Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon

Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon
1 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Gjashtë artikujt e risjellë në vijim shprehin publikisht “zërin” e Dhomës për çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, por edhe të qarkut Durrës. Për to ka pasur mjaft reagime pozitive dhe mbështetëse, sikundër edhe shumë heshtje. Në të vërtetë, shumë nga çështjet e ngritura në këto artikuj kanë vlerë, edhe pse ato kanë mbetur akoma probleme të pazgjidhura përfundimisht.

  • Veliera

Një vendim i Gjykats Durrës ka prerë përfundimisht vrullin e punimeve për objektin “Veliera”, me argumentin se cënohet trashëgimia kulturore, një pjesë e të cilave janë tashmë të zbuluara. Rezultati është katastrofik: janë shpenzuar rreth 6 milion euro për të ndërtuar një mbikalim me lartësi të krahasueshme me Torren, është prishur sheshi i pritjes së autobuzave me turistë të huaj si dhe një lulishte e bukur, ndërsa qytetarët përsëri ua ndërpresin rrugën makinave për të kaluar tek Lungomare. Vendimi në mbështetje të padisë së shoqërisë civile ka lënë velierën pa mundësinë për dy këmbët e tjera mbështetëse, duke vënë në dyshim te gjithë vizionin zhvillues të mbështetur aq fort nga kryebashkiaku Dako dhe nga qeveria, si një nga projektet e saj të Rilindjes urbane.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 2, Artikulli 2

https://staging.ccidr.al/veliera/

Made in Albania, krejtësisht i mundur

A mundet të jemi konkurrues në tregun global për veshjet dhe produktet e lëkurës, të cilat deri më sot i prodhojmë pothuaj vetëm me regjimin fason?

Në 2016, destinacionet kryesore kanë qenë pothuajse tërësisht ato europiane, me një vet-orientim pragmatik drejt Gjermanisë, si pasojë e rënies së shitjeve në Greqi e Itali. Një gjë është tepër e qartë, beteja për cilësinë e ulët, për veshjet pa një brand-name është e humbur: ato do t´i prodhojnë aziatikët, jo ne. Prandaj vëmendja duhet drejtuar tek cilësia e mesme dhe e lartë, tek markat me emër, shqiptare apo të huaja.

Scianni, menaxher i shoqërisë “lebelleforme”, projektuese e koleksioneve të plota të veshjeve për burra, gra dhe fëmijë, sugjeron: “Ka shumë rëndësi projekti përgatitor mbi stilin dhe komunikimin. Pra, duhet të përgatisni një grup prej 10-15 firmash për t´i paraqitur në tregun ndërkombëtar. Mund ta bëjmë këtë së bashku, ashtu siç e kemi bërë tashmë me Kinën. Atje, 15 vjet më parë kishte vetëm fasonistë, ndërsa sot, ne me ata kemi krijuar marka vendase”.

Krijimi i një marke të re, të prodhuar dhe menaxhuar plotësisht nga ata vetë, duket se është tendenca e fundit që ka përfshirë disa sipërmarrës të fasonit në vend. Shkaku kryesor është rritja e fitimeve vetiake, nëse kalohet drejt një sistemi të tillë. Kompanitë jo vetëm kryejnë të gjithë ciklin, që nga blerja e pëlhurës, dizenjimi, prerja e qepja, por edhe vendosin çmimin përfundimtar në treg, duke përcaktuar vetë marzhin e fitimeve. Kompanitë e fasonit kanë sot një normë fitimi mesatare prej 8%, ndërsa me markën personale norma rritet në 20-25%. Në Durrës, nga kompanitë “Naber”, “Ambra”, “Stela”, “Blead” e ndonjë tjetër, të cilat kanë investuar në makineri dhe për kualifikimin e burimeve njerëzore, mund të presim produktet e para shqiptare

Me këtë premisë, për një periudhë deri 10 vjeçare, do të prisnim që edhe mbështetja e qeverisë të përqëndrohej në dy drejtime kryesore. I pari është kualifikimi i burimeve njerëzore të këtij sektori për teknikat e prodhimit, modelimet dhe stilet, marketingun dhe e-commerce. Stimulimi i kurseve, qendrave dhe shkollave private apo publike të formimit profesional dhe menaxherial është i domosdoshëm për qëllimin. Po aq i rëndësishëm duhet të jetë dhe promovimi i kapaciteteve prodhuese të sektorit me anë të ekspozitave dhe panaireve kombëtare dhe ndërkombëtare, me fonde të AIDA si dhe të donatorëve të huaj apo vendas. Projekte të financuara nga BE me partner lider shqiptar duhen mbështetur fuqishëm për këtë qëllim të dytë. Ndryshe, gjykojmë se paketa e dyfishtë “kualifikim + promovim” mund të ishte fitimtare për sektorin “façon”.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 6, Artikulli 1

https://staging.ccidr.al/made-albania-krejtesisht-mundur/

  • Rritja e taksave nxit evazionin

“Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët”. Kështu deklarojnw jo zyrtarisht shumica e personave me paga të larta. Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Që nga viti 2014 Shqipëria anuloi taksën e sheshtë 10% të tatimit mbi të ardhurat dhe zbatoi tatimin mbi të ardhurat progresive prej 13% për të ardhurat mes 220 dhe 950 euro, si dhe një tatim i të ardhurave prej 23% e të punësuarve me të ardhura më të mëdha se 950 euro. Tatimi progresiv i të ardhurave është një barrë shtesë e taksave, që mund të nxisë punonjësit me të ardhura më të larta, të kenë një qëndrim negativ ndaj formalizimit të bizneseve, të cilat nga ana tjetër mund t’i detyrojnë ato që të kërkojnë mënyra se si të shmangin e të mos deklarojnë aktivitetin e tyre ose masa të tjera për të shmangur pagimin e taksave, pavarësisht se i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.

Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, 10%). Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 10, Artikulli 6

  • Një biznes, një llogari me shtetin

Kjo është një nga kërkesat që Dhoma i ka drejtuar Qeverisë që në majin e vitit të kaluar, në mbrojtje të interesave dhe rritjes së aftësive konkurruese të biznesit operues në Qarkun Durrës, por edhe më gjerë.

Tre do të ishin çështjet kryesore që u shtjelluan në këtë seminar nga Z. Artur Papajani dhe Z. Eduart Gjokutaj, dy nga specialistët më të njohur në vend për TVSH:

  • Një historik i përgjithshëm i zhvillimit të kësaj takse në Shqipëri dhe i proçedurave tatimore në veçanti
  • Mundësitë e rimbursimit automatik të TVSH dhe përdorimi i kredisë së saj për shlyerjen e detyrimeve të tjera sipas parimit: “një biznes – një llogari me shtetin”
  • Mundësitë e shkallëzimit të TVSH në 4 nivele, sipas produkteve dhe sektorëve ekonomikë në Shqipëri, duke u nisur nga përvoja rajonale dhe europian.

Si rezultat i realizimit të këtyre dy ndryshimeve rrënjësore, do të kishim një rritje të aftësive likuiduese të bizneseve. Vërtetë, shteti do të arkëtojë më pak në buxhet nga TVSH. Por, paratë e kursyera nga subjektet dhe konsumatorët shqiptarë do të investoheshin apo konsumoheshin në drejtime të tjera, që përkthehen në punësime të reja apo të ardhura të tjera edhe për vetë shtetin!

Meqë kërkesat e një Dhome nuk mjaftojnë për të “bindur” qeverinë për këtë vizion, duhet të krijohet një grupim biznesor i Dhomave dhe Shoqatave, për të mbështetur kërkesat e komunitetit shqiptar të biznesit ndaj Qeverisë dhe Kuvendit, për rimbursimin automatik dhe shkallëzimin e TVSH. Ndryshe, forcat politike do të kenë edhe një here rastin të tregojnë se janë “pro biznes” dhe po ashtu që duan t’u japin qytetarëve shqiptarë mundësinë për një kosto jetese më të lirë. Dhe për këto synime mjafton që një biznes të ketë vetëm një llogari me shtetin!

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 14, Artikulli 2

https://staging.ccidr.al/nje-biznes-nje-llogari-shtetin/

  • Porti i peshkimit, më në fund i peshkatarëve

Marrja në përdorim e Portit të Peshkimit në Durrës nga organizata e peshkatarëve ka shfaqur dy probleme të rëndësishme:

  1. Ku do të strehohen jahtet, kur Shqipëria ka vetëm një port për to në Orikum? Sot kemi rreth 400 mjete shqiptare të lundrimit sportiv (pleasure boats), të cilat asnjëri nuk di ku ankorohen ato në dimër.
  2. Sa efektiv është investimi 15 milion dollarësh, për realizimin e funksioneve kryesore, për të cilat kanë nevojë anijet e peshkimit?

