Lehtësime, më shumë për të mëdhenjtë

Lehtësime, më shumë për të mëdhenjtë
2 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Hotelet me katër dhe pesë yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10 vjeçare, nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Është ky propozim një nga nxitjet më të mëdha fiskale që qeveria ka vendosur që t’u japë investitorëve të ardhshëm në turizëm. Turizmi pa taksa, por vetëm për ata që s’kanë ardhur ende. “Përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024.

Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet nuk realizon fitim, shpjegohet në draft ligjin e kaluar në qeveri.
Po ashtu, për të gjithë ata që ushtrojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softëarve, tatimfitimi do të jetë 5%. Ndoshta, do të ishte mire që këtë lehtësim ta përfitonin edhe bizneset që merren me asemblimin e hardëareve. Ndërkaq, efekti negativ në buxhet, i këtyre dy masave lehtësuese, llogaritet 93 milion Lekë

Ndryshimet tek TVSH.

Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” propozohet të pësojë ndryshime në paketën 2018, ku parashikohet së pari vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Aktualisht, ky nivel TVSH-je ofrohet vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por, trajtimi i diferencuar do të bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH. Natyrisht, që hotelet e paisura me këto aksesorë duhet të nxitojnë të mësojnë si merret ky status special!

Drafti, gjithashtu, i hap rrugë ndryshimit që do të bëhet për futjen në regjimin e TVSH e biznesit të vogël me një prag 2 milion Lekë qarkullim. Qeveria nuk ka përcaktuar prag në këtë rast, por ka bërë ndryshimet që i hapin rrugë procesit. Kjo masë pritet të ketë një efekt 1.5 miliardë lekë në buxhet.

Pragu i TVSH do të fusi  në skemën e TVSH 11 mijë tatimpagues të rinj, ndërsa 61 mijë do të jenë të përjashtuar, ata që janë realisht të vegjël. Këtu mund të përmenden në zhargon: tezgat, zejtarët, apo bizneset realisht të vogla. Nga këto subjekte të reja në TVSH, rreth 50% janë në tregti, 35% në shërbime, 15% prodhues, ndërtim apo transport. Ky propozim shkon në linjë me formalizimin e mëtejshëm të biznesit, duke rritur mundësinë e monitorimit të zinxhirit të vlerës së shtuar. Në fakt, tani kemi një sistem IT modern që mundëson rritjen e eficiencës në administrim, pa rritur koston. A do të sjelli rritje çmimesh apo dhe kosto të për bizneset. Sipas ministrit Ahmetaj, do të ofrohet një “sistem i thjeshtuar deklarimi për fashën 2-5 milionë lekë, frekuencë 3-mujore e deklarimit dhe e pagesës së TVSH-së, shtim i shërbimit të tatimpaguesve për të asistuar këtë fashë biznesi, ndërsa edhe librat e shitjeve/blerjeve do të jenë mbi bazë gjithashtu 3-mujore”. Ndryshe, Qeveria shpreson që t’i japë një goditje të fortë shit-blerjeve pa faturë, meqë blerësit e vegjël do të do të jenë të interesuar ta marrin faturën, e cila u jep të drejtën e rimbursimit të TVSH. Kështu, del edhe një herë në pah vlera e kërkesës së Dhomës për rimbursimin automatik të TVSH, duke përdorur tepricën e TVSH për shlyerjen e çdo detyrimi tjetër ndaj shtetit të çdo biznesi që rezulton me kredi në llogarinë e tij të TVSH. Sigurisht, që shtohet puna e administratës fiskale për zbatimin e parimit “një biznes – një llogari me shtetin”, sepse në regjistrin e TVSH pritet të shtohen edhe 11 mijë biznese të tjera!

Nxitje propozohen nga Qeveria edhe për prodhuesit e softëare: 5% tatim fitimi propozohet për subjektet që prodhojnë softëare, si dhe përjashtimi nga TVSH i 93 kategorive të pajisjeve të ndryshme të përdorura nga IT.

Në kuadër të Paketës së Turizmit, meqë taksa e ndikimit në infrastrukturë rëndon drejtpërdrejt dhe paguhet që në fillim të investimit, Qeveria ka ndërrmarë incentiva lehtësuese me qëllim reduktimin e kostove të investitorëve në sektorin e turizmit, duke i përjashtuar ata nga pagimi i taksës së ndikimit në infrastukturë.

Përjashtimet doganore.

Përveç një shkalle të reduktuar për tatimfitimin, qeveria ka vendosur që të zerojë tarifën doganore për importin e mbi 60 produkteve me kode të veçanta doganore, të cilat i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore në tokë dhe pjesët e tyre.

Nuk do lemë pa përmendur edhe lehtësirat për sektorin e peshkimit: përjashtimi nga TVSH i 52 kategorive të pajisjeve dhe mjeteve të peshkimit.