Kur ka treg…

Kur ka treg…
1 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Investojm kur ka një treg ….

Kur flitet për tregjet e mallrave dhe të shërbimeve në përgjithësi, gjithmonë merren në konsideratë dy mendimtarë të mëdhenj, Smith dhe Kejnes. I pari ngul këmbë se “duar të padukshme” vetërregullojnë tregjet, pa nevojën e ndërhyrjes së askujt. Ndërkohë, i dyti mbron idenë e ndërhyrjes së shtetit në momente kur tregjet “ngecin” apo shkaktojnë kriza.

Përsiatjet e mëposhtme nuk fare lidhje me idetë e këtyre dy studjuesve të mëdhenj, sepse ato lidhen me disa tregje shumë të veçantë, duke u fokusuar më tepër tek sjellja e bizneseve, qytetarëve dhe shtetit ndaj këtyre tregjeve.

Është fakt edhe i ditëve të sotme, që ndër tri industritë me shitjet më të mëdha në tregun botëror, tregtia e armëve zë vendin e parë, ndërsa shitja e naftës zë vendin e tretë. Pra, në botën ku jetojmë, prodhohet dhe shitet më shumë për të vrarë njerëz dhe për të ndotur atmosferën (pamvarësisht se nafta shërben si lëndë e parë për prodhimin e energjisë apo të autolëvizjes). Fatkeqësisht, kemi parë shtetin tonë të përfshihet në mënyrë aspak korrekte në këto dy tregje. Katastrofa e Gërdecit dëshmoi veprimtarinë e një ndërmarrjeje për demontimin e armëve nga fshatarët e kësaj zone, të cilët i merrnin predhat për t’i zbërthyer në shtëpi, njëlloj si punë “fason”! Askush nuk dinte gjë se çfarë bënte kjo ndërmarrje e liçensuar, as Ministri, as Presidenti! U desh ai shpërthim shkatërrues për zonën përreth, që kjo veprimtari të mbyllej. Po ashtu, shteti ynë lejon deri më sot që automjetet shqiptare të konsumojnë naftën më të keqe dhe më të shtrenjtë në rajon.

Tablloja botërore do të na dukej akoma më e shëmtuar nga e dhëna që tregtia e narkotikëve zë vendin e dytë. Një treg i paligjshëm, si i paregjistruar gjëkundi, me fitime astronomike fare të patatuara! Për më keq, një tregti produktesh me pasoja çoroditjen morale e deri vdekjen nga mbidozat. Një emision televiziv i huaj jepte para disa vitesh edhe shifra për shitjet në tri tregjet e sipërcituara: 700 miliard dollarë nga armët, 500 miliard nga narkotikët dhe 400 miliard nga nafta. Por, sot tregtia e armëve ka arritur shifrën 1.2 trilion dollarë. Ndërkaq, numri i përdoruesve (të paktën një herë) të narkotikëve në botë ka arritur në 250 milion banorë, me trend rritës.

Sipas World Drugs Report 2017, 30 milion persona në varësi të drograve vuajnë sëmundje të rrezikshme për jetën nga përdorimi i tyre, ku kanabisi zë vendin e parë me 39%, opioid, vendin e dytë me 33% dhe kokaina, vendin e tretë me 10%. Për fat të mirë dhe të keq, në këtë raport përfshihet edhe Shqipëria. Për fat të mirë, sepse nga ky raport mund të marrim informacion mbi këtë problem me rëndësi të madhe për të sotmen dhe të ardhmen ekonomike, shoqërore dhe politike të vendit tonë. Për fat të keq, sepse asnjë institucion, agjensi shtetërore apo media në Shqipëri nuk ka dhënë deri më sot ndonjë informacion zyrtar mbi prodhimin në vend të narkotikëve apo konsumin e tyre, kurse vetë World Drugs Report, i përvitshëm në dy dekadat e fundit, as nuk njihet fare nga qytetari shqiptar.

E quajmë me vend pasqyrimin e qëndrimit të disa shteteve ndaj kultivimit të bimës “coca bush”, nga prodhohet kokaina. Para dhjetë vitesh, denoncimit se kokaina e exportuar nga Meksika po dëmtonte rëndë shëndetin dhe jetën dhe po shthurte moralisht rininë amerikane, Kryeministri i atëhershëm i këtij vendi i përgjigjej: “Jam kryeministri i Meksikës dhe jo i SHBA! Unë përgjigjem vetëm për jetën e fshatarëve meksikanë. Nëse doni ta ndalojmë mbjelljen e cocas, na jepni farëra, plehra kimikë, mekanizma bujqësore dhe na siguroni tregun e shitjes së tyre, që fshatarët tanë të mbjellin misër, grurë e të tilla të këtij lloji”. Kryeministrat pas tij i shpallën luftë karteleve të narkotikëve. Ndërkaq, ndonëse Kryeministri meksikan i sotëm Pena Nieto preferon të theksojë planet e tij për edukimin dhe reformën për energjinë, raportet ndërkombëtare tregojnë një ringritje të rritjes së “coca bush” në vendin e tij.

