Paketë fiskale, në mes të vitit

Paketë fiskale, në mes të vitit
1 Nr 24

Në një takim të zgjeruar me titullarët e dhomave të tregtisë dhe të shoqatave të biznesit, ministri Ahmetaj njoftoi këtë auditor të nivelit të lartë të përfaqësimit të biznesit shqiptar se Qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime në tre ligje të lidhura me taksat. Pra, ofrohet praktikisht një paketë e dytë, brenda vitit 2018. Ndryshimet, që vijnë edhe nga kërkesat e vetë biznesit, u komentuan gjërësisht në këtë takim, me plot detaje dhe kërkesa të tjera, të cilat u premtuan të diskutohen në fillim të vjeshtës. Por, cilat janë në fakt taksat që ndryshojnë?

  • Projekti për tatimin mbi të ardhurat

a) Ndryshon shkalla tatimore e biznesit:

– 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14milion lekë në vit

– 5 % për tatimpaguesit me të ardhura nga 2 milion deri në 14milion lekë në vit

– 0 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 2 milion lekë në vit

Sipas parashikimeve të vetë qeversië, efektet negative të rritjes së pragut të biznesit të vogël do të kompensohen ndjeshëm nga efektet pozitive që sjell rritja e vetdeklarimeve

b) Statusi “subjekt i çertifikuar agroturizmi”

Për të gjithë subjektet që çertifikohen për aktivitetin e agroturizimit shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 % e parashikuar, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i çertifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës, pas përfitimit të këtij statusi. Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për sektorin e agroturizmit nga 15 % ne 5 % nuk do shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet, pasi numri i  njësive agroturistike është minimal dhe pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruara si biznes i vogël. Parashikohen efekte pozitive që nuk mund të maten nga zgjerimi ekstensiv i këtij biznesi, si rezultat i incentivave të ndërmarra.

Me ndërhyrjet në ligj, qeveria ka vendosur të bëjë edhe një ndryshim tjetër, i cili lidhet me përjashtimin nga pagesa e taksës vendore të infrastrukturës e subjekteve të çertifikuara në agroturizëm. Inisiativa e ndërmarrë synon të nxisë krijimin dhe rritjen e këtij biznesi, i cili pritet të ofrojë akomodim, ushqim, shlodhje, argëtim dhe veprimtari të tjera, të lidhura krejtësisht me fermën bujqësore.

  • Projekti për nxitjen e kooperimit bujqësor

Qeveria aktuale deklaron se Bujqësia përbën një ndër sektorët bazë të ekonomisë shqiptare. Zhvillimi dhe modernizimi i saj do të ketë impakt edhe në sektorë të tjerë prioritarë për vendin, sikurse është industria e turizmit. Kjo e fundit e ka të domosdoshme bashkëpunimin me një sistem bujqësor që është në gjendje të garantojë furnizimin me produkte bujqësore dhe blegtorale në sasi, cilësi dhe kohë.
Ndërkohë, një sektor bujqësor i kompozuar nga fermerë individualë me ngastra të vogla toke dhe prodhim minimal për treg, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e konsumatorëve dhe për më tepër ato të një industrie, siç është turizmi. Gjithashtu, është e vështirë që prodhuesit individualë të jenë faktor i rëndësishëm për rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore. Për këto arsye është e domosdoshme, thotë qeveria që, të rritet shkalla e kooperimit në bujqësi, një ndër format e të cilit janë Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), të parashikuara me ligj. Por, nxitja e kooperimit të fermerëve dhe krijimi i këtyre Shoqërive kërkon edhe stimuj nxitës, pasi në të kundërt nuk do të rritet interesi për kooperim nga fermerët. Në këtë kuptim, krahas masave të tjera nxitëse të sektorit bujqësor sikurse janë subvencionimet, investimet në kullim, ujitje, etj, është e arsyeshme që nxitjes së kooperimit dhe krijimit të njësive të mëdha prodhuese bujqësore, t’i shërbejë edhe një normë tatimi  mbi fitimin, e reduktuar për këto shoqëri.  Edhe vendet e tjera të rajonit përdorin incentiva dhe mekanizma të ndryshme me qëllim stimulimin e produkteve bujqësore të prodhuara dhe konsolidimin e prodhuesve vendas. Kështu, për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Ligjit Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin do të jetë 5 %.
Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për SHBB nga 15 % në 5 % nuk do shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet, pasi aktualisht numri i SHBB të regjistruara ka qënë minimal (64 të tilla). Përkundrazi, pritet që rritja e numrit të SHBB si dhe e volumit të punës së tyre të çojë në rritjen e të ardhurave dhe të kontributit fiskal.

