Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon

Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon
1 Gazeta T&I Durrës Nr 27

Gjashtë artikujt e risjellë në vijim shprehin publikisht “zërin” e Dhomës për çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, por edhe të qarkut Durrës. Për to ka pasur mjaft reagime pozitive dhe mbështetëse, sikundër edhe shumë heshtje. Në të vërtetë, shumë nga çështjet e ngritura në këto artikuj kanë vlerë, edhe pse ato kanë mbetur akoma probleme të pazgjidhura përfundimisht.

  • Pse unë e di dhe nuk e di shteti

Lehtësimi i sipërmarrjes me anë të thjeshtimit të proçedurave fiskale, duke reformuar të gjithë mekanizmin e funksionimit, në raport me territorin ku zhvillohet ekonomia ishte argumenti qendror i mbledhjes së fundit të KEK. I ngjashëm me të ishte lajtmotivi i seminarit të 17 qershorit të organizuar nga Dhoma Durrës me agjencinë AIDA: grante shtetërore në mbështetje të promovimit të NVM-ve, akses falas në rrjetin EEN në favor të ekspasionit të sipërmarrjes shqiptare në tregun europian, programe të financuara nga BE me biznese shqiptare si partnere e mjaft të tilla si këto. Por, reagimi i një biznesi ndaj këtij vërshimi të mbështetjes nga shteti, është befasues: ““Në punën time si biznes prodhues shoh të dal çdo ditë jashtë loje në krahasim me kolegët e rajonit. Duke paguar 5 cent më shumë për çdo kwh për enegji, 5 cent më tepër për çdo litër naftë më pak cilësore, akcizë për produkte bazë jashtë listës, aksizë për birrën vendase të njëjtë me atë të importit, po bëhemi gjithnjë e më pak konkurrues me të ngjashmit tanë në Maqedoni, Malin e Zi, Serbi e në ndonjë vend tjetër pranë”. Dhe për rrjedhshmëri llogjike ndaj morisë së mbështetjeve vjen edhe pyetja e tij ngacmuese “Pse unë i di gjithë këto dhe shteti nuk i di”? Ndryshe, a duhet të studiohen më thellë në bashkëpunim me biznesin nevojat reale të tij, kur hartohen programet shtetërorë mbështetëse ndaj të bërit biznes në Shqipëri?

PSE UNË I DI DHE NUK I DI SHTETI?

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 3, Artikulli 8

http://ccidr.al/pse-une-di-dhe-nuk-di-shteti/

 

  • Kur mbetjet merren seriozisht

Histori e trajtimit ligjor të importimit të mbetjeve në vend është krejt origjinale shqiptare. Kemi forca politike që e mbështesin kur janë në pushtet dhe e kundërshtojnë kur janë në opozitë, ndërsa shoqëria civile gjithnjë kundër. Bile, nga shumë kundërshtues arrihet deri aty sa të pranohet që është më mirë të mos kemi një ligj që lejon importimin e mbetjeve krahas dënimit penalisht futjen e plehrave të rrezikshme, të cilat administrata “e keqe” mund të na i fusë në territorin shqiptar edhe pa ligj. Ndryshe, ky ligj si shumë të tjerë nuk sjell asnjë dobi, sepse ne nuk mund të ngremë një administatë profesioniste dhe me integritet, pra nuk mund të bëjmë dot shtet?!  Por, çfarë bëhet me trajtimin e mbetjeve në Italinë fqinje? Me anë të një dekreti ministror mbetjet e prodhimit duhen kualifikuar si nënprodukte dhe jo si mbeturina (plehra). Ato, mbetjet, kursejnë lëndën e parë, prandaj duhen konsideruar edhe ato si pasuri kombëtare. Duke i konsideruar mbetjet të lidhura natyrshëm me prodhimin, ato cilësohen si nënprodukte, të cilat mund të përdoren si lëndë e parë po në atë cikël apo dhe në cikle të tjera nga të tretë. Për të siguruar individualizimin e bizneseve që trajtojnë mbetjet si nënprodukte si dhe gjurmshmërinë e gjithë proçesit dhe transportimit deri tek destinacioni final, Rregullorja i detyron bizneset e përfshira të plotësojnë skedën teknike përkatëse dhe ta çertifikojnë tek Dhoma e Tregtisë së kompetencës territoriale. Pra, Shteti i ka deleguar sistemit të Dhomave të Tregtisë detyrën e monitorimit të manaxhimit të mbetjeve si nënprodukte! Një shembull kuptimplotë edhe për ne shqiptarët i përdorimit të mjeteve dhe institucioneve për të koordinuar dhe manaxhuar me efikasitet një veprimtari delikate si trajtimi i mbetjeve të prodhimit. Dhe po të saktësonim që kjo

Rregullore trajton jo vetëm mbetjet industriale, por edhe ato me origjinë shtazore dhe bimore, do

na bëhej më e qartë se çfarë do të thotë të merresh seriozisht me mbetjet!

