Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon

Kush (nuk) do (nuk) na dëgjon
1 Gazeta T&I Durrës Nr 25

U mbushën dy vjet që Dhoma shpërndan online gazetën e saj T&I Durrës. Kjo gazetë ka synuar, sigurisht, të përmbushë misionin themelor të Dhomës, promovimin e interesave të antarëve të saj, gjithnjë në harmoni me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të territorit të Qarkut Durrës, si edhe më gjerë. Me formulimin dhe artikulimin e këtyre interesave, kjo gazetë ka shprehur publikisht “zërin” e Dhomës, edhe pse ajo është shpërndarë dhe dërguar tek shumica e bizneseve tashmë të konsoliduara, operuese në Qarkun Durrës, tek të gjitha Dhomat publike dhe të huaja operuese në Shqipëri, tek organizatat më të njohura si përfaqësuese të biznesit shqiptar, tek të gjitha Ministritë dhe Institucionet Shtetërore, por edhe tek të gjitha Ambasadat dhe përfaqësitë e Institucioneve të huaja me seli në Tiranë. Për të, ka pasur mjaft reagime pozitive dhe mbështetëse, sikundër edhe shumë heshtje. Në të vërtetë, shumë nga çështjet e ngritura në këtë gazetë kanë mbetur akoma probleme të pazgjidhura përfundimisht. Duke njohur edhe evolimet përkatëse të derisotme, do të risjellim edhe një herë qëndrimet e Dhomës për disa nga çështjet më kryesore, me argumenta nga artikuj të saj, të renditura sipas kohës së botimit.

  • Përse kërkojmë antarësimin e detyruar

Miratimi nga Kuvendi i ligjit, i cili ringrinte sistemin e Dhomave publike me antarësim të detyruar, është kundërshtuar nga një dekret i Presidentit, bazuar kryesisht në një argumentim të çuditshëm: antarësimi i detyruar në Dhoma është “antikushtetues”. Ky paradoks juridik të shpie në përfundimin absurd që Gjermania, Franca, Italia, Hollanda, Austria e plot shtete të tjera, me Dhoma me antarësim të detyruar, janë, në lidhje me organizimin e sipërmarrjes private, më pak “kushtetuese” se Shqipëria!
Për Dhomën, çështja antarësim i detyruar apo vullnetar nuk ka asnjë lidhje me kushtetutën, sepse është vetëm një çështje zgjedhjeje. Qeverisë i duhet të vendosë nëse i nevojitet vendit një sistem Dhomash publike, duke argumentuar pse duhen Dhomat në këtë periudhë. Momentet e zhvillimeve integruese sjellin plot argumenta për këtë domosdoshmëri:
Përfaqësimi i sipërmarrjes private në dialogun me qeverinë për çështjet me interes të përbashkët (common) duhet t’i jepet sistemit të Dhomave. Ndërkaq, interesat e ngushta të kategorive të biznesit mund t’u lihen shoqatave përkatëse. Më saktë, Bashkimi i Dhomave të përfaqësojë sipërmarrjen shqiptare ndaj qeverisë qëndrore, ndërsa Dhomat rajonale ndaj qeversisë vendore (lokale).
Përfaqësimi i sipërmarrjes shqiptare ndaj atyre të huaja, organizimi i eventeve, panaireve dhe Forumeve ndërkombëtare është më i përshtatëshëm si detyrë për sistemin e Dhomave.
Arsimi dhe formimi profesional, është një detyrë që shteti duhet t’ia delegojë sistemit të Dhomave, si në Gjermani, Austri e gjetkë.
Diskutime të shumta ka sjellë ka sjellë raporti ndërmjet Dhomave publike dhe shoqatave. Edhe për këtë rast mund të merret modeli i vendeve që kanë zgjedhur të punojnë me sistemin e Dhomave publike. Çdo shoqatë zgjedh brenda saj përfaqësuesit në asamblenë e Dhomës, e cila shpallet nga një autoritet shtetëror. Kjo asamble e krijuar nga shoqatat, zgjedh presidentin e Dhomës, duke i dhënë asaj identitetin ligjor të “ombrellës” së sipërmarrjes, Dhoma në rang qarku apo Bashkimi i Dhomave në rang vendi. Në veçanti, pjesmarrja e Dhomave të huaja në sistem është një detaj që zgjidhet lehtësisht. Përmbledhtas, pritet që qeveria ta kapërxejë ngërçin e krijuar nga dekreti i sipërcituar dhe të votojë ligjin për ringritjen e sistemit të Dhomave publike, me antarësim të detyruar.
Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 1, Artikulli 9