Pyetja e dytë ka shumë vend, sepse plani i zbatimit ndryshon së tepërmi nga projekti fillestar danez.  Kështu:

  • Praktikat e para të lëvizjeve kanë treguar që hyrja e portit duhet zgjeruar
  • Në dy anët e gjysmës së basenit nuk mund të ankorohet: atje janë hedhur një sasi e madhe gurësh jo vetëm pa funksion, por që pengojnë dyfishimin e kapacitetit të portit!
  • Në port është ndërtuar edhe Tregu i Peshkut (Merkato Itico). Por, pronarët e anijeve pretendojnë që sipërfaqa e tregut duhet dhe mund të dyfishohet, ndërsa qelat frigorike të zgjerohen duke i bashkuar dy e nga dy.
  • Furnizmi me karburant sigurohet nga një pikë e posaçme, me çmim pa akcizë dhe asnjë taksë tjetër. Njihet tashmë kërkesa e OMP për heqjen e TVSH për naftën, ashtu si është vepruar në vendet fqinje të rajonit (Kroaci, Itali, Greqi).
  • Hapsira për Kantjerin e Riparimeve është sot nën ujë.

Siç mund të kuptohet lehtë, investimet në portin e peshkimit janë mbyllur dhe dorëzuar, por nuk kanë përfunduar, sepse është ndërtuar alla shqiptarshe!

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 18, Artikulli 2

https://staging.ccidr.al/porti-peshkimit-ne-fund-peshkatareve/

  • Nafta dhe tolli

Fjala “toll” është dëgjuar shumë herë kohët e fundit, për të mirë apo për të keq. Megjithatë, kjo fjalë, disi e re për veshin tonë, na bëri të kujtohemi që rrugët e ndërtuara duhen edhe mirëmbajtur, punë e cila duhet paguar. Po kush duhet të paguajë dhe sa? Këto dy pyetje u shtruan publikisht për rrugën më të rëndësishme të vendit tonë, Rrugën e Kombit.

Qeveria ka nënshkruar një kontratë koncensionare për mirëmbajtjen e kësaj rruge si dhe po investon nga fondet e veta dhe nga fondet e koncensionarit për përfundimin e rrugës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” do të mirëmbajë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit, që paguhen po nga qytetarët. Segmenti Milot-Morinë është 118 kilometër i gjatë dhe sa herë që qytetarët do të kalojnë në të me autoveturë, ata do të paguajnë 5 euro tek koncesionari privat. E thënë ndryshe, tarifa e kalimit në rrugën Milot Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër për autoveturat, ndërsa 22.5 euro për kamionët.

Për këtë situate, Dhoma e quan më me vend të shtrojë pyetjet: A duhet që qytetarët shqiptarë të paguajnë dy herë për të njëjtin funksion, njëherë me taksën e qarkullimit brenda çmimit të një litri naftë dhe së dyti me tarifën e tollit? A nuk janë antikushtetuese këto dy pagesa njëherësh? Ose ndryshe, a kemi arritur në momentin që ta çlirojmë çmimin e 1 litri naftë nga taksa e qarkullimit, për të zbatuar një studim që flè në sirtaret e qeverisë, i cili e shpie çmimin e saj në 0.95 €/litër, njëlloj sa vendet e tjera të rajonit? Llogaritë tregojnë që nëse taksa e qarkullimit, jashtë çmimit të 1 litri naftë do të caktohej mestarisht 40 euro, nga 540 mijë mjete në përdorim mblidhen rreth 22 milion euro, aq sa janë shpenzuar këtë vit për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve të vendit. Sigurisht mbetet pyetja: a duhen tollet? Llogjika të shpie në krijimin e një sistemi me tri komponentë: “fondi i posaçëm i rrugëve”, “tarifimi i ponderuar” dhe “PPP”.

Sipas konsulencës së huaj, tarifa e përballueshme nga familjet shqiptare duhet të caktohej 1 deri 2.5 euro për 100 km. Ky nivel mund të arrihej nëse tarifojmë në sistem: rruga Tiranë – Durrës apo rrugë rrugë të tjera, ku mund të vendosen tollet, rrihen shumë tepër se rruga Durrës – Kukës, por një mesatare e ponderuar do të ishte shumë më e ulët se 5 euro. E njëjta gjë për kamionët.

 

Të gjithë jemi në dijeni që opsionet e mësipërme janë studjuar dhe shqyrtohen akoma nga qeveria. Vendimi që do të merret është çështje zgjedhje. Ndërsa Dhoma, me propozimet e saj, e ka bërë zgjedhjen e saj: nafta dhe tolli shkojnë bashkë!

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 22, Artikulli 5

https://staging.ccidr.al/nafta-dhe-tolli/