Kolazh për energjinë

  • Shqipëri-Kosovë për energjinë elektrike

Gazeta ka shkruar vazhdimisht për energjinë elektrike dhe sidomos për disa handikape, të cilat lidhen me çmimin e energjisë dhe kostot që përcaktojnë këtë çmim. Një forum i dytë ndërkombëtar, i mbajtur në mes të muajit qershor në Prishtinë, na shtyu t’i rikthehemi kësaj teme që prek seriozisht sipërmarrjet shqiptare dhe jo vetëm,

Katër vitet e reformës në energji paraqitën një zhvillim dinamik të sektorit, me rezultate historike pozitive, shoqëruar me ndryshim ligji, rregullore dhe model të ri tregu, por me ndrojën e ndikimit të mundshëm “negativ” prej kushteve klimaterike. Viti 2017 u shoqërua me thatësirë reshjesh dhe ulje të prodhimit vendas edhe në vendet e rajonit. Kjo solli rritje të çmimit në tregje. OSHEE u detyrua të blejë jashtë parashikimeve 100 milionë euro energji elektrike. Viti 2018 nisi me superprodhim të energjisë elektrike, nga shoqëritë me pronar shtet apo privat. Shkaku ishin reshjet e shumta, por edhe në këtë rast OSHEE nuk mundi të përthithte të mirat e motit, pasi sërish energjinë e bleu më shtrenjtë. Në të dyja rastet, kemi handikap!!

Në Prishtinë, më 18 qershor, për Forumin e Dytë Ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës – Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”, nuk mungonte askush nga institucionet që kanë në dorë “fatin” e krijimit të një modeli të përbashkët tregtar: plotësimin e nevojave me energji elektrike, por … me kosto të ulët për kompanitë, gjë e cila do të reflektojë edhe te konsumatori.

Elton Sevrani, njohës i mirë i fushës së tregtimit të energjisë, aktualisht Drejtor i Divizionit Tregtar, i pranishëm në forum, bëri një ekspoze të situatës financiare të kompanisë:

“Në 3 vite stabilizuam gjendjen e sektorit, rritëm arkëtimet dhe ulëm humbjet, fitimet u rritën, borxhet po shlyen, gjithashtu edhe pagesat e taksave u shumëfishuan në arkën e shtetit. Më e rëndësishmja, investuam në tre vite sa nuk ishte bërë në 20 vite!

Pavarësisht më lart, “diçka” pengon të zhvillohet më tej sektori i përbashkët i energjisë. Një operator, të cilit i njihet puna për uljen e humbjeve, për rritjen e arketimeve dhe për stabilititetin ekonomik të kompanisë, me një nivel të ardhurash të pranueshme, më të lartat në historikun e saj. Por, OSHEE nuk po arrin dot të rikuperojë kostot e larta prodhuesve me përparësi të energjisë, duke na xhiruar një problematikë financiare në periudhën korrik 2017 – qershor 2018.

Sepse në periudhën e thatësirës hidrike, tregjet ndërkombëtare ishin të larta dhe çmimet e blerjes në treg të parregulluar variuan nga 60 në 90 euro për megavat

Në periudhën kur kemi situatë shumë të mirë hidrike sic e ka Shqipëria, prodhimi i prodhuesve me përparësi, Hec-et e vegjël, është shumë i lartë, arrin të hyjë në një masë të konsiderueshme në plotësimin e kërkesave të klientëve fundore duke e amortizuar negativisht atë prodhim që KESH ofron për klientët fundore. Në të dyja rastet kemi çmim të lartë”, analizon kreu i Divizionit Tregtar në Operatorin e Shperndarjes se Energjise Elektrike (OSHEE Sh.A).

Por a mundet që mekanizmi i tregut të propozuar, bursa e energjisë, t’i ulë këto kosto?

Eshtë e tepërt të mos pranohet se bursa e përbashkët e energjisë shërben për të vendosur një çmim referent në tregun vendor, i cili mundëson likuiditet më të madh dhe zhvillim të konkurrencës në treg, ndërsa bashkimi i tregut të energjisë Kosovë-Shqipëri ndikon në mirëqenien ekonomike të të dyja vendeve dhe do të sjell përfitime për to. Por kjo nuk po ndodh!

Parimi kërkesë – ofertë, ka të bëjë me mënyrën sesi tregjet duhet të funksionojnë, se si çmimi më i mirë i ulët vjen kur kërkesa dhe oferta priten. Kur kemi një kërkesë më të lartë se oferta, ky çmim synon të rritet ose kur oferta është e lartë, ky çmim synon të ulet.

Hans Arild Bredesen nga “Nord Pool Consulting” ka folur për për përparësitë dhe funksionimin e bursës dhe tregut të përbashkët energjetik dhe rolin e entiteteve pjesëmarrëse. Bredesen, duke bërë krahasime me tregun e energjisë të vendeve skandinave si Suedia, Norvegjia, tha se sistemet energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, e para e bazuar në thëngjill dhe e dyta në hidro, mund të plotësojnë njëra tjetrën dhe sjellin përfitime të dyanshme dhe njëkohësisht mundësojnë qarkullimin e energjisë në treg me çmim sa më të lirë.