https://staging.ccidr.al/perse-kerkojme-antarsimin-e-detyruar/

  • Sytë tek çmimet

Të gjithë bizneset dhe qytetarët shqiptarë intuitivisht e kanë kapur thelbin e dyfishtë të veprimtarisë së tyre jetësore: si konsumatorë janë të interesuar për çmime të ulta, por si operatorë për çmime të larta, që të ketë më tepër vlerë puna e tyre. Po çfarë është mirë të ndodhë me çmimet? Inflacionin e lartë e quajnë “bishë e zezë”, sepse shtrenjton jetën dhe zhvlerëson kursimet e shtresave më të dobëta të shoqërisë, por deflacionin një “përbindësh”, sepse heq vetë burimet e jetesës, bizneset dhe vendet e punës. Sipas Keynes: “Inflacioni është i padrejtë, ndërsa deflacioni i dëmshëm. Nga të dy, ndoshta deflacioni është më i keqi. Është më keq, që në një botë të varfëruar të provokosh papunësinë se sa të deluzionosh kursimtarin”.

Sa më sipër vlejnë edhe për situatën e sotme ekonomike në vendin tonë, sepse këto 15 vitet e fundit inflacioni ka pësuar rënien më të madhe, me vetëm 0.2%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e konsideron këtë shifër shenjë , por jo plotësisht deflacion.  Ndërkohë studjuesit dhe profesionistët e botës monetare sugjerojnë disa masa që Banka e Shqipërisë duhet të marrë edhe në bashkëpunim me Qeverinë për të parandaluar ardhjen e deflacionit. Rritja e ofertës së parasë, nxitja e punësimit, rritja e pagave dhe pensioneve, rikonsiderimi i sistemit të taksave direkte dhe indirekte, studimi i avantazheve të politikave monetare të SHBA ndaj atyre të BE dhe i mundësisë së zbatimit të tyre  për vendin tonë, do të ishin disa prej tyre. Ndërkaq, qytetarët e thjeshtë mund ta kuptojnë vetëm nga “semaforët” se çfarë po ndodh me ekonominë. Prandaj, sytë tek çmimet…

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 5, Artikulli 8

https://staging.ccidr.al/syte-tek-cmimet/

  • Pozicionim

Misioni parësor i Dhomës është promovimi i sipërmarrjes së lirë, si premisa themelore e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të territorit të Qarkut Durrës, por edhe më gjerë. Por, gjatë veprimtarisë së saj mbi 20 vjeçare është konstatuar që ky promovim bëhet i suksesëshëm vetëm po të ngrihen marëdhënie korrekte ndërmjet Shtetit dhe Sipërmarrjes në tërësi. Modeli i zgjedhur, është marrë nga “Akti për Biznesin e Vogël” (Small Business Act) për Europën. Në frymën e tij, Dhoma ka formuluar këtë dokument, të quajtur “Pozicionim”, me besimin në kontributin e të gjithë të interesuarve për përmirësimin dhe plotësimin e tij. Thelbi i dokumentit janë 6 parimet e mëposhtme:

1) Krijimi i një ambjenti të ngrohtë e gjithnjë miqësor, ku sipërmarrjet të mund të lulëzojnë, ku sipërmarrja private të ketë vlerësim pozitiv të veçantë