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 7, Artikulli 7

http://ccidr.al/kur-mbetjet-merren-seriozisht/

  •  Çmimi i energjisë elektrike mund të ulet ndjeshëm

Konkluzioni që shprehet në titull është nxjerrë nga një seminar i Dhomës me specialistë të fushës. Ai bazohet në fakte të njohura, si: energjia prodhohet kryesisht nga uji, “borxhi i keq” (të rregulltit paguajnë edhe për konsumatorët që nuk paguajnë), fatura jo transparente lejon që diferenca ndërmjet kostos reale dhe çmimit final të jetë padrejtesisht shumë e lartë, tre operatorët e mëdhenj, OSHEE, KESH dhe OST të reshtohen në listën e dhjetë kompanive më fitimprurëse të vendit, etj. Prandaj Grupimi i Biznesit ka drejtuar tek ERE një kërkesë të argumentuar me shifra dhe fakte, për uljen e çmimit të energjisë edhe deri në 40%.  Kjo kërkesë synon edhe që nisja e proçesit të liberalizimit të tregut energjitik të bëhet me një çmim shumë më të ulët se ai i sotmi.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 11, Artikulli 1

http://ccidr.al/grupimi-biznesit-per-ere-n/

 

  • Të rejat nga Spitalla

Zona ekonomike e Spitallës ka qenë në qendër të vëmëndjes së Dhomës, gjithnjë në kuadër të misionit themelor të saj, promovimi i zhvillimit të territorit në qarkun Durrës. Disa dështime të tenderit për parkun industrial si dhe mjaft ndryshimeve të pronësisë në private, e kanë detyruar qeverinë e sotme të reduktojë sipërfaqen për zonën ekonomike në 101.2 ha. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë Durrës, e cila do të jepet në konçesion zhvilluesit me çmim 1 €, për një periudhë 99-vjeçare.

Në tenderin e zhvilluar së fundmi për rolin e zhvillesit morën pjesë kompania Edil Al-IT dhe grupi 3G (Pelikan, Best Konstruksion dhe Vëllezërit Hysa).

Kompania Edil Al-IT ofron një investim prej 89 milion €, për ndërtim stabilimentesh të industrisë së lehtë dhe të logjistikës, me 12 mijë vende të reja pune

Grupi 3G ofron një investim prej 38.9 milion € për një uzinë të pasurimit të ferrokromit, serra fotovoltaike për prodhim energjie të rinovueshme (20 ha) dhe stabilimente të logjistikës, me 2500 vende të reja pune.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, çuditërisht, ka renditur si ofertën e parë atë të kompanisë 3G. Rezultati është ankimuar nga ofertuesi i dytë në Prokurori dhe në Gjykatën Administrative. Si duket trualli i Spitallës është “dënuar” të mbetet i pazhvilluar.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 15, Artikulli 2

http://ccidr.al/tenderi-spitalle/

  •   Bujqësia kombëtare

Nëse  nuk përballojmë kuadratet e ngushta   të  rregullsisë, nuk do t’i shijojmë kurrë hapësirat  e lirisë”. Ky citim i Prof. Enver Isufi i shkon më së miri trendit të zhvillimit të bujqësisë shqiptare, që nga shkatërrimi i sistemit kooperativist e deri në ditët e sotme. Çuditërisht, dy periudhat e kundërta ngjasojnë me njëra tjetrën. Në sistemin kooperativist bujqësia ishte baza e ekonomisë, por fshatari merrte edhe 30 lekë për ditë pune. Në sistemin e sotëm kapitalist, bujqësia jep gati 18% të GDP, por merr mbrapsht nga buxheti i shtetit vetëm 2%. Më tej shtjellohen nivelet nëpër të cilat duhet të ngrihet sistemi manaxhues i bujqësisë shqiptare, me synim produktet bio dhe organike.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 19, Artikulli 8

http://ccidr.al/bujqesia-si-siguri-ushqimore-por-edhe-si-siguri-kombetare-1/

  •  Kapitali intelektual

Në ditët tona, dija ka më tepër vlerë sesa më parë, ka më fuqi sesa burimet natyrore dhe fizike. Kompanitë më të suksesshme janë ato që posedojnë më shumë dije dhe informacion dhe e përdorin atë në mënyrë efektive.

Gjatë viteve të fundit, kërkues shkencorë kanë zhvilluar modele për identifikimin dhe matjen e vlerës së aktiveve jomateriale, si elementë të kapitalit intelektual. Këto modele shërbejnë për të vlerësuar normën e kthimit të një kompanie ndaj gjithë kapitalit që posedon, duke ndihmuar për të shpjeguar dallimin midis vlerës në libra kontabël dhe vlerës së tregut. Modelet gjithashtu tregojnë se ku duhet të fokusojë vëmendjen menaxhimi i lartë për të rritur kapitalin intelektual të organizatës.

Dhoma e sheh vlerësimin e kapitalit intelektual te lidhur edhe me ngritjen dhe funksionimn e Bursës shqiptare. Kuotimi i kompanive shqiptare në ALSE (bursa e re) do të ishte edhe një  shpehje e guximit të zotërimit të një kapitali intelektual nga ana e tyre. Sepse është ky kapital, i cili tërheq investitorët e bursës drejt vlerësimit pozitiv të aksioneve këtyre kompanive.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 24, Artikulli 3

http://ccidr.al/kapitali-intelektual-avantazh-konkurues/