  • Projekti për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

a) TVSH e reduktuar për agroturizmin

TVSH e reduktuar në shkallën 6 për qind ofrohet deri tani vetëm për shërbimin e fjetjes në strukturat akomoduese, ndërkohë që për strukturat me status special me 5 yje, tatimi me 6 për qind do të jetë edhe për shërbimet e tjera që ofrohen në këto struktura, si nga bar restorant, masazhe, sauna.
Tashmë qeveria ka vendosur të zgjerojë bazën e atyre që përfitojnë nga shkalla 6 për qind edhe tek agroturizmi. “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruara brenda strukturave, në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e çertifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit” thuhet në draft.

b) Ulja e pragut të TVSH

Nga 1 prilli 2018 pragu i TVSH u ul nga 5 milion lekë në vit në 2 milion lekë në vit. Arsyeja kryesore e një mase të tillë lidhet, sikundër argumenton qeveria, me përpjekjet për përmirësimin e administrimit të këtij tatimi. TVSH është tatim që e paguan konsumatori, pra qytetari, për çdo mall apo shërbim që ai blen. Si i tillë, ai duhet të shkojë në buxhetin e perbashkët të qytetarëve, në mënyrë që të përdoret për rritje rrogash, pensionesh, ndihmë sociale, shërbime shëndetsore, arsimore etj.
Sipas qeverisë, ulja e pragut të TVSH synon të kontrollojë shitjet e bizneseve të mëdha dhe të TVSH që ato duhet të paguajnë për këto shitje. Për këtë qëllim, bizneset e vogla nuk duhet të ngurojnë të marrin faturën tatimore për mallin që blejnë me qëllim rishitje. Në këtë mënyrë kompletohet zinxhiri i transaksioneve nga biznesi i madh tek ai i vogël dhe deri tek konsumatori. Ndërkohë, aplikimi i kësaj skeme nuk rrezikohet më nga ngurimi i bizneseve të vogla për të deklaruar xhiron reale, pasi biznese të vogla do të konsiderohen ato me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë. Ky kufi, sipas qeverisë, është tepër i arsyeshëm sa të mos ta shtyjë më një biznes të vogël për të fshehur xhiron.
Ndërkohë, Dhoma mban një qëndrim krejt të ndryshëm për këtë çështje: pragu i TVSH duhet të përputhej me kufirin e biznesit të vogël, pra 14 milion lekë. Argumentimi i këtij qëndrimi është i thjeshtë. Futja e një biznesi të vogël në TVSH i zvoglon atij fitimin me rreth 40%, pra rezulton në fakt një rritje e konsiderueshme taksash. Ndryshe, nuk ka pse kërkesa për lëshimin e faturës të konsiderohet si lëvizje e dështuar. Përkundrazi, ajo duhet forcuar si nga organet tatimore, ashtu dhe nga qëndrimi i konsumatorëve, sepse shitblerja pa faturë është e paligjshme. Moslëshimi i faturës ka lidhje  vetëm me interesin e disa bizneseve të caktuara për evazion fiskal, që do të thotë se ata do të vazhdojnë të “guxojnë” të shesin pa faturë, edhe pse të regjistruar në TVSH.