2) Zvogëlimi i mëtejshëm i pengesave administrative dhe burokratike

3) Forcimi i një administrate publike në shërbim të NVM-ve, e përgjegjëshme për të

thjeshtuar veprimtarinë e tyre sa më shumë që është e mundur

4) Rritja e aftësive likuiduese të NVM-ve

5) Rritja e aftësive konkurruese të NVM-ve në nivel rajonal dhe ulja e kostove të të bërit

biznes

6) Mbështetja e aftësimit menaxhues të NVM-ve, veçanërisht në drejtim të rinovimit teknologjik dhe përfshirjes në tregun global

Parimet e renditura më sipër janë zbërthyer në detaje, dy pej të cilëve paraqiten në vijim:

  • ngritja e një dialogu konstruktiv të përhershëm ndërmjet ligjbërësve dhe ligjvënësve me komunitetin e sipërmarrësve, që garanton konsultimin me ta në jo më pak se 8 javë kohë, për çdo propozim ligjor apo administrativ që ka impakt mbi sipërmarrjen
  • fiksimi që në fillim të vitit i datës së hyrjes në fuqi të ligjeve dhe rregullave të reja për sipërmarrjen dhe publikimi i përmbledhjeve të tyre vjetore

Dhoma, ka besim të plotë se ky “Pozicionim” do të mirëpritet dhe do t’i bëhet jehonë nga liderët politikë, administrata publike dhe mediat.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 9, Artikulli 2

https://staging.ccidr.al/pozicionim-sipermarrja-dhe-shteti/

  • Karburant më i lirë
  • Sipërmarrësit t’i kërkojnë qeverisë të ndryshojë tërësisht politikat e saj të taksimit të karburanteve
  • Taksat mbi çmimet e karburanteve janë shkaku që mijëra euro të “transferohen” në rajon, ku karburantet shiten shumë më lirë

Këto kanë qenë dy nga konkluzionet e një seminari të organizuar nga Dhoma, me synimin për të treguar rrugët për uljen e çmimit të karburanteve deri me 40%. Ky synim u justifikua nga analiza e përvojës së shteteve të ndryshme, se si ato tarifojnë çmimin e karburanteve, që fillojnë nga akciza, tatimi mbi vlerën e shtuar, taksat e qarkullimit dhe të regjistrimit të mjeteve, taksat e mjedisit, e deri tek tarifat lokale, si ato mjedisore, të mjeteve, etj. Në ndryshim me mjaft nga këto vende, tek ne këto taksa janë përfshirë prej disa vitesh në çmimin e një litri karburant. Mjafton të përmendet taksa e qarkullimit që arrin në 32 lekë për litër.

Diskutimet e pjesmarrësve vunë në dukje, po ashtu, që politika e sotme me çmimet e karburanteve u krijon kompanive shqiptare një disavantazh fillestar prej 400€ në krahasim me kompanitë maqedonase, për një transport nga Italia.

Thelbi i të gjitha propozimeve nga ky seminar mund të përmblidhej në kërkesën: të hiqen nga çmimi i karburanteve të gjitha taksat, ndikimi i të cilave rritet sipas kilometrazhit. Ato mund të mblidhen në momentin e kolaudimit të automjeteve. Një paketë propozimesh konkrete, në emër të grupimit të madh biznesor të Dhomave dhe Shoqatave, do të përdorej për të dialoguar me Ministrinë e Financave dhe atë të Energjisë si dhe me komisionet kuvendore, për të kërkuar ndryshimin e shpejtë të gjendjes. Një formulim i plotë i kërkesës për uljen e çmimit aktual deri në masën 40%, do t’u dërgohej edhe forcave politike, me shpresën që ato do të përfshinin në programet e tyre synimin për një karburant më të lirë edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, dialogu për këtë çështje kaq delikate nuk është zhvilluar as në momentin kur do të vendosej tolli për Rrugën e Kombit dhe nuk dihet as sot si do të vendoset për çmimin e karburanteve.

