Mjaft më vendeve të para për të keq!

Mjaft më vendeve të para për të keq!
1 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Ja vlen gjithnjë të përsërisim thënien e poetit Hajne: “I virtutshëm mund të jesh edhe tek pullë, ndërsa vesi i do të paktën dy veta”. Gjermani i famshëm mund të na ndihmonte të kuptojmë më thellë konstatimet vijuese mbi korrupsionin.

Shqipëria shënon në dy vitet e fundit nivelin më të lartë në rajon sa i përket pagesave korruptive, ndërsa një raport i BE-së pohon se korrupsioni është një shkak i lartë për informalitet në pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri.

Me anë të një anketimi të bërë me bizneset në rajon, Barometri i Ballkanit gjeti se, kompanitë në Shqipëri bëjnë pagesa korruptive për mospagesën e taksave më shumë se vendet e tjera në rajon.

Rreth 55% e bizneseve raportuan për 2017-n se bënë pagesa korruptive gjithmonë, ndonjëherë, ose vazhdimisht: 25% i tyre i bënin këto pagesa në mënyrë periodike, 5% e bizneseve kanë pohuar se gjithmonë u paguajnë tarifa korrupsioni inspektorëve të tatimeve dhe doganave, ndërsa 28% e tyre paguajnë ndonjëherë.

Në vitin 2016, sipas Barometrit të Ballkanit, situata ka qenë edhe më alarmante, pasi 70% e bizneseve në Shqipëri kanë pohuar se bënë pagesa korruptive ndaj punonjësve të administratës fiskale, gjithmonë, shpesh ose ndonjëherë.

Këshilli i Investimeve, në një anketim vitin e kaluar  mbi perceptimin e biznesit në lidhje me shkaqet që krijojnë qasje në informalitet, gjeti se 43% e bizneseve kanë thënë se ndikimi politik dhe korrupsioni e krijojnë informalitetin, ndërsa 39% e tyre janë përgjigjur se evazioni është nxitur nga mungesa e kapaciteteve në administratën tatimore dhe atë doganore.

Një pjesë tjetër e madhe e bizneseve, rreth 26%, mendojnë se evazioni është rezultat i taksave të larta. Më tej, bizneset mendojnë se faktorë të tillë si cilësia e dobët e legjislacionit, konkurrenca e pandershme dhe fragmentizimi i sistemit tatimor janë nxitës të informalitetit. Vlen të përsërisim këtu qëndrimin e Dhomës, e cila e lidh korrupsionin me gjobat e larta. Propozimi i saj për aplikimin e një gjobe vetëm prej 5% e detyrimit të shmangur, do të ishte një ligj i efektshëm, për të ulur përfshirjen në veprime korruptive si të biznesit ashtu dhe të administratës tatimore. Ndërkohë, duhet konsideruar thjesht një turp që mëse 20% e të ardhurave tatimore mbulohen nga gjobat!

Korrupsion

Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore. Por, ligji pajtohet me Hajnen, duke dënuar si marrësin ashtu dhe dhënësin e rryshfetit. Nëse vërtetë shumë më i fajshëm është inspektori që e kërkon rryshfetin, bizneset duhet dhe mund të bënin rezistencën e tyre për t’iu shmangur ngasjes për evazion. Ndryshe, do të mbesnim në lojën e fajësimit të palës tjetër si më shumë përfituese, por edhe ndër shtetet e para në listën e Barometrit për korrupsion. Ka ardhur koha që edhe ne shqiptarët të themi : “Mjaft më vendeve të para për të keq”!