PAKTI ME SIPERMARRJEN

Per nje pakt me sipermarrjen

Tashmë është bërë e qartë për të gjithë aspirata e Shqipërisë per t’u bashkuar me familjen europiane. Dëshmi të veprimit të këtij prioriteti madhor shqiptar janë pa dyshim antarsimi në NATO, përpjekjet serioze për liberalizimin e vizave, paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe thellimi i reformave në vend, shoqëruar me investime të jashtëzakonshme në infrastrukturë. Por, po aq e qartë për të gjithë është se karta e integrimit europian nënkupton në radhë të parë arritjen e standarteve të përcaktuara për të gjitha fushat e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike. Dhe ky konstatim vlen, sigurisht, edhe për marrdheniet Shtet-Sipërmarrje. Është e vërtetë se kemi një Tryezë Konsultimi të Qeverisë me Sipërmarrjen, se ka patur dhe diskutime të përbashkëta për ligje apo rregulla të reja për sipërmarrjen. Por, megjithatë, ato kanë qenë të pamjaftueshme, joefektive dhe joefiçiente karshi ritmit të ndryshimeve në Shqipëri e në botë, si dhe nevojave reale të sipërmarrjes vendase për t’u adaptuar ndaj tyre. E thënë ndryshe, sipërmarrësit shqiptarë kanë nevojë për rregulla të reja loje, për një pakt të ri e të qartë me shtetin e tyre.

Me vlerësimin më të lartë për nismën private dhe rrezikun që e shoqëron atë, duke njohur rolin kyç të NVM (Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme) në rritjen e punësimit dhe të mirëqënies në Shqipëri, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ftojnë të gjitha institucionet e interesuara të shtetit që të ndërtojnë marrëdheniet me sipërmarrjen në përshtatje me 5 parimet e paraqitura nga:

 

PAKTI ME SIPËRMARRJEN

I. Krijimi i një ambienti të ngrohtë e gjithnjë miqësor, ku NVM të mund të lulëzojnë, ku sipërmarrja private të ketë vlerësim pozitiv të veçantë

  • Të promovohet respekti për shtresën e biznesit dhe përgjegjësinë shoqërore të saj në krijimin e mirëqënies në Shqipëri
  • Të mbështetet me fonde të vecanta kultura e sipërmarrjes dhe dalja “më vehte” e bizneseve të vogla fillestare
  • Të stimulohet shpirti novator dhe sipërmarrës tek mosha e re, me anë të futjes së sipërmarrjes si një kompetencë kyçe që në curriculat e shkollës 9 vjecare
  • Të sigurohen fonde të veçanta për mbështetjen e sipërmarrjes femërore
  • Të eliminohen praktikat e trajtimit të figurës së biznesit me standarte të dykuptimta  e jo miqësore (tabelat orientuese për çmimet e mallrave, pagat, referencat doganore e të tilla si këto)
  • Të nxitet më tej ligjërisht shtresa e biznesit për mbështetjen e veprimtarive shoqërore dhe për funksionimin e institucionit të bamirësisë

 

II. Zvogëlimi i mëtejshëm i pengesave dhe kostove për të bërit biznes

  • Të instalohet një dialog konstruktiv i përhershëm i ligjbërësve dhe ligjvënësve me komunitetin e sipërmarrësve, që garanton konsultimin me të në jo më pak se 8 javë kohë për çdo propozim ligjor apo administrativ që ka impakt mbi sipërmarrjen
  • Të fiksohen data të përcaktuara të vitit për hyrjen në fuqi të ligjeve dhe rregullave të reja për sipërmarrjen dhe të publikohen përmbledhjet e tyre vjetore
  • Të përdoren për detyrimet e NVM masa të veçanta si lehtësime, periudha tranzitore, perjashtime, sa herë që konsiderohet e përshtatshme
  • Të ngrihet e të vihet në funksionim sa më shpejt Gjykata Administrative
  •  Të stimulohet mbështetja e arsimit dhe formimit profesional të të rinjve nga sipërmarrja private
  • Të përmirsohet më tej sistemi i TVSH (përfshirë edhe: përdorimin e kredisë që në transaksionin pasues, rritjen e pragut të rregjistrimit deri ne 80.000 € si dhe lejimin e Biznesit të Vogël për të importuar pa detyrimin për regjistrim)
 
III. Forcimi i një administrate publike në shërbim të NVM-ve, e përgjegjëshme për të  thjeshtuar veprimtarinë e tyre sa më shumë e mundur.

  • Të thjeshtohen më tej, në konsultim me biznesin të gjitha proçedurat administrative në përgjithësi e ato tatimore në veçanti
  • Të vazhdohet shtrirja e sporteleve të QKR dhe QKL në të gjithë territorin e vendit dhe përsosja e shërbimit të tyre
  • Të mbështetet financiarisht ngritja  pranë Dhomave të Tregtisë e One-Stop-Shop me tri sportele të: QKR, QKL, TN (Tregtia Ndërkombëtare)
  • Të shtrihen dhe të përsosen përdorimet e e-qeveri, e-qeverisje dhe e-prokurim në të gjithë territorin e vendit për të informuar dhe përfshirë sa më gjerë publikun në përgjithësi dhe biznesin  në veçanti
  • Të inkurajohen entet prokuruese që të ndajnë kontratat në lote deri ne 80.000 €, për të mundësuar përfshirjen edhe të sipërmarrjeve të vogla

 

 

 IV. Rritja e aftësive likuiduese të NVM

  • Të nxitet kreditimi i ballancuar i biznesit dhe konsumatorëve në valutë te huaj, për të evituar çvleftësimin e ngritur të monedhës sonë
  • Të ngrihen fonde të veçanta për institucionet financiare që mbështesin kredinë konsumatore dhe mikrokredinë
  • Të zhvillohen programe financimi dhe fonde garancie për të mbështetur NVM në përgjithësi, si dhe ato me mangësi në kolaterale në veçanti
  • Të zhvillohet reforma e legalizimit të aktiveve të qendrueshme të paregjistruara të bizneseve
  • Të zhvillohet një ambient ligjor dhe biznesor mbështetes për pagesat në kohë të transaksioneve tregtare
  • T’i garantohet biznesit fitues fillimi i pagesave brenda 30 ditëve nga lidhja e kontratës me entin publik prokurues
  • Të detyrohen firmat fituese të bëjnë nënkontrata në të njejtën monedhë, me të cilën është shpallur tenderi.
V. Mbështetja e aftësimit menaxhues të NVM, veçanërisht në drejtim të rinovimit teknologjik dhe përfshirjes në tregun global

  • Të ngrihen fonde të posaçme për projekte të Dhomave të Tregtisë dhe të agjensive të tjera, të adresuara tek rritja e aftesive menaxhuese të NVM
  • Të shumëfishohet fondi për mbështetjen e NVM për daljen në eksport apo për zëvendësimin e importeve
  • Të financohen qendra të dedikuara mbështetjes së rinovimit teknologjik të NVM si dhe kërkim-zhvillimit
  • Të sigurohen stimuj financiarë për bizneset ekologjike e ricikluese apo për prodhuesit e energjisë së rinovueshme

 

Në fakt, ky “Pakt” është hartuar në frymën e “Aktit për Biznesin e Vogël”, lançuar nga Komisioni Europian në qershor 2008. Ndër më thelbësoret, duke konsideruar se sipërmarrja private është kontribuesi kryesor i krijimit të buxhetit të shtetit, pakti thekson se duhet dhe mund që, një pjesë shumë më e madhe e këtij buxheti sa deri më sot, t’i kthehet përsëri asaj. T’i kthehet në formën e mbështetjes së sipërmarrjes private me asistencë teknike, grante, kredi “të buta”, fonde të garancisë e plot instrumenta të tjerë të këtillë, të cilët janë bërë tashmë rregull në Europë! Ndërkaq, efekti shumfishues i kësaj mbështetjeje do të rrisë shumë herë më tepër punësimin dhe mirëqënien si dhe vetë buxhetin e shtetit. Prandaj, Dhomat e Tregtisë besojnë në kontributin e të gjithë të interesuarve për përmirësimin dhe plotësimin e këtij “Pakti”, duke e konsideruar atë si një nga mjetet ndihmëse për kalimin e Shqipërisë në një ekonomi të bazuar në dijen. Po ashtu, ato kanë besim të plotë se “Pakti” do të mirëpritet dhe do t’i bëhet jehonë nga liderët politikë, administrata publike dhe mediat.

 

Andrea Xhavara

Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës

 

(Mbajtur më 27 Tetor 2009, në Kongresin e IV të Sipërmarrjes Femërore të Forumit AIC)