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 13, Artikulli 1

https://staging.ccidr.al/karburant-me-i-lire/

Kush do, na dëgjon; kush nuk do, nuk na dëgjon!

  • Kur ka treg…

Kemi një histori të shëmtuar të përshtatjes me të keqen. Sa herë që është shfaqur ndonjë treg “i leverdisshëm”, ne jemi futur në të, edhe pse ai ka qenë i paligjshëm. Mjafton të kujtojmë vazhdimin e kontrabandës së cigareve në vitin ’92, në kalatën zero të portit të Durrësit, trafikun e emigrantëve klandestinë me skafe deri në vitin 2001, të cilët mblidheshin dhe shpërndaheshin nga policia e shtetit në dhe nga kalata zero e portit Durrës, piramidat, ku paratë e “pastra” të shqiptarëve transportoheshin me furgone drejt një banke të huaj, të shoqëruara nga policia e shtetit, tregtia e armëve të rrëmbyera gjatë trazirave së ’97, Lazaratin famëkeq, që tregtonte kanabisin nën hundën e policisë së shtetit, dilagimin e mbjelljes së kanabisit në gjithë bashkitë e vendit gjatë viteve 2015 – 16 (këtë radhë jo e eksportuar si bimë medicinale, siç ndodhte në vitet e diktaturës), por edhe pastrimin e parasë “ së pistë” deri ditët e sotme. Këto tregti të paligjshme duhen dënuar nga të gjithë, qytetarë, pushtetarë, deputetë, gjyqtarë e prokurorë, sepse vetë i kemi lejuar. Kemi praktikuar “omertanë”, kodin e mafias, me justifikimin që ka treg jashtë, ndërsa ne shqiptarët jemi akoma shumë të varfër! Kemi larë duart si të pafajshëm, me pretekstin “hë, se është vetë shteti brenda”!

Sipas World Drugs Report 2017, 30 milion persona në varësi të drogave vuajnë sëmundje të rrezikshme për jetën nga përdorimi i tyre, ku kanabisi zë vendin e parë me 39%, opioid, vendin e dytë me 33% dhe kokaina, vendin e tretë me 10%. Për fat të mirë dhe të keq, në këtë raport përfshihet edhe Shqipëria. Për fat të mirë, sepse nga ky raport mund të marrim informacion mbi këtë problem me rëndësi të madhe për të sotmen dhe të ardhmen ekonomike, shoqërore dhe politike të vendit tonë. Për fat të keq, sepse asnjë institucion, agjensi shtetërore apo media në Shqipëri nuk ka dhënë deri më sot ndonjë informacion zyrtar mbi prodhimin në vend të narkotikëve apo konsumin e tyre, kurse vetë World Drugs Report, i përvitshëm në dy dekadat e fundit, as nuk njihet fare nga qytetari shqiptar.

Tronditës është qëndrimi i shtetit të Bolivisë ndaj kultivimit të bimës “coca bush”. Meqë ajo është bimë e fortë që e varfëron tokën, Kryeministri i këtij vendi shpall çdo vit planin e qarkullimit bujqësor, cili rajon do të mbjellë “coca bush” dhe cili jonxhë, tërfil apo bimë të tjera që e pasurojnë tokën! Është e qartë se Bolivia ka vendosur të jetë akoma një narko-shtet.

