga programi ekonomik me 21 objektiva i shpallur nga Qeveria “Rama 2” për vitet 2017 – 2021. Me këtë vlerësim për këtë sektor, iu drejtuam për një intervistë zotit Enver Isufi, i cili mban titullin Professor Assistent Doktor për bujqësinë. Pasi ka shtjelluar idenë e tij për organizimin e shkencës së bujqësisë dhe zbatimin e saj në katër nivele, ai vazhdon më tej: “Pra, duhet menduar për një  organizim logjik të institucioneve që lidhen me bujqësinë. Nëse ato nuk lidhen  në atë mënyrë që të komunikojnë pa sforco dhe të  ndihmojnë njëri tjetrin, reformat nuk do të jenë funksionale. Ashtu si të gjitha mallrat që paketohen për në treg, edhe produktet e shkencës dhe zbatimit duhet të “paketohen“. Paketimi i arritjeve shkencore, mendimeve, ideve, praktikave inovative realizohet në formën e botimeve përkatëse. Të tilla janë që nga artikujt, fletëpalosjet, broshurat, revistat shkencore dhe ato praktike, librat, videot profesionale, filmat shkencorë, faqet e  internetit, platformat, etj. Kurrë nuk kemi pasur më  shumë shtëpi botuese  e kaq shumë letër e informacion sa kemi sot, por kurrë nuk kemi pasur më pak botime shkencore  dhe zbatuese  në fushën e bujqësisë sa kemi sot. Paradoks, por është fakt. Medja elektronike është një formë tjetër e “paketimit” të dijeve si mall për “treg”. Televizioni Publik Shqiptar (TVSH) duhet mbështetur për më shumë programe për bujqësisë dhe zhvillimin rural. Mediat elektronike private rajonale duhen mbështetur, gjithashtu. Po si mund të kontribojnë ato për zhvillimin e bujqësisë  dhe civilizimin e fshatit? Le të vendosen në dispozicion të pesë televizioneve lokale private rreth 50-60 mijë  Euro në vit. Për një  emision 30 minuta  të paguhej  rreth  1000 Euro. Cdo televizioni lokal t’i kërkohej që të aplikonte tek televizioni shqiptar (TVSH) për 10 emisione në vit. Televizionet të paraqesnin tematikën, me skenaret përkatëse. TVSH-ja, me një grup ekspertësh, bazuar në tematikën dhe skenaret më të mirë,  të përzgjidhte televizionet fituese. Pra, do kishim në një vit 50 emisione më shumë për bujqësinë dhe zhvillimin rural/ose shqip, civilizimin e zonave fshatare”. Pas një pauze të shkurtër, intervista e zotit Isufi do të përqëndrohej në disa çështje mjaft të rëndësishme sipas tij për zhvillimet e ardhëshme të bujqësisë sonë, si: Qendra e Informacionit dhe Edukimit Bujqësor, Sistemet e bujqësisë me  standartet përkatëse, Inovacionet në bujqësi, Politikat shtetërore për përdorimin e inputeve cilësore, Zhvillimi i Qëndrueshëm i Bujqësisë dhe i Mjedisit, Partneriteti i shtetit me institucionet private, Marketingu bujqësor, Siguria Ushqimore, Mbështeja financiare nga shteti, për ta mbyllur me argumentin personal Bujqësia, integruesia më  e madhe  e Shqipërisë  në rajon

Qendra  e Informacionit  dhe Edukimit Bujqësor .

Prania e këtij institucioni do ishte me shumë dobi. Këtij institucion i ngarkohet  botimi i revistës  “Bujqësia  Shqiptare” (e cila që nga viti 2006 nuk botohet më) , do të botonte buletinin e shkencave bujqësore, filmat bujqësorë, libra, broshura që do të përgaditeshin nga institucionet shkencore bujqësore  dhe nga vetë  kjo qendër etj. Kjo qendër të kishte edhe shtypëshkronjën e saj.

