Nisma e 100 fshatrave

Nisma e 100 fshatrave
3 Gazeta T&I Durrës Nr 21

Duke dashur t’i bëjmë jehonë dhe promovim nismës së re te Qeverisë të njohur më emrin “100 fshatrat”, kërkuam ndihmën e Prof.Ass.Dr.Enver Isufi, me një interpetim të tij të kësaj nisme. Me nje hyrje lakonike, zoti Isufi nis interpetimin e tij:

“Nuk ka qeveri që të mbështesë një zhvillim frontal të të gjitha zonave fshatare (rurale) të vendit. Për ta realizuar këtë do të duheshin fonde  të mëdha. Zhvillimi qëndrueshëm në çdo fushë  të ekonomisë përshpejtohet, kur krijohen modele zhvillimi  dhe kur këto modele përgjithësohen për t’u bërë të besueshëm dhe nxitës për t’u ndjekur nga  tjerët.

Ky është edhe koncepti i “100 fshatrave”, i prezantuar muajt e fundit nga Qeveria  shqiptare. Këto fshatra janë përcaktuar me një metodikë pune, e cila ka pikëzuar elementët ekonomikë, ekologjikë, historikë, infrastrukturorë, burimet njerëzore, etj.”

Në vazhdim, zoti Isufi shtron si pyetjen themelore: – Cilat elementë social-ekonomikë na duhet të zhvillojmë  në këto fshatra të përzgjedhura ? Per zhvillimin e këtyre 100 fshatrave, profesori përcakton e shtjellon 10 drejtime kryesore, në një gjuhë të kuptueshme për fermerët:

1.T’u jepet rrugë problemeve   të pronës.

Në këto fshatra duhet të jenë shpërndarë çertifikatat e pronave. Kjo realizohet kur të gjithë  ekspertët  e Bashkive, kadastrës, menaxhimit të territorit, specialistët të njesive vendore  të bëhen bashkë për të qartësuar çdo problematikë në ndarjen e tokave. Pra, duhet të fillojë një inspektim  si të atyre që i kanë marë  çertifikatat e pronësisë  ashtu edhe të atyre fermerëve që ende nuk e kanë çertifikatën e pronësisë. Problemi quhet i zgjidhur, kur asnjë pronar nuk ka pakënaqësi mbi pronën që ka marë.

2. Në këto fshatra të ngrihet sistemi i statistikave

Statistikat  ekonomike me të ardhurat direkte dhe jo direkte, të dhëna sociale, arsimore, numri i  njerzëve të emigruar, burimeve njerëzore me ndikim në zhvillimin e fshatrave, numri i  bagëtive, të pemtarisë, ullishtave e vreshtave, numri bizneseve aktive, biznese të legalizuara dhe të palegalizuara, numrin e bizneseve të çertifikuara, numri i njësive të përpunimit, etj, sepse deri tani nuk kemi saktësi  në statistikat social- ekonomike. Pa këto statistika nuk mund të bëjmë një zhvillim të drejtuar, por do biem në pozitat e sotme të një zhvillimi spontan.

3. Studimet të jenë moto e çdo investimi

Për potencialin e zhvillimit të çdo fshati e madje të çdo lagjeje lipsen studime, sepse elementë specifikë të zhvillimit gjenden kudo. Pa këto studime është  e vështirë që qoftë Qeveria qëndrore, qoftë  Bashkitë  e mëdha, qoftë  Njesitë Administrative, qoftë donatorët  e projektet e ndryshme  të ofrojnë mbështetje financiare për zhvillim. Kjo është kështu, sepse edhe ata mbajnë përgjegjësi politike  dhe ekonomike për dështimin e investimeve që kanë ofruar. Ashtu si qeveria  ka bërë përzgjedhjen e 100 fshatrave, po me këtë metodikë Njesitë Administrative duhet të përzgjedhin lagjet, bizneset, individët, institucionet e deri tek familjet agroturistike, përpara  se të fillojnë investimet ose veprimtaritë zhvilluese.