Cilat janë pasojat e një zgjedhje të tillë? Sipas analizës së të dhënave në Raportin e sipërcituar ka një lidhje të qartë të narkotikëve me krimin e organizuar, flukset e paligjshme të parasë, korrupsionin dhe terrorizmin: ato ushqejnë dhe fuqizojnë njëri tjetrin. Ndër gjetjet e Raportit do të veçonim: “miliarda dollarë kalojnë çdo vit nëpër duart e organizatave trafikante dhe ajo që bëjnë ata me këto para mund të ketë një impakt kolosal mbi ekonomitë lokale dhe më gjerë. Ata mund të kontrabandojnë parà cash jashtë vendit të tyre, të blejnë apo ndërtojnë prona të palujtëshme, të investojnë në restorante apo kazino me qëllim pastrimin e parave, apo t’i depozitojnë fitimet e tyre në qendrat financiare offshore. Në varësi nga metoda që ata zgjedhin, çmimet e pronave mund të deformohen, konkurenca e pandershme të lulëzojë, bizneset e rregullta të dalin nga tregu me turma, korrupsioni të fryhet, ndërsa klima e tërheqjes së investimeve të përkeqësohet, duke gërryer zotërimin e ligjit dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Përse duhet të thellohemi në detaje mbi pasojat e drogës si aktivitet, kur ka treg të mirë për të? Në të vërtetë, aktiviteti i drogës në ekonomitë e SHBA apo në vendet e BE nuk arrin më shumë se 0.8% e GDP, kur shitja e drogës në ekonominë e Afganistanit në kohën e sundimit taleban arrinte të kapë edhe 16% të GDP. Mirëpo, në rast se shifra prej 1.3 miliard €, si parà e drogës që ka hyrë në Shqipëri, është qoftë edhe përafërsisht e saktë, atëhere duhet të alarmohet i madh dhe i vogël: shitja e drogës ka dhënë gati 13% të GDP së vendit tonë, për vitin 2016!

Ndodhemi në një prelud historik për Shqipërinë e fëmijëve tanë, vetingu për politikën dhe gjyqësorin e korruptuar! Kur merr kuptim të plotë fjala thirrëse e Papa Françeskut: “ Në këto kohë të vështira kemi nevojë për ëndërrimtarë”. E kundërta e kësaj rreze shprese do të ishte pajtimi me këtë gjendje të mjeruar dhe fërkimi i duarve me nëntekstin, kur ka treg…

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 17, Artikulli 1

https://staging.ccidr.al/kur-ka-treg/

  • Inçenerimi pa diferencim, një vetëvrasje ekonomike dhe fizike

Ngritja e tre inçeneritorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë ka qenë kohët e fundit tema kryesore e diskutimit nga politika, media dhe sipërmarrja ricikluese. Meqë këto investime do të ishin me pasoja shumë të rënda për industrinë ricikluese, reagimet e tyre kanë qenë tepër të rrepta:

“Përballë një dështimi total të të gjitha politikave dhe afateve të deritanishme në manaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel qendror dhe lokal, duket qartë se ndërtimi i inçeneritorëve shihet nga të gjitha nivelet e administrates publike si zgjidhja e problemit! Ndërkohë që ne, si sipërmarrës të sektorit të riciklimit apo edhe si qytetarë, nuk dimë çfarë përgjigjesh do t’u jepen problematikave të mëdha që ka sjellë ndërtimi i inceneritorëve edhe në vendet e BE, ku ose nuk kanë marrë akoma zgjidhje, ose zgjidhjet kanë rezultuar me kosto shumë të larta për publikun. Ndryshe, nuk dimë çfare kostosh ka kjo “ngutje” me inçeneritorët për buxhetin e shtetit sot dhe çfarë barre financiare u lenë ato mbi supe brezave që do vijnë. Siç nuk dimë çfarë do ndodhë me proçesin e menaxhimit të mbetjeve, pas një deformimi që në lindje a pa lindur mirë të këtij procesi, i cili në vendet e BE është tashmë një realitet funksional dhe efiçent, por që për “specifikat e vendit”, rezulton i papërshtatshëm për Shqipërinë!

Instalimi i inceneritoreve në vend, sanksionon pa lindur akoma, vdekjen e proçesit të rekuperimit të mbetjeve në burim si dhe të të gjithë proçesit të manaxhimit të mbetjeve, duke qenë se po të zbatoheshin standartet europiane, nuk do kishte lëndë të parë të mjaftueshme për asnjërin nga proceset e ndërmjetme. E thënë ndryshe, nuk ka asnjë shans që me ngritjen e procesit të inçenerimit, pa ngritur akoma në këmbë procesin dhe sistemin e menaxhimit të mbetjeve, të mund të ketë mbetje të destinuara për ripërdorim, riciklim apo qoftë edhe për inçenerim në vazhdimësi. Në fakt, çdo mbetje me fuqi kalorifike, pavarësisht çfarë vlere ka nëse riciklohet a rekuperohet, është e destinuar të përfundojë në inçenerim afatshkurtër, duke thyer dhe rrënuar më pas çdo perspektivë të procesit në tërësi.