Sistemet  e bujqësisë  me  standartet përkatëse

Sistemet e bujqësisë dallohen mes tyre nga baza materiale që  përdorin si  dhe qëndrimi që ata mbajnë  ndaj mjedisit. Pesha që zënë në përqindje sistemet e bujqësisë varen nga vetë zhvillimi  i vendit. Në vendet e BE dominon bujqësia  e integruar  dhe ajo biologjike, në vëndet e pazhvilluara dominon sistemi konvencional  dhe ai me inpute në sasi  minimale. Shqipëria futet tek grupi i dytë i vendeve, ku dominon bujqësia konvencionale  dhe ajo me përdorimin në sasira  minimale të inputeve. Vendi ynë duhet të ketë objektivat e veta se sa përqind do të  zejë secili sistem  bujqësie për katër ose tetë  vitet që vijnë.

  • Sistemi me inpute të pakta:
  • ferma përdor pak plehra, pak pesticide. Ky sistem krijohet nga pamundësia e investimeve  në bujqësi. Prodhimi është cilësor, por me pakicë.
  • Sitemi i bujqësisë konvencionale, ku përdorimi i inputeve është në sasira të mëdha. Përparësi ka sasia dhe jo cilësia e prodhimit. Inputet shpesh kanë cilësi jo të mirë për shëndetin dhe mjedisin. Ky sistem vjen drejtë kufizimit.
  • Sistemi i integruar, ku baza materiale, kryesisht pesticidet, plehrat, bio-rregullatorët, farërat janë më cilësore.
  • Sitemi bujqësisë biologjike, që përdor një listë inputesh që bazohen në standartet kombëtare dhe të BE, të provuara si shumë miqësore  me shëndetin e njerzëve dhe mjedisin.

Bujqësia miqësore, e Integruar dhe ajo biologjike, na garanton jo vetëm një ushqim të shëndetëshëm për popullsinë por na shmang  edhe katraurën mjedisore.

Katraura urbanistike na ndodhi pikërisht se nuk ishim të përgaditur për ta parandaluar. Jemi ende  në kohë për ta parandaluar këtë rrezik të ardhëshëm në fushën e bujqësisë .

Në këtë kuadër  duhet të ketë  objektiva për  standartet, si HASAP, Global GAP dhe  standartin Bio. Franca  dhe Gjermania kanë marë objektiva kombëtare që pas 5 viteve 20 % e prodhimit të jetë prodhim biologjik.

Inovacionet  në bujqësi.

Ka shumë studime të aplikueshme që mund të futen direkt në prodhim. Institutet  dhe Universitetet   kanë studime të tilla. Instituti i Bujqësisë  Biologjike, ku unë punoj, ka tre praktika të tilla inovative.

– Përdorimi i feromoneve në vreshta për mbrojtjen e rrushit nga tenja shmang 100 % përdorimin e insekticideve në vreshtë. Në Gjermani dhe Zvicër, 50 % e vreshtave trajtohet me këtë metodë  plotësisht miqësore.

– Kemi në koleksioniet tona 10 kultivarë hardhie dhe 10 kultivarë molle që janë rezistentë ndaj sëmundjeve kryesore. Me këto kultivarë mund të pakësohet 50-80 % sasia e insekticideve dhe fungicideve në vreshta  dhe në prodhimin e mollëve.

– Pajisjet elektronike për prognozimin e sëmundjeve, janë  shumë të efektëshme, gjithashtu.

Aparatura të tilla instituti ynë i përdor prej shtatë vitësh, por kjo metodë nuk nxitet nga shteti që të jetë   kudo e përdorur nga fermerët. Pikërisht këto inovacione duhet të jenë përparësi e subvencioneve në bujqësi.