  • Projekti për tatimin e investitorit dhe pronarit të truallit

Ndryshon edhe skema e tatimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim. Ndryshimi synon që të tatojë në mënyrë të drejtë pronarët e truallit dhe investitorët që operojnë ne fushën e veprimtarive të ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave (me destinacion strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi), në të gjitha rastet kur trualli u transferohet nga pronari i tokës, sipas një kontrate këmbimi të tokës me sipërfaqeve ndërtimi.  Me skemën aktuale investitori mbart totalisht barrën e tatimit mbi fitimin e realizuar, pra edhe atë nga individi. Sipas dispozitës aktuale “…. Për veprimtaritë e ndërtimit dhe shitjes me destinacion për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, në të ardhurat e tatueshme të investitorit llogariten edhe të ardhurat që i korrespondojnë pjesës së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë pronarët e truallit për rastet e kontratave të këmbimit truall-sipërfaqe ndërtimi.
Pra, deri tani, investitori ngarkohet me një barrë tatimi, e cila nuk i takon të ardhurave faktike nga shitja që ai realizon, (investitori rrit në mënyrë fiktive të ardhurat e veta). Kjo bie në kundërshtim me parimin e taksimit direkt, pasi nuk është investitori ai që ka krijuar fitim nga shitja e pjesës së pronarit, por individi,  i cili duhet të mbartë barrën e pagimit të fitimit kapital të krijuar. Ligji aktual i njeh investitorit si shpenzim vlerën e truallit të shkëmbyer me sipërfaqen e ndërtimit, por ky shpenzim kufizohet në koston minimale fiskale të ndërtimit për m2, të shpallur për efekt të Entit të Banesave, duke krijuar për investitorin një të ardhur neto (te ardhura – shpenzime)  fiktive për pjesën  e ndërtimit qe investitori e jep në këmbim të truallit.
Ndryshimi i skemës së tatimit të investitorëve dhe pronarëve të truallit, shpërndan barrën fiskale ndërmjet tyre, pasi shitja e ndërtesave do të tatohet me shkallën 15 % edhe si e ardhur biznesi edhe si fitim kapital nga shitja për pronarin e truallit. Ky ndryshim ligjor jo vetëm që do të harmonizonte të drejtën e taksimit të shoqërisë  dhe pronarit të truallit, duke kërkuar nga secili prej tyre 15 % të fitimit real që realizojnë, por njëkohësisht vjen si një ndryshim në koherencë me ngritjen e kadastrës fiskale, ku çdo pronë do të ketë dhe vlerën fiskale të regjistrimit dhe taksimit të drejtë të saj.
Këto janë argumentimet e Qeverisë, të cilat në fakt lehtësojnë barrën fiskale për shoqëritë ndërtuese, duke ja kaluar një pjesë të mirë të saj pronarit të truallit. Dhoma gjykon që nuk ka arsye që shteti të ndërhyjë në mes të një marëdhënieje ndërmjet pronarit dhe investitorit. Në fakt, ata kanë nënshkruar një kontratë shkëmbimi barter në kohë: pas përfundimit të ndërtimit, pronari do të marrë një përqindje të caktuar të ndërtesës kundrejt truallit të dhënë ndërtuesit. Të dy palët nuk flasin në kontratë për tatimin mbi fitimin, ngaqë ata njohin tregun dhe afatin e përfundimit të ndërtimit, duke nënkuptuar që ky tatim do të paguhet nga ndërtuesi. Po ashtu, vetë vjelja e tatimit nga pronarët e tokës rezulton një ndërlikim jo i vogël:  ata nuk mund të konsiderohen biznese, sepse kanë bërë vetëm një shkëmbim barter. Po ashtu, ata mund të banojnë në apartamentet e marra, në këmbim të tokës pronë. Ndërkaq, kadastra fiskale e pangritur akoma nuk mund të përdoret si argument. Për më tepër, vetë projektligji do të ishte një ndërhyrje e hapur në tregun e trojeve: çmimi i tyre do të rritej!