Nga analiza e specializuar e ricikluesëve rezulton që inçeneritori i Elbasanit do mund të djegë mbetje për një popullsi prej: 130,000 kg / 0.05 kg = 4,333,333 frymë, ose sa popullsia e Shqipërisë dhe e Maqedonisë të marra së bashku. Prandaj, vjen vetiu një pyetje sarkastike:

Pasi të djegin mbetjet e Ballkanit, me çfarë lënde të parë do të punonin dy inceneritorët e tjerë, në Fier dhe Tiranë?!

Në vijim jo pak pyetje vendimtare:

∙ A mundet që vendime kaq të rëndësishme për vendin sot, por mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve tanë, të ndërmerren pa një debat të hapur publik, pa një vlerësim të politikave nga një tryezë e gjerë me grupet e interesit, pa një analizë serioze ekonomike dhe ambjentale?

∙ A nuk është rasti, nisur nga fakti që për nga impakti ndaj shëndetit, ndaj riskut të konfliktit social dhe për nga pesha ekonomike që menaxhimi i mbetjeve ka në kuadrin e ekonomisë cirkulare, të vemë në këmbe sa më parë një strategji efikase të menaxhimit të mbetjeve, e administruar nga një Autoritet publik-privat, i cili të rregullojë dhe ekzekutojë të gjithë procesin, duke operuar në dy nivele, atë administrativ dhe atë operativ?

∙ A është rasti të përmbysim piramidën e menaxhimit të mbetjeve dhe të demolojmë industrinë vendase të riciklimit, duke e privuar atë nga lënda e parë e vlefshme dhe duke sjellë falimentimin e pashmangshëm të saj?

∙ A është rasti ta hedhim në anarki totale një proces kaq të veshtire dhe strategjik për vendin?

∙ A është rasti të bëjmë zgjedhje të tilla, kaq në kontrast me politikat e BE-së, të tilla që me siguri, në momentin e qasjes në BE, do duhet të rishikohen rrënjësisht, me dëme të pakalkulueshme për ne dhe për brezat që do të vijnë?

∙ A është rasti të bëjmë zgjedhje kaq irracionale, ndërkohë që sot, kur jemi në nivelet më të ulta të menaxhimit të mbetjeve? Sot mund të riciklojmë minimalisht 7% (ose 70 kg/frymë në vit) të sasisë, duke i dhënë një vlerë të shtuar minimale prej 700 €/Ton (çmimi në bursën ndërkombëtare i materialeve të ricikluara) nëpërmjet kthimit të saj në lëndë të parë dytësore, ndryshe e thëne duke rritur PBB, sepse: 0,07 Ton x 700€/Ton = 50 €. Pra, 50 € të ardhura për çdo Ton mbetje të prodhuar në vend, kundrejt 85 € të shpenzuara për inçenerim? Ose ndryshe akoma, si mund të optohet për vendime të tilla të cilat, në vend të të ardhurave për buxhetin e shtetit, sjellin humbje?”

Duket qartë se ka edhe shumë pyetje të tjera, sidomos për gazetarët investigative!

Referenca: Gazeta “T&I Durrës, Nr. 18 dhe 19, Artikulli 1 dhe Artikulli 3

https://staging.ccidr.al/incenerimi-pa-diferencim-nje-vetevrasje-ekonomike-dhe-fizike-1/

https://staging.ccidr.al/incenerimi-pa-diferencim-nje-vetevrasje-ekonomike-dhe-fizike-2/