Më tronditës është qëndrimi i shtetit të Bolivisë ndaj kultivimit të bimës “coca bush”. Meqë ajo është bimë e fortë që e varfëron tokën, Kryeministri i këtij vendi shpall çdo vit planin e qarkullimit bujqësor, cili rajon do të mbjellë “coca bush” dhe cili jonxhë, tërfil apo bimë të tjera që e pasurojnë tokën! Është e qartë se drejtuesit e shetit të Bolivisë ka vendosur që ai të mbetet akoma një narko-shtet.

Cilat janë pasojat e një zgjedhje të tillë? Sipas analizës së të dhënave në Raportin e sipërcituar ka një lidhje të qartë narkotikëve me krimin e organizuar, flukset e paligjshëme të parasë, korrupsionin dhe terrorizmin: ato ushqejnë dhe fuqizojnë njëri tjetrin.

Kur ka treg

Ndër gjetjet e Raportit do të veçonim që thotë: “miliarda dollarë kalojnë çdo vit nëpër duart e organizatave trafikante dhe ajo që bëjnë ata me këto para mund të ketë një impakt kolosal mbi ekonomitë lokale dhe më gjërë. Ata mund të kontrabandojnë parà cash jashtë vendit të tyre, të blejnë

apo ndërtojnë prona të palujtëshme, të investojnë në restaurante apo kazino me qëllim pastrimin e parave, apo t’i depozitojnë fitimet e tyre në qendrat financiare offshore.Në varësi nga metoda që ata zgjedhin, çmimet e pronave mund të deformohen, konkurenca e pandershëme të lulëzojë, bizneset e rregullta të dalin nga tregu me turma, korrupsioni të fryhet, ndërsa klima e tërheqjes së investimeve të përkeqësohet, duke gërryer zotërimin e ligjit dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Me shqetësimin për rreziqet që i kanosen sipërmarrjeve private shqiptare, por edhe qytetarëve të punësuar tek to, Dhoma do të veçonte nga Raporti tabelën që tregon tregon sektorë ku krimi i organizuar mund të investojë fitimet e tij:Sektor ku krimi i i organizuar mund te investoje fitimet e tij

Meqë rezulton që 30% deri në 50% e parasë së dogës ndjek rrugën e pastrimit, pra të legalizimit të saj nëpërmet biznesit, Raporti denoncon disa mënyra të mundshme të këtij operacioni, si

  • Lëvizja e parasë cash, duke përfshirë kontabandën dhe fshehjen e saj për një farë kohe
  • Hawala, një sistem i paligjshëm i transferimit të parasë
  • Blerja e pronave të palujtëshme dhe veprimtaritë ndërtuese të lidhura me to
  • Investimi në aktivitete që gjenerojnë cash, si restaurantet, kazinotë, qendrat e dëfrimit dritëkuqe, pikat e karburanteve dhe të gazit
  • Blerja e sendeve të luksit, si vila, jahte, xhevaire
  • Investimi në qendra offshore

Përse duhet të thellohemi në detaje mbi pasojat e drogës si aktivitet, kur ka treg të mirë për të? Në të vërtetë, aktiviteti i drogës në ekonomitë e SHBA apo në vendet e BE nuk arrin më shumë se 0.8% e GDP (nxjerrë nga Raporti), kur shitja e drogës në ekonominë e Afganistanit në kohën e sundimit taleban arrinte të kapë edhe 16% të GDP. Mirëpo, në rast se shifra prej 1.3 miliard €, si parà e drogës që ka hyrë në Shqipëri, është qoftë edhe përafërsisht e saktë, atëhere duhet të alarmohet i madh dhe i vogël: shitja e drogës ka dhënë gati 13% të GDP së vendit tonë, për vitin 2016! Tabela e mëposhtëme, e nxjerrë sërish nga Raporti, i jep shumë të drejtë këtij alarmi, sepse tregon që vendi ynë zë vende të para në tregtimin e narkotikëve, “të butë” apo “të fortë” qofshin ato.

