Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 25

Qeveria shqiptare “humbet” transparencën
Transparenca e qeverisë shqiptare është përkeqësuar këtë vit në krahasim me atë të kaluarin, jo vetëm me veten por edhe me fqinjët e tjerë rajonal. Në këtë përfundim arrin indeksi i transparencës për 2018-ën nga Instituti Metamorphosis.
Vendi ynë renditet i katërti ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Bosnje Hercegovina ka zbritur në vendin e 50-të, ndërkohë që Kosova ka zbritur në vendin e fundit. Shqipëria ka një indeks transparence në 54.92%, nga 57.95% të një viti më parë, thotë studimi në fjalë. Kjo do të thotë se, transparenca e qeverisë shqiptare është përkeqësuar, në krahasim me vitin e kaluar. Përkeqësimi, bindshëm më i vogël se të tjerët, ka bërë që në këtë drejtim vendi ynë të fitojë një pozicion në rajon, duke zbritur në vendin e katërt nga vendi i 5 i vitit të kaluar. Të dhënat janë mbledhur gjatë periudhës Dhjetor 2018-Shkurt 2018.

Banka e Shqipërisë ka ende “uri” për Euro
Banka e Shqipërisë do të vazhdojë ndërhyrjet në tregun valutor, për të mos lejuar mbiçmimin e lekut. Guvernatori Sejko, tha pak ditë më parë se ndërhyrja tashmë ka dhënë efektet pozitive dhe ka mundësuar një stabilizim të kursit mes euros dhe lekut, sidomos në dy javët e fundit. Sejko theksoi sërish se ndërhyrja në tregun valutor është një instrument i jashtëzakonshëm, që do të vazhdojë me kohë të kufizuar dhe vetëm në funksion të objektivit të inflacionit.
Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i kërkesës së brendshme po jep efekte pozitive, sidomos në indikatorët e tregut të punës. Guvernatori u shpreh optimist se përmirësimi i ekonomisë do të vazhdojë, i mbështetur, mes të tjerash, edhe nga normat e ulëta të interesit.
Sejko pranoi se ecuria e kreditimit të ekonomisë mbetet e ngadaltë, e kushtëzuar si nga kërkesa ende e dobët, ashtu edhe nga politikat e shtrënguara të kreditimit. Ai tha se bilancet e bankave janë përmirësuar ndjeshëm dhe ato duhet të jenë më aktive në plotësimin e nevojave të ekonomisë për financim.

  • Propozim tjetër për agropërpunimin

Paketa lehtësuese, e cila parashikon aplikimin e TVSH me 6% për shërbimin e akomodimit dhe restorantit në strukturat pritëse të certifikuara si agroturizëm, duhet të përfshijë edhe pijet e prodhuara prej tyre, qofshin këto alkoolike apo jo alkoolike”. Propozimi është bërë gjatë diskutimit në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave të projektligjit, nga deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi, e cila shtoi se kjo masë lehtësuese duhet të përfshijë vetëm pijet që konsumohen brenda këtyre strukturave.

Për këtë propozim, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Elton Haxhi tha se ai do të merret në shqyrtim nga dikasteri që përfaqëson, ndonëse shtoi se kjo lëvizje është e komplikuar.

Përveç reduktimit të TVSH-së nga 20 në 6%, paketa lehtësuese për agroturizimin parashikon uljen e tatim-fitimit nga 15% në 5% si dhe përjashtimin nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja.

Qeset plastike, mjedisi planifikon gjoba
Nga korriku, çdo subjekt që importon, prodhon apo tregton qese plastike të pariciklueshme, me trashësi nën 35 mikron, do të gjobitet nga 1 deri në 1.5 milion lekë. Ministria e Mjedisit u ka bërë edhe një herë apel subjekteve që të marrin masa për të mos qarkulluar më qese plastike të dëmshme për mjedisin, ndërsa rreth 70 kompani që në QKR kanë të regjistruar fjalën plastikë, do të jenë në sitën e kontrollit nga institucionet kompetente.
Ndërsa, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë kontrollet intensive në terren, duke u përqendruar më së shumti tek tatimpaguesit që janë prodhuesit kryesorë të këtyre qeseve.

Financat ndryshojnë ligjin për koncensionet
Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka gati ndryshimet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publiko privat”, nëpërmjet të cilit synon të rrisë kontrollin e saj gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të koncesionit/PPP, për të mbajtur nën kontroll angazhimet fiskale të marra nga Autoritetet Kontraktuese me qëllim minimizim e impaktit të tyre në buxhet.
Në relacionin shoqërues, dikasteri i Financave argumenton se këto ndryshime janë të domosdoshme për shkak se kontratat afatgjata të koncesioneve përmbajnë risqe buxhetore të shumta.
“Për të eliminuar çdo implikim të paparashikuar të Buxhetit të shtetit si rrjedhojë e angazhimeve financiare të pakontrolluara nga ana e Autoriteteve Kontraktuese dhe me qëllim që Ministria përgjegjëse për Financat të jetë në dijeni të të gjithë ecurisë së projekteve dhe kontratave të koncesionit/PPP, është e domosdoshme përfshirja në ligj edhe e parashikimeve mbi raportimin e ecurisë së këtyre kontratave”, thuhet ndër të tjera në relacion.
Gjithashtu, sipas ministrisë me anë të këtyre ndryshimeve synohet të rriten mundësitë e financimit të projekteve, duke garantuar për institucionet financiare mekanizma të zëvendësimit të konçesionarëve, të cilat rrisin besueshmërinë dhe ulin ndjeshëm riskun financiar të projekteve. Po ashtu, sipas Financave ndryshimi i kuadrit institucional i parashikuar në këtë projektligj do të sjellë përgatitjen me cilësi të studimit të fizibilitetit, i cili përbën thelbin e rezultateve dhe suksesit të një projekti koncesioni/PPP.