  • KESH shton cash-in nga shitjet

Rreth 60 milionë euro janë të ardhurat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nga shitja e energjisë në tregun e parregulluar, për 6-mujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit të treguesve për këtë periudhë, rezulton se u prodhuan 3.91 TWh energji, ndërkohë që edhe 6-mujori i dytë i vitit ka nisur mirë për gjeneruesin më të madh të energjisë në vend, duke qenë se Liqeni i Fierzës është në kuotën e tij maksimale, prej 296.18 metrash mbi nivelin e detit.

Kjo është edhe një nga periudhat më optimale, duke qenë se prej 4-muajsh ka qëndruar në këto nivele, ndërkohë që rezervat e bollshme hidrike kanë lejuar tre HEC-et e kaskadës, të punojnë me kapacitet të plotë. Sipas KESH, prurjet e fundit janë rreth 850 metër kub për sekondë, çka do të thotë se janë të mjaftueshme për të ruajtur balancën mes sasisë së ujit që del nga 4 turbinat që prodhojnë energji elektrike dhe sasisë së prurjeve që shkarkohen në liqenin e Fierzës. Ky është një lajm i mirë për financat e korporatës, e cila për shkak të thatësirës së tejzgjatur e mbylli me humbje vitin 2017. Sipas bilancit vjetor të kompanisë niveli i humbjeve u regjistrua në rreth 1.1 miliard lekë, ndryshe nga një vit më pare, kur u regjistrua një bilanç pozitiv prej 1.7 miliard lekë.

  • Reforma shqiptare në energji, reagon Vjena

Reforma në energji duket se tashmë ka hyrë në një fazë të re, por të ngadaltë, që shihet me rezerva nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë. Në monitorimin tradicional të këtij institucioni për reformat në sektor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, më shumë sesa vlerësime pozitive për Shqipërinë, ka kritika. Këto lidhen me disa prej pikave kyçe të dinamikës, që duhet të kishte marrë tregu që nga liberalizimi, te Bursa e Energjisë apo ndarja e OSHEE-së. Të gjitha këto çështje janë në faza të ndryshme të zhvillimit, por më dobët vlerësohet ajo e liberalizimit, ndërkohë që ndarja e OSHEE, edhe pse faktike në letër për Sekretariatin, duhet që të bëhet edhe në funksione dhe aktivitet të operatorëve.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se shtyrja me dy vjet e afatit që konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt mund të furnizohen nga OSHEE, është një hap serioz pas.

Sipas ligjit, çmimi i shitjes për të gjithë konsumatorët, me përjashtim të atyre të lidhur në 0.4 kilovolt, duhet të ishte i parregulluar në këtë moment. Për vitin 2018, kushtet që konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt të ndryshojnë furnizues janë të përcaktuara. Në praktikë, shumica e atyre të lidhur në tension 35 kilovolt nuk kanë ndryshuar furnizues. Kjo, për shkak të mundësisë që iu dha nga amendimet e ligjit për sektorin e energjisë në shkurt 2018, për të vijuar furnizimin nga furnizuesi i mundësisë së fundit për një periudhë dyvjeçare.  Kjo në mënyrë, efektivisht shtyu hapjen e tregut dhe shkeli të drejtën e konsumatorëve. Ky është një kthim pas serioz i përpjekjeve të Shqipërisë për të reformuar sektorin energjetik. Për më tepër, kontrata e furnizimit me shumicë mes KESH dhe OSHEE vijon të mbetet në fuqi. Sipas amendimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton detyrimet e furnizuesit publik, çmimi dhe sasia e energjisë që KESH i shet OSHEE për shërbimin universal vendoset nga ministri”, thuhet në raport.

  • Bursa e Energjisë

Bursa e Energjisë cilësohet si një tjetër projekt ambicioz që nisi me reformën në sektorin e energjisë. Por vit pas viti, duket se afati për nisjen e operimit të saj ka ardhur gjithmonë me shtyrje ndërkohë, që projekti nuk është parë me interes nga fqinjët e ftuar për t’u bërë aksionerë si Mali i Zi apo Maqedonia, me përjashtim të Kosovës.

Amendimet e 2018-s në ligjin për sektorin e energjisë caktuan një operator tregu si përgjegjës për organizimin dhe operimin e Albanian Power Exchange (Bursa Shqiptare e Energjisë). Në mars 2018, operatori i sistemit të transmetimit ftoi operatorët e transmetimit të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi që t’i bashkohen bursës si aksionerë. Por, deri më tani, vetëm operatori i Kosovës ka shprehur interes. Bursa pritet të hyjë në operim në pjesën e parë të vitit 2019.

  • Ndarja e OSHEE

Ndarja e vonuar e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të ishte arsyeja pse Sekretariati i Komunitetit të Energjisë do të hapte një çështje kundër Shqipërisë në fillim të këtij viti. Por vetë OSHEE do të reflektonte pas kësaj, duke nisur në dokumente ndarjen faktike të kompanisë dhe duke krijuar tre operatorë të rinj që do të vareshin nga kompania mëmë. Por, sekretariati vlerëson se ndarja është vetëm në letra dhe jo në aktivitet.

  • Impiantet e reja fotovoltaike, me ankand

Tashme, zhvillimi i fotovoltaikës në Shqipëri nuk është më një risi! Madje, vetëm pak kohë më parë qeveria ka rritur kapacitetin e ofruar për investimet fotovoltaike për një total prej 120 megavat. Për impiantet deri në 2 MW, çmimi aktual i blerjes bazohet në një formulë, e cila llogaritet mbi kthimin e investimeve dhe të gjitha parametrat në afatgjatë, duke garantuar kështu 100 euro për MWh për 15 vjet, siç sjelle se fundmi edhe në një intervistë për mediat nga Entela Çipa, këshilltare e ministrit të energjisë.

Risi është se në të njëjtën interviste, lidhur me investimet e reja, raportohet se kuota e mbetur prej 100 megavat do të ofrohet shumë shpejt nëpërmjet ankandeve të organizuara për impiantet mbi 2 megavat, për të parë me tej për rishpërndarjen për ato nën 2 MW. Deklaratë që në fakt vjen pas vendimit të marre se fundmi, i cili përcakton kriteret dhe kushtet për ankandet e ndërtimit të kapaciteteve të reja mbi 2 MW.

Në praktikë, shpërblimi që investitori do të marrë, bazuar ne kuadrin e ri për burimet e ripërtëritshme, do të duhet të përcaktohet nga procedura e ankandit, ndryshe nga instalimet deri në 2 MW, të cilat mbeten një përjashtim nga ky rregull. Pra, tashmë kemi një përparim në praktikë të idesë deri këtu të vënies në ankand të kapaciteteve të reja apo një përmbysje të asaj që është bërë përmes propozimeve te pakërkuara. Ankande të cilat do të rendisin kriteret, që po përgatiten me mbështetjen teknike të ofruar nga BERZH. Proçedurë, e cila do jetë e hapur të paktën për  një periudhë prej 30 ditësh.

Ndër detajet më të rëndësishme është garantimi përmes kompanisë shpërndarëse, të cilës gjithashtu i është caktuar kohët e fundit roli i operatorit të energjisë së rinovueshme. Në këtë drejtim, OSHEE merr detyrimin për të lidhur sistemin fotovoltaik në rrjetin kombëtare të energjisë elektrike si dhe për të terhequr dhe paguar të gjithë energjinë e prodhuar, nëpërmjet një kontrate për shitjen e energjisë elektrike, të nënshkruar paraprakisht para vënies në punë. Përveç kësaj, risi është dhe mekanizmi i parashikuar për të garantuar pagesat, i lidhur me penalitetet për çdo vonesë. Mbi sa me sipër, ndërsa vullneti i ligjvënësit është shumë i qartë për të ofruar një çmim të caktuar nga vetë investitorët, thelbësore është që sa këtu te maksimizohet në mënyrën më të mirë për projektet individuale. Pra, në varësi të faktit se kemi një tarifë premium, vendimmarrja e paraqitjes se çdo projekti duhet të konsiderohet si pasojë e studimeve teknike të mirëpërgatitura. Kjo do të thotë se do duhet të kalojë nëpërmjet skenarëve afatgjatë të ndjeshmërisë , të lidhura me kushte specifike te investimit, duke përfshirë rreziqet e mundshme të ndërtimit, menaxhimit, kuadrit ligjor dhe rregullativ, politikave, etj.

Mbi sa me sipër, kuadri ligjor është përgatitur duke iu përgjigjur plotësisht atyre që kanë qenë deri tani çështjet e verifikuara në praktikë. Megjithatë, fakt është se fusha energjetike është vazhdimisht në ndryshim, ndërsa sfidat nuk mungojnë kudo. Për këtë arsye, sa më shumë të “parashikohet” në fazën përgatitore mbi skenarët e ardhshëm, aq më shumë zgjidhje mund të reflektohen në studime, kontrata dhe dokumente të tjera, pra dhe te jemi te përgatitur për çdo ngjarje të ardhshme. Gjithsesi, mbetet qe zbutja e tyre të jenë aftësi që fitohen vetëm me përvojë të gjatë dhe direkte në këtë fushë. Këto refleksione mbi zhvillimet me fotovoltaiket i takojnë specialistit pë energjinë, zotit Lorenc Gordani, me dëshirën e tij për të hedhur në gazetën e Dhomës, pjesë të blogut të tij.