Krimi i organizuar ne tregjet Europiane

Për më tepër, ne kemi një histori të shëmtuar të përshtatjes me të keqen. Sa herë që është shfaqur ndonjë treg “i leverdisëshëm”, ne jemi futur në të, edhe pse ai ka qenë i paligjshëm. Mjafton të kujtojmë vazhdimin e kontrabandës së cigareve në vitin ’92, në kalatën zero të portit të Durrësit, trafikun e emigrantëve klandestinë me skafe deri në vitin 2001, të cilët mblidheshin dhe shpërndaheshin nga policia e shtetit në dhe nga kalata zero e portit Durrës, piramidat, ku paratë e “pastra” të shqiptarëve transportoheshin me furgone, drejt një banke të huaj, të shoqëruara nga policia e shtetit, tregtia e armëve të rrëmbyera gjatë trazirave së ’97, Lazaratin famëkeq, që tregtonte kanabisin nën hundën e policisë së shtetit, dilagimin e mbjelljes së kanabisit në gjithë bashkitë e vendit gjatë viteve 2015 – 16, këtë radhë jo e eksportuar si bimë medicinale, siç ndodhte në vitet e diktaturës, por edhe pastrimin e parasë “ së pistë” deri ditët e sotme. Këto tregti të paligjshme duhen dënuar nga të gjithë, qytetarë, pushtetarë, deputetë, gjyqtarë e prokurorë, sepse vetë i kemi lejuar. Kemi praktikuar “omertanë”, kodin e mafias, me justifikimin që ka treg jashtë, ndërsa ne shqiptarët jemi akoma shumë të varfër! Kemi larë duart si të pafajshëm, me pretekstin “hë, se është shteti brënda”!

Edhe me rritjen e GDP nuk kemi pse të mburremi. Analiza e formulës: GDP = C + I + G + Netexport jep mundësinë të kuptojmë pse është rritur GDP, pra mirëqënia. Formula tregon qartë se është rritur C (konsumi) dhe ndoshta I (Investimet private), sepse G (investimet publike) dhe Netexport (diferenca ndërmjet eksporteve dhe importeve) nuk kanë ndonjë rritje të ndjeshme. Kjo analizë thjesht dëshmon përdorimin e madh të parasë së drogës për mallra konsumi dhe hedhjen e saj në disa investime.

Po cila është rruga e daljes nga ky tunel i errët?

Në librin e tij “Frika dhe shpresa”, Giulio Tremonti i bënte thirrje biznesit të largohet nga “merkatizmi”, dëshira për të fituar me çdo kusht dhe nga çdo treg. Kjo thirrje na tingëllon shumë e kohës për sipërmarrjen shqiptare. Nuk mund të lemë pa përmendur faktin që Tremonti e shihte shpresën në kthimin e shoqërisë tek vlerat tradicionale, si familja, feja origjinare, puna, besa. Kjo e fundit, e kuptuar si repektim i plotë i fjalës së dhënë, i një kontrate çfarëdo midis dy palëve dhe sidomos i kontratës së shtetit me qytetarët e tij.

Reforma në drejtësi dhe “vettingu” po pranohen nga të gjithë si dy nga proçeset e domosdoshme për pastrimin e shoqërisë shqiptare nga “e liga”. E para duhet të na sigurojë një drejtësi të spastruar nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të pavarur nga politika, si dhe me një organizim të plotë të gjitha organeve të larta të sistemit tone të drejtësisë. Ndërkaq, vettingu po kuptohet nga të gjithë si një proçes që ndëshkon këdo që ka krijuar pasuri të paligjshme, poltikan, administrator publik, punonjes i policisë së shtetit, biznesmen apo qytetar, qoftë ai. Ndihma e specialistëve të huaj, ngritja e Task Force speciale për gjurmimin e parasë apo pasurisë së pistë”, i cili po fillon me kontrollin e llogarive bankare, japin mjaft shpresa për shërimin e shoqërisë sonë nga “e keqja”, duke e inkurajuar atë të heqë dorë përfundimisht nga “omerta-ja” e fëlliqur.

Natyrisht, ky katarsis kombëtar kërkon rolin vendimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve profesionistë me integritet dhe tepër kurajozë. Prandaj, në këtë prelud historik për Shqipërinë e fëmijve tanë, merr kuptim të plotë fjala thirrëse e Papa Françeskut: “ Në këto kohë të vështira kemi nevojë për ëndërrimtarë”. E kundërta e kësaj rreze shprese do të ishte pajtimi me këtë gjendje të mjeruar dhe fërkimi i duarve me nëntekstin, kur ka treg…