Lajme shkurt

Informalitet i lartë, 2 miliardë euro jashtë bankave
Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar, një tregues direkt i nivelit të informalitetit në ekonomi, ka arritur në nivelet më të larta në tetë vjet, në 2017-n. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, jashtë kanaleve bankare në dhjetor qarkullonin 265 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë euro. Në vlerë absolute paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare është shtuar me gati 120 milionë euro në 2017-n. Ky është niveli më i lartë që nga 2009-a, kur u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar, për shkak të frikës që u shkaktua atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale.
Hyrja e parave nga kanalet informale dhe rënia e depozitave në lekë vitet e fundit, për shkak të interesave të ulëta janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Nga ana tjetër, 2017-a ishte një vit zgjedhor dhe gjithnjë në periudhat zgjedhore konstatohet një rritje e parasë jashtë bankave, për shkak të shpenzimeve të mëdha që kryhen në periudha zgjedhore. Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në të kundërt, paraja gjithsej në ekonomi (përfshirë depozitat pa afat, dhe me afat në lekë e valutë) ka shënuar në vitin 2017 rritjen më të ulët që nga viti 2005 kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat, duke u zgjeruar me vetëm 26 milionë euro. Teoritë ekonomike sugjerojnë se një rritje e fortë në paranë gjithsej në mënyrë tipike ul normat e interesit, që nga ana e vet gjeneron më shumë investime dhe vë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur shpenzimet. Bizneset reagojnë duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet. Fatkeqësisht kjo e fundit duket se po ndodh dhe në Shqipëri, siç e tregojnë qartë shifrat e Bankës së Shqipërisë.

Rritet ndërtimi, ja arsyet e rritjes
Sektori i ndërtimit i rrit me ritme dyshifrore vitin e kaluar, pas investimeve voluminoze në sektorin e banesave në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë dhe projekteve të mëdha të HEC-ve si dhe të gazsjellësit TAP.
Sipas të dhënave të INSTAT sektorit i ndërtimit u rrit më 2017 më 11.2 për qind. Ky ishte ritmi më i lartë i rritjes që nga viti 2002, kur sektori u zgjerua me 11.8%. Ndërtimi u rrit katër herë më shumë se, mesatarja e sektorëve të tjerë, duke u shndërruar sërish në motorin e rritjes ekonomike të vendit pas eksperimenteve gati dëshpëruese dhe pa rezultat të bizneseve shqiptare për t’u diversifikuar në linjat prodhuese, si bujqësia dhe industria. Mungesa e alternativave për investime dhe rritja e likuiditeteve prej prurjeve të turizmit, remitancave, por edhe ekonomisë informale i kanë nxitur edhe njëherë vrullshëm investimet në ndërtim, sidomos banesa.

Banka e Shqipërisë kërkon të mbrojë kredimarrësit
Këshilli i Mbikqyrjes i Bankës së Shqipërisë ka marrë së fundmi tre vendime, ku mes të tjerave janë edhe disa ndryshime në rregulloren ““Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”. Sipas njoftimit të BSH këto ndërhyrje konsistojnë në disa aspekte. “Ndryshimet e miratuara, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij” thuhet në njoftimin e Bankës.

Tre muaj, rreth 4 mijë biznese bëhen “pasive”
Në tre muajt e parë të vitit (nga 3 janari deri në 30 mars) kanë kaluar në status pasiv 3652 biznese, sipas listës së përditësuar nga tatimet të subjekteve me status pasiv në vend. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të ndjeshme me 45% të subjekteve të mbylluara.
Rritja e numrit të bizneseve të mbyllura lidhet me pasojat e krizës dhe formatimit të ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, çka po godet subjektet e vogla, por edhe me uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë
Nga disa sondazhe që kanë zhvilluar media të ndryshme, rezultoi se 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht. Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. Në tre muajt e parë të vitit, rrethi që ka pasur më shumë subjekte që kanë kaluar në status pasiv ishte Tirana, me 1302 biznese ose 35% të totalit. Kryeqyteti ka dhe numrin më të lartë që bizneseve që ushtrojnë aktivitet në vend, me rreth 40% të totalit. Më pas renditet Durrësi, me 489 subjekte të kaluara në status pasiv.