Shitet banka greke, e blen banka amerikane
Pas marrjes së aprovimit nga Banka e Shqipërisë, Banka Amerikane e Investimeve njoftoi mbylljen e suksesshme të transaksionit për blerjen e Bankës NBG Albania.
Banka NBG Albania operon në tregun shqiptar që prej vitit 1996 dhe është e njohur për kreditë inovative individuale. Banka ka një bazë të gjerë klientësh depozitues dhe shtrirje të rrjetit të degëve në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Kerameus & Partners, Athinë, Greqi veproi si konsulent ligjor i ABI në këtë transaksion.
Nga viti 1993, NCH Capital është një prej investitorëve më të mëdhenj rajonalë. Shoqëritë e administruara nga NCH operojnë në Shqipëri që prej vitit 2007. Në fushën e sektorit financiar dhe banker, NCH Capital ka një eksperiencë të gjatë në Rumani, Moldavi, Ukrainë, Letoni dhe Shqipëri.‎‎

Qeveria ka nevojë për gjysëm milion euro
Qeveria shqiptare po bëhet gati për emetimin e një eurobondi prej 500 milionë eurosh në disa tregje në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ku synon të tërheqë investitorë të rëndësishëm. Në dokumentet e zbardhura, qeveria konfirmon edhe parablerjen me tender të eurobondit ekzistues, të emetuar në vitet 2010 dhe 2015. Së fundmi, qeveria ka hapur procedurat për gjetjen e një firme ligjore të specializuar në dhënien e këshillimeve ligjore për emetimin e eurobondit. Firma që do të shërbejë si këshilltar ligjor duhet të ketë ekspertizë në ligjin anglez, çka mund të kuptojë se emetimi do të përqendrohet në bursat e Britanisë së Madhe.
Shërbimi i konsulencës ligjore pritet të kushtojë rreth 258 mijë euro. Emetimi i një eurobondi ishte lajmëruar që në projektbuxhetin e këtij viti dhe do të shërbejë për të shmangur kufizimet që burojnë nga kapaciteti i limituar i tregut të brendshëm, si dhe për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë, të cilat gjatë këtij viti janë rreth 20% më të larta se në vitin 2017.
Emetimi i këtij eurobondi të ri parashikohet të kryhet gjatë muajit Tetor të këtij viti, megjithëse kohëzgjatja e kontratës me konsulentin dhe synimi për listimin në disa tregje mund të nënkuptojë zgjatjen e këtij procesi.

• “Shfuqizohen” parqet eolike, vendos ERE
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi të shfuqizojë tre vendime të tij që i takojnë vitit 2008 dhe që sanksiononin liëensimin e subjekteve për ndërtimin e parqeve eolike në zonën e Kavajës, Llogorasë dhe Karaburunit. Vendimi i parë i shfuqizuar është ai i datës 6 gusht 2008 për licencimin e shoqërisë “Union Eolica Albania” sh.pk.në veprimtarinë e ndërtimit, instalimit dhe shfrytëzimit të çentraleve elektrike me erë, prodhimin e energjisë elektrike nga parqet eolike Kavajë.
“Referuar dispozitave të përgjithshme licencës pikës 1.2, kjo licencë hyn në fuqi brenda 36 muajsh, duke filluar që nga momenti i miratimit, për aktivitetin e ndërtimit dhe instalimit të centralit elektrik dhe për një periudhë prej 30 vjetësh, për prodhimin e energjisë elektrike. Subjekti nuk ka shprehur, si dhe nuk ka paraqitur kërkesë në ERE për zgjatjen e afatit të periudhës së ndërtimit prej nga momenti i licencimit, siç parashikuar në pikën 9.1 të licencës dhe nenin 24 pika 3 e VKM, nr.1701, datë 17.12.2008 “Për miratimin e rregullores për dhënien e autorizimeve, për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese të energjisë që nuk janë objekt koncesion” thuhet në vendimin e ERE.
Subjekti i dytë, të cilit i është hequr liçensa përmes shfuqizimit të vendimit që ka bërë ERE është ENPOWER Albania sh.p.k e cila do të instalonte parqe eolike në Karaburun dhe Llogara.
Vendimi i tretë ka sërish pjesë të saj nga kompania Enpower Albania sh.p.k por që shfuqizimi i tij lidhet me heqjen e liçencës që i ishte dhënë kompanisë për tregtimin e energjisë elektrike.