Politikat shtetërore për përdorimin e inputeve cilësore

Ide inovative do të ishin edhe mekanizmat për të sjellë në Shqipëri inpute me cilësi të lartë  për prodhimin dhe mjedisin ( pesticide, plehra kimike, farëra)

Subvencionet  e studiuara do  të ishin  një mekanizëm i mirë  për të  importuar këto lloje inputesh. Kur themi subvencione të inputeve do të kuptonim këtë lloj komunikimi  të shtetit me operatorët privatë p.sh. “të nderuar tregëtarë dhe fermerë, përdorni në mbrojtjen e bimëve feromonet çorientuese  të insekteve dhe preparate biologjike, sepse diferencën e çmimit  mes tyre dhe inputeve konvencionale me cilësi të dobët mjedisore e kompenson shteti”

Institucionet shkencore në këtë mynyrë orientojnë  edhe kërkimet, pra testojnë paraprakisht  në kushtet e Shqipërisë pikërisht inputet me perspektivë, i ofrojnë biznesit dhe vetë Qeverisë lista  të studiuara  të inputeve, të cilat  meritojnë të regjistrohen dhe  subvencionohen pjesërisht nga shteti.

Shembull: Siç përmendëm më sipër, Instituti i Bujqësisë Biologjike ka një përvojë  15 vjeçare  në  përdorimin e  feromoneve çorientuese në mbrojtjen e prodhimit të rrushit nga tenja, duke menjanuar plotësisht insekticidet konvencionale. Nëse shteti subvencionon 80 mijë  Euro në vit (gjysmën e kostos  së feromoneve) menjanohen insekticidet në 1000 ha vreshtë.

Po me këtë  llogjike: po të subvencionoheshin disa  fidanishte private që të prodhonin fidana të hardhisë  dhe mollës nga kultivarët rezistentë ndaj sëmundjeve ( që ne i kemi këto kultivarë në koleksionet tona), për tre katër vite mund të mbillnim 1000 ha vreshta dhe 1000 ha mollë  më kultivarë që do konsumonin 50 % më pak fungicide  se sa  kultivarët  e zakonshëm.

Kjo strategji  e stimulimit  të inputeve cilësore, mbështet zhvillimin e bujqësisë  së qëndrueshme, objektiv që e gjejmë si angazhim deri te Kushtetuta  e Shqipërisë

Zhvillimi i Qëndrueshëm i Bujqësisë dhe i Mjedisit

Në zbatim të kësaj strategjie, shteti bën planin e sipërfaqeve të vreshtave, ullishteve, perimeve, mollës  etj që do të  trajtohen me inpute miqësore. Kjo na çon në angazhimin kombëtar se sa përqind do zejë bujqësia e integruar  dhe ajo biologjike pas pesë  ose 10 viteve të ardhëshme.

Sasia e sipërfaqes e bujqësisë  së mirë do të rritej vit pas viti, gradualisht sipas fuqisë  së shtetin. Kjo strategji  zgjeron  nga viti në vit  numrin dhe sasinë  e produkteve të çertifikuara  me standartet HASAP, Global G.A.P, ISO  dhe ato Bio. Këto mekanizma financiare të bëra  në bujqësi  dhe blegtori, do t’i kursenin shpenzimet e sektorit të mjeksisë, sepse ushqimi i shëndëtshëm, është masë parandaluese  për sëmundjet humane dhe veterinare. Këtë përfundim e gjejmë edhe në literaturën e vendeve të zhvilluara. Na duhet të kemi brenda vehtes një ego pozitive që p.sh pas  10 viteve  të kemi arritur që tek konsumatori  europian e më gjërë  të   qarkullojë opinioni: ”Doni të   konsumoni ushqim të shijshëm dhe të shëndetëshëm, këtë  e gjeni në Shqipëri”

Sot ende konsumojmë  ushqim të mirë. Pyetja shtohet :nga varfëria, sepse skemi buxhet për  të blerë sasira të mëdha  inputesh, apo nga mençuria  e zbatimit të praktikave  shkencore bujqësore.