Agroturizmi

Shpresojmë të  jetë  një vlerë  e shtuar e zhvillimit të fshatrave  të përzgjedhura. Për këtë lipset një  studim i saktë  se cilat familje, biznese, restorante, operatorë duhet të mbështeten. Ka metodika  se  si bëhet kjo përzgjedhje. Disa  nga këto kritere për përzgjedhjen e fermave  mund të ishin:

Kulla in the Albanian village of Theth

  1. a) Mjedisi dhe panorama, ku shtrihet ferma potenciale për të kaluar në fermë agroturistike. Sa më tërheqës të jetë mjedisi, aq më shumë pikë merr ferma
  2. b) Potenciali që ka aktualisht në akomodim, traditë, infrastrukturë. Sa më shumë hapësira banimi aq më  mirë.
  3. c) Çfarë elementësh të vjetra trashëgon (banesa të vjetra, puse ose burime, çezme të vjetra, mullinj drithi, fabrika të vjetra vaji, enë tradicionale guzhine, mjete  bujqësore të vjetra, etj. Këto objekte  janë me interes për t’u parë si nga fëmijët  dhe rinia, ashtu edhe nga turistët.
  4. d) Larmia e prodhimit të bimëve bujqësore dhe larmia biologjike e egër. Sa  më shumë  që ferma mbështetet në vetëfurnizimin me produkte bujqësore, aq më e besueshme  është ajo nga konsumatorët.
  5. e) Struktura e familjes është një kriter për përzgjedhjen e fermave agroturistike. Aty ku dominojnë moshat e mesme dhe të reja, duhet të kenë përparësi, sepse krijojnë një biznes të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
  6. Në këto fshatra duhet të rritet numri i bizneseve të standartizuara dhe të çertifikuara

Standartet  mund  të jenë  të diversifikuara, që  nga ato më të thjeshta  e  deri tek standartet bio

Pra, sa më  i madh të jetë numri i bizneseve bujqësore të standartizuara dhe të çertifikuara, aq  më  i mirë është shembulli i fshatit model. Pra, këto fshatra do të dallohen nga të tjerët nga numri i bizneseve të çertifikuara. Drejt Europës shkohet pikërisht me rritjen e standartit të prodhimit, përpunimit, shërbimeve.

Në këto fshatra duhet të përmirësohet infrastruktura rrugore, infrastruktura  e objekteve historike,  objekteve fetare, pemëve historike, të ngjarjeve historike  etj. Në këto fshatra duhet të ketë buxheti  të rinovimeve, rikonstruksioneve dhe restaurimve.

Veprimtaritë e përpunimit të drurit, gurit, hekurit, të leshit, të konservimeve, kompostimeve tradicionale do duhet të rigjallërohen dhe të kthehen gradualisht në veprimtari biznesi.

Pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore do duhet të ndërtohen në vendet ku u shërben sa më shumë prodhuesve  dhe përpunuesëve  të fshatit.

  1. Nxitja e kooperimit bujqësor

Kjo nxitje do duhet të jetë në qëndër të vëmendjes të drejtueseve të Njesive Addministrative  dhe të fshatrave. Objektivi kryesor  duhet të jetë ulja e kostos së produkteve bujqësore. Kjo realizohet nëse rritet shkalla e kooperimit. Kooperimi fillon me bashkimin e tokave dhe bimëve të caktuara. Toka bashkohet, ndërsa të ardhuarat shpërndahen sipas  sasisë  së tokës  së bashkuar. Pra, duhet të krijohen grupe fermërësh, bashkësi më të mëdha, kooperativa  e deri në federata prodhuesish. Këto njesi në kooperim kanë  disa përparësi. Duke u rritur sipërfaqja e tokave, rritet shumë shkalla  e mekanizimit, ulet kosto e punimeve të mekanikës, ulet kosto e transportit, ulet kosto e ambalazheve, etiketimit dhe vetë kosto e çertifikimit. Kur çertifikimi bëhët në grup ulet shumë kosto, në krahasim me çertifikimin veç  e veç.

Bashkësia e prodhimit shoqërohet nga shoqatat e marketingut, shoqatave të mekanikës  bujqësore. Kur fermerët kooperojnë, lehtësohet shumë edukimi profesional. Trajnimet e grupuara janë më të efektëshme dhe më të lira  se sa trajnimet individuale. Pa kooperim do ishte  e vështirë  një eksport i qëndrueshëm, nëse fermerët nuk bashkëpunojnë në mbjelljen e kultivarëve të perimeve që kërkon eksporti. Nëse secila serrë mbjellë kultivarët e saj të domates, importuesi e ka të vështirë të mari ngarkesa të mëdha me të njëjtin kultivar. Ai furnizon supermarkata të mëdha, prandaj kërkon që një kultivar të prodhohet në sasira të mëdha.

