Porti Detar

Porti Detar
2 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Thjeshtimi i proçedurave për udhëtarët e automjetet me tragete: kryefjala e Takimit të parë mes drejtuesve të porteve të Durrësit dhe Barit
Drejtori i APD, Artjan Qirici; Presidenti i ASP MAM, Ugo Patroni Griffi dhe Adrian Haskaj, Konsull i Pergjithshëm i Shqipërisë në Bari

Shkurtimi i kohës së shërbimit dhe thjeshtimi i proçedurave portuale për udhëtarët dhe automjetet me tragete, si dhe përmirësimi i infrastrukturave në Portin e Barit ishin disa nga temat që u trajtuan në Takimin e organizuar të enjten me nismën e Konsullit të Përgjithshëm të vendit tonë, Adrian Haskaj, në qytetin Italian.
Presidenti i Autoritetit portual të pesë porteve të Adriatikut Jugor, Ugo Patroni Griffi dhe Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Artjan Qirici, diskutuan mbi funksionimin efiçent dhe të shpejtë të proçedurave të lëvizjes në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas si dhe për sensibilizimin  dhe kontributin e të gjitha subjekteve private dhe shtetërore.
Drejtori Ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici, vlerësoi se rritja e volumeve të transportit të mallrave dhe të udhëtarëve, drejt Porteve të Italisë, kryesisht të Barit, përbën një fokus strategjik për zhvillimin e Portit të Durrësit. Një ndër faktorët kryesorë për realizimin e këtij objektivi është thjeshtimi dhe lehtësimi i proçedurave të kontrollit kufitar dhe doganor, si edhe përmirësimi emergjent i infrastrukturës të Terminalit të pritjes së mjeteve dhe pasagjerëve në portin e Barit.
1. Qirici në vijim të kësaj nisme, ftoi homologun e tij për të vizituar Portin e Durrësit, takim i cili u dakortësua të zhvillohet brenda këtij viti.
Marrëveshja e përbashkët e arritur nga ky takim për fillimin e përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërijnë në Bari nga ora 08:00 në orën 07:00, si edhe nisja rigoroze ne orën 23:00 nga Porti i Durrësit, përbën hapin e parë në realizimin e objektivave të kësaj nisme.
“Vonesat e pajustifikuara në mbërritje nga Durrësi në Bari e kanë bërë të pamundur planifikimin e orareve në vazhdim nga ana e udhëtarëve dhe kamionistëve-tha më tej Drejtori Ekzekutiv i APD-së.
Në Takimin që u zhvillua dy ditë më parë në Bari u diskutua edhe mbi
Implementimin e plataformës informatike (shkëmbimin online të të dhënave) “GAIA” për kontrollin dhe sigurinë portuale, një sistem ky i cili do të riorganizojë dhe thjeshtojë proçedurat kufitare dhe doganore.
Anijet në 10 muaj: Tranzitet e mallrave nga/drejt Kosovës, 10 përqind e volumit të përgjithshëm
Afro 120 mijë ton mallra të përpunuara në portin e Durrësit nga anijet i përkasin eksport-importeve tranzit me Kosovën.
Eksportet tranzit nga Kosova zenë 11 përqind të volumit të mallrave të përpunuara në portin e Durrësit në periudhën janar-tetor 2017, ndërsa importet 10 përqind.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se shifrat nuk përfshijnë volumet e mallrave tranzit nga/drejt Kosovës (me kamjonë apo trajlerë) nga tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste e kthim.

Burimet e Sektorit të Statistikave, bëjnë me dije se në periudhën janar-tetor të këtij viti vetëm në Terminalin e Mallrave Gjenerale, i njohur si Terminali Perëndimor janë përpunuar 53.888 ton mallra të cilat i përkasin kryesisht  importeve tranzit drejt Kosovës nga porti i Durrësit. Mallrat që porositen më së shumti nga importi me anije në Kosovë janë melamina, xhama, hekur, çimento, etj.
Ndërkohë 65.292 ton të tjera janë përpunuar në Terminalin Lindor.
Nga të njejtat burime, mësohet se në 10 muajt e parë të këtij viti anijet kanë shkarkuar 29692 ton mallra importi, të cilat janë transportuar më pas me kamjonë drejt Kosovës. Në të njejtin Terminal kanë mbërritur nga Kosova 35.600 ton mallra, kryesisht zink për eksport, që më pas është drejtuar me anije drejt vendeve të tjera.
Janar – Tetor 2017:Anijet dhe tragetet, 8 përqind më shumë mallra se një vit më parë
Gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 3.1 milion ton mallra, ose 8 përqind më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2016.
Nga të dhënat e përftuara nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se, rritje të volumit të mallrave të përpunuar ka patur si në eksportet edhe në importet. Sipas të njejtit burim, eksportet kanë shënuar një rritje prej 20 përqind krahasuar me vitin e kaluar, duke regjistruar një sasi prej 1 milion e 123 mijë ton mallra të përpunuar në 10 muaj. Ndërkaq, importet kanë tejkaluar shifrën prej 1 milion e 956 mijë ton mallra në 10 muaj, me një rritje prej 3 përqind, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2016.

Gjatë periudhës janar-tetor 2017 në të tre Terminalet e mallrave janë përpunuar 475 anije tregtare, ndërsa në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 849 tragete, të cilat përveç udhëtarëve transportojnë edhe mallra me kamjonë dhe trajlerë.

Nga një e dhënë tjetër, mësohet se nga anijