Lajmet shkurt

Lajmet shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 19

E vërtetë më 1 Prill!

Tatimpaguesit, me qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që kanë parashikuar një qarkullim të tillë gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).
Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale, për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda datës 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH;
Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë.
Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018.
Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH. Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e pare, kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.
Administrata Tatimore, sipas një njoftimi të saj, është në shërbim të sipërmarrjes në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02.
Ndryshimi i përgjëgjësisë tatimore mbështetet në ligjet përkatëse mbi TVSH si dhe në VKM nr.652, datë 10.11.2017.

Taksat e reja të 2018-s

Shqiptarët e nisin vitin 2018 me numërimin pas për 25 milionë euro që do të nxjerrin nga xhepat e tyre përgjatë gjithë vitit 2018, si taksa shtesë me paketën e fundit fiskale, ku peshën më të madhe do ta zërë taksa e rritur e pronës. Paketa fiskale u shoqërua me debate të gjata, por mes bilançit qytetarët apo biznesi, barra më e madhe bie mbi të parët. Të dytët, në disa sektorë si turizmi, teknologjia e informacionit, morën lehtësime të shumta.

 

Taksa e ndërtesës

Në faturën e dritave nuk do të paguhet vetëm energjia. Taksa e ndërtesës do të jetë e përfshirë në të këtë faturë, në kuadër të reformimit të saj, ku baza e llogaritjes dhe formula kanë ndryshuar. Duke filluar nga 1 prilli, tatimi mbi ndertesen tashmë ndryshon, nga vlerë fikse në % mbi vlerën e ndërtesës. Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, do jetë si më poshtë:
a) 0,05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;
b) 0,2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Nga kjo taksë përjashtohen disa kategori të konsideruara si vulnerable, por jo vetëm. Edhe hotelet me 5 yje që kanë status special nuk do ta paguajnë këtë taksë.

Tatimfitimi, zero tek turizmi dhe 5% tek IT

Hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10 vjeçare, nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10 vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Ndërkaq, për të gjithë ata që ushtojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softwearve tatimfitimi do të jetë 5%.

Akciza tek cigaret, ndryshime dhe tek furnizimi

Për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo nga sot nis aplikimi i një niveli të ri akcize. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro” Konkretisht, niveli i ri i akcizës së cigareve, u rrit nga 5750 lekë/1000 copë që ishte, në 5850 lekë/1000 copë. Paralelisht me këtë, tatimet kanë bërë me dije se ka ndryshime edhe tek pjesa që lidhet me furnizimin e cigareve. Në një udhëzim të veçantë është sqaruar me hollësi procedura e furnizimit dhe faturimit të të gjitha hallkave që nga furnizuesi kryesor deri te njësia e shitjes me pakicë të cigareve.
Në krahasim me udhëzimin e mëparshëm, ngarkohen të gjitha hallkat e rrjetit të furnizimit të cigareve për të deklaruar inventarin gjendje (stoku) brenda 5(pesë) ditëve punë nga aplikimi i çmimit të ri, me qëllim llogaritjen dhe pagesën e TVSH-së sipas çmimit të ri;

Përjashtime doganore

Nga 1 janari janë të paktën 60 produkte dhe kode të veçanta doganore që i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit, të cilave u zerohet tarifa doganore. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore tokë dhe pjesët e tyre.

Lajm i keq për industrinë

Industria shqiptare e nëntokës e nisi ringritjen vitin që sapo lamë pas, por me shumë gjasa kjo nuk do të vijojë më 2018. Banka Botërore parashikon që çmimet e xeherorëve të hekurit të ulen me 10 për qind këtë vit. Banka ka rishikuar me ulje çmimet e metaleve dhe hekurit, por ulja e tyre do të kompensohet disi me përqindje më të larta të çmimit për metalet bazë, veçanërisht për plumbin, nikelin dhe zinkun.
Banka tha se rishikimi me ulje i çmimeve të metaleve do të vijë për shkak të kërkesës më të vakët globale. Kërkesa e Kinës për metale parashikohet të ulet edhe më tej më 2018. Gjithashtu, teknologjia po avancon me zëvendësimin e metaleve me materiale të tjera.
Në parashikimet e reja të Bankës Botërore të tetorit referohet se çmimet e naftës pritet të rriten gjatë 2018-s, duke arritur nivelin e 56 USD për fuçi në vitin e ardhshëm, nga një mesatare prej 53 USD për fuçi në vitin 2017. Kjo, si pasojë e rritjes së kërkesës, uljes së prodhimit ndërmjet eksportuesve të naftës dhe stabilizimit të prodhimit të naftës në SHBA.

Ulja e tarifave, akoma jo!

Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë së fundmi një analizë të tregut të telefonisë fikse, duke pasur në fokus nismën e marrë disa vite më parë për reduktimin gradual të tarifave të terminimit të thirrjeve. Por, situata e tregut duket se e ka bërë institucionin të rishikojë planin për uljen e mëtejshme të tarifave, e cila parashikonte që në 1 janar 2018 t’i reduktonte me të paktën 46 për qind ato ekzistueset. Nga 1.29 lekë për minutë që është aktualisht tarifa, ajo pritej që të shkonte në 0.70 lekë për minutë në telefoninë fikse. Propozimin e ri AKEP e ka nxjerrë për konsultim publik. Autoriteti vlerëson se duhet të shtyhet aplikimi i reduktimit të parashikuar deri në afatin e përcaktuar në vendimet përkatëse që AKEP do të marrë pas këshillimit publik të dokumentit.