Për nxitjen e kooperimit duhet të rishikohet ligji i ri për bashkësitë bujqësore. Ligji  nuk stimulon bashkëpunimin. Nuk ka stimuj nxitës që t’ bashkojë fermerët. Nuk ka lehtësira në  lidhje  me taksat, me nxitjen e investimve të përbashkëta si pika shitje të përbashkëta, mjete transporti të përbashkëta, pika grumbukllimi të përbashkëta, etj. Do të duhet një dialog i hapur dhe i vërtetë mes Qeverisë dhe grupeve të interesit që dëshirojnë  të bashkëpunojnë. Pa u gjetur kjo “çimento”,  nuk mund të lidhen bashkë “tullat”, pra fermerët. Teza që vazhdimisht përsëriet se fermerët kanë frikë të bashkohen, sepse kanë në mendje përvojën e keqe  të kooperativave të sistemit komunist,  nuk është  e vërtetë. Një pyetje  të thjeshtë . “Pse nuk udhëtojnë shqiptarët me tren, ngaqë duan  të udhëtojnë individualisht me makina  dhe nuk duan të udhëtojnë  në grupe, apo sepse treni është pa xhama ? Natyrisht, sepse treni është pa xhama. Pse stadiumet, kinematë, teatrot janë bosh, ngaqë nuk duan kolektivin, apo për cilësinë  e dobët të sportit dhe të artit? Duke përdorur në mënyrë figurative këtë shembull do të themi që “ pa xhama “ janë  edhe shoqatat  dhe kooperativat e pakta që janë ngritur 20 vitet e fundit. Pra kooperimi duhet marë  me më shumë seriozitet krahasuar  me sot. Ky lloj organizimi ashtu siç ka fuqinë, ashtu kërkon edhe energjinë për ta krijuar dhe për të funksionuar. Sot në Europë ka bashkësi me mijra mijëra anëtarë, kanë infrastrukturën e tyre, drejtuesit  e tyre, madje edhe bankat e tyre.

  1. Aktivizimi i rinisë me veprimtari, ku dominojnë teknikat e reja dixhitale

Ka shumë  veprimatri ekonomike  që i shkon përshtat rinisë  së sotme. Përfshirja  në  përdorimin e energjisë  së rinovueshme (era, panelet diellore, bioenergjia nga mbetjet organike), përdorimi  në praktikë i stacioneve elekronike të motit për qëllime praktike, si në prognozimin e sëmundjeve dhe dëmtuesëve, në kryerjen në kohë të shërbimeve bujqësore janë  shumë tërheqëse për moshat e reja.

Aklimatizimi i serrave me sistemin e kompjuterave,  përdorimi në praktikë i sistemit GPS, përdorimi i mekanikës  bujqësore moderne, janë punë që të rijtë i kryejnë me pasion, krahasuar me moshat  e rritura.

Moshat  e reja  duhet  të jenë pjesë  të grupeve  të ansambleve të këngëve dhe valleve popullore  të zonave përkatëse, si  dhe rigjallërimin e veglave muzikore të fshatrave  të tyre. Rinia duhet të jetë ajo që do jetë  udhërrefyese  për truristet. Kjo do të kërkonte  jo vetëm kurse  për çertifikimin e udhërrëfyesëve  të turisteve, të paraprirë  nga kurset e gjuhëve  të huaja.

  1. Gastronomia lokale

Kjo veprimtari duhet të shoqërohet me  studime  të situatës  dhe me strategjinë e rigjallërimit të traditës dhe pasurimit  të saj me përvojat  e vendeve të tjera. Na duhet të bëjmë kurse për kulinari  dhe enologji lokale. Në këto fshatra mund  të organizohen veprimtari si panaire dhe konkurse  të gatimeve tradicionale  të fshatrave të përzgjedhura.

  1. Mjedisi dhe larmia biologjike

Në këto fshatra duhet të futen elementët e qytetit, si riciklimet e mbetjeve, gjelbërimet profesionale, parqe  të gjelbërta, breza pyjorë, etj.

  1. Buxheti specifik për 100 fshatrat e përzgjedhura

Natyrisht që buxheti  shtesë  dhe për veprimtari specifike, do të dallojë këto fshatra  nga fshatrat e tjerë. Nëse ky buxhet ndihet, kjo inisiativë do ketë ndikime pozitive zhvillimi, nëse buxhetet do jenë modeste, vështirë  se do kemi dallime mes fshatrave të tjerë.

Këto ishin disa nga veprimtaritë, të cilat  duhet të vihen për zbatim sipas radhës, për t’u realizuar në 100 fshatrat e përzgjedhura  si model”.