Partneriteti i shtetit më institucionet  private

Është një rezervë tjetër e madhe që nuk është përdorur sa duhet. Shpesh organizatat jo fitimprurëse  dhe jo qeveritare shteti i shikon si konkurente  dhe jo si partnerë. Është një numër i madh ekspertësh në këto organizata, institute, fondacione  që shteti duhet t’i integrojë në zbatimin  e  politikave bujqësore kombëtare.

 Marketingu bujqësor

Shtimi i pikave të grumbullimit, të ruajtjes në sistemet  e ftohjes, sistemi i tregëtimit të produkteve lokale janë tashmë të mirëpritura. Na duhet të  kemi supermarkata  me mbishkrimet si psh “Prodhime  nga Shëngjergji”, Prodhime nga zona e Baldushkut, Ndroqit, Ishmit, Luginës së  Vlorës , Kallmeti,  Puka, etj,  etj. Ky llojë idendifikimi e bën më të prekshëm, më të besueshëm, më të kontrollueshën e deri  më nostalgjik prodhimin vendas.

Një  makinë e madhe e tipit maune me mbishkrimin “Perime të Freskëta nga Divjaka“  që çdo ditë vjen në Tiranë do ta bënte më të besueshëm prodhimin vendas si dhe vetë promovimin e tij. Për eksportin nevojiten të tjera organizime që përfshijnë përzgjedhjen e kultivarëve, paketimin, etiketimin, çertifikimin, studimin e tregut etj.

Siguria Ushqimore

Kjo është një temë e gjërë, por na bie në sy që ajo fokusohet kryesisht në  kontrollin e produkteve të gatëshme  dhe më pak  në tërë zinxhirin e prodhimit. Siguria ushqimore përfshin  të gjitha hapat që bën produkti , që nga fusha e deri  në pjatën tonë.

Pra, fillon me farërat cilësore, higjenën e tokës, higjenën e ujit, cilësinë  e plehrave dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve(PMB), cilësinë dhe kriteret shkencore të përdorimit  të tyre, përfshin mjetet  e punës, magazinimin, paketimin dhe ruajtjen deri sa vjen në treg. Pra siguria ushqimore përfshin si pastërtinë sipërfaqësore ashtu edhe përmbajtjen në brendësi të produktit. Një mollë ose domate e bukur e larë mirë, e ruajtur mirë, por që në brendësi ka mbetje kimike, hormoniale, nitrate, nitrite, metale të rënda e tjerë, nuk është e sigurtë për konsumatorin. Vetëm një organizim zinxhir  i institucioneve që përmendëm më  sipër mbulon të gjitha hapat që përshkon produkti deri në tavolinën tonë të ushqimit.

Mbështetja financiare nga shteti

Na duhet një diskutim më i thelluar  se si skemat  të jenë  sa më nxitëse. Dekadën e fundit, defekti më i madh ka qenë moszbatimi, pra  mos kalimi  i pagesave  tek fermerët se sa defektet e skemave.

Bujqësia, integruesja më e madhe e Shqipërisë në rajon

Bujqësia jonë, me eksportin e produkteve si dhe agroturizmi me “ importin” e konsumatorëve  si turistë, është mekanizmi më i fortë i integrimit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit kontinental. Zonat shqipfolëse  bujqësia  i lidh jo vetëm shpirtërisht, por  edhe  ekonomikisht.

Është fati i madh që bujqësia shqiptare në të shumtën e saj është bujqësi mesdhetare. Sfida jonë  është  rritja  e sasisë, cilësisë, konkurueshmërisë. Këto janë  edhe thelbi i reformave të kërkuara në këtë sektor.

Reformat  janë  si syzet optike: Numri i madh të shqetëson, me numrin e vogël nuk shikon.

“ Nuk blihen syze optike pa u vizituar, nuk zbatohen reforma pa u studiuar ”