Kredia e “butë” italiane në Durrës

Kredia e “butë” italiane në Durrës
1 Gazeta T&I Durrës Nr 27

Përse quhet e “butë”, përse quhet italiane? A është thjesht një reklamë e radhës apo kjo kredi funksionon realisht? A janë të interesuara bankat ta lëvrojnë këtë kredi? Këto ishin pyetjet kryesore, të cilave u dha përgjigje të plotë trajnimi i zhvilluar javën e fundit të shtatorit, në ambjentet e hotel “Palace”, në Plazhin e Durrësit. Ai u ndoq në mënyrë aktive nga një grup përfaqësuesish të biznesit, grupi i konsulentëve të biznesit, grupi i perfaqësuesve te disa bankave, por edhe nga një grup kontabilistësh të miratuar, të interesuar të informonin bizneset që ata u japin asistencë financiare. Me idenë e një trajnimi praktik, seminari u zhvillua në dy pjesë kryesore:

Në të parën, z. Gavril Lasku, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Programit Italo – Shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri, i asistuar nga stafi i tij prezantuan funksionimin e këtij programi. Nga shtjellimi i tij u sqaruan të gjitha detajet e proçesit të lëvrimit të kësaj kredie të veçantë, si:

  • Programi quhet “PRODAPS – IASME”, një program i përbashkët i Qeverisë Italiane dhe i Qeverisë Shqiptare, i miratuar nga Kuvendi
  • Programi përmban tre komponetë: a) linjë kredie prej 36 milion Euro, b) fond garancie prej 5 milion Euro, për të mbështetur bizneset me kolateral të pamjaftueshëm dhe c) asistencë teknike prej 1,5 milion Euro, e cila mbulon gratis gjysmën e kostos së planit të biznesit. E vetmja kredi në vendin tonë, që përmban njëherësh tre komponentë të tillë!
  • Kush mund të aplikojë? Çdo person fizik apo juridik i regjistruar dhe me aktivitet në Shqipëri, me jo më pak se 51% të kapitalit të zotëruar nga pala shqiptare, me qarkullim vjetor nën 10 milion Euro, me më pak se 250 punonjës.
  • Sektorët që mbështeten me kredi janë: Bujqësia, ICT, Industria prodhuese e përpunuese, Prodhimi natyror i energjisë, Transporti, Turizmi, Shërbimet.
  • Projektet me vlerë nga 50,000 € deri në 500,000 € duhet të blejnë jo më pak se 70% të investimeve në makineri e paisje me origjinë italiane, pamvarësisht vendit ku ndodhet distributori (ja përse quhet kredia italiane); jo më shumë se 10% e vlerës së kredisë për lëndën e parë; jo më shumë se 30% e vlerës së kredisë për mbulimin e kostove lokale.
  • Projektet me vlerë nga 15,000 € deri në 50,000 € për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme të krijuara rishtas (Start up) ose ekzistuese. Jo më pak se 40% e vlerës së kredisë duhet të përdoret për blerjen e makinerive dhe paisjeve me origjinë italiane. Jo më shumë se 60% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.
  • Interesi i kredisë: deri në 3% në Euro, deri në 4% në Lekë. Më të ulta se interesat e tregut të sotëm, prandaj edhe quhet kredi e “butë”!
  • Periudha grace (paguhet vetëm interesi, por jo principali): nga 1 deri në 2 vjet
  • .Periudha e shlyerjes: nga 3 deri në 8 vjet
  • Funksionimi i derisotëm i këtij programi: 122 projekte investimi të SME-ve shqiptare, me një financim prej 26,6 milion Euro; 84% e projekteve jane realizuar nga Ndërmarrje Mikro dhe të Vogla; 60%  e kredive janë në shumën 50.000 Euro deri 200.000 Euro

  • Rreth 47% e projekteve te financuara ndodhen ne aksin Tiranë / Durrës , ndërsa rreth 53% e projekteve te financuara ndohen jashte këtij aksi

  • Ky sqarim i detajuar i kushteve u pasua nga pjesa e dytë, gjatë së cilës, të ndara në 6 grupe, bizneset të mbështetura nga konsulentët biseduan me përfaqësuesit e bankave mbi idenë e tyre të biznesit, mbi formatin e biznes-planit dhe shpejtësinë e mbylljes së proçedurave.

Vlen të nënvizojmë një farë ngurimi nga ana e bankave për lëvrimin e kësaj kredie. Ka një marrëveshje ndërmjet Programit dhe 11 Bankave për lëvrimin e kësaj kredie. Por, kjo nuk mjafton për të mposhtur konfliktin me interesin e bankave për të lëvruar kredi nga fondet vetiake të tyre. Me synimin që edhe kjo kredi të lëvrohet njëlloj me ato vetiaket, duhet që bankat ta përfshijnë edhe atë në targetet mujore të specialistëve të angazhuar në sektorin e kreditimit. Ky ishte një propozim i përfaqësuesve të biznesit, tepër të interesuar për kredinë e “butë” italiane.

Ndërkaq, besojmë që grupi i biznesevedurrsake, që kishin konfirmuar interesin e tyre për këtë kredi, si; Optika Oshafi, Harmonia Hotel, Arli Internacional, Diamma resort, Teoren, Confort, Albsteel e ndonjë tjetër do të arrijnë të lidhen me konsulentët e Dhomës për t’iu drejtuar njërës nga 11 bankat me aplikimin e tyre për kredinë e “butë” italiane.

http://prodaps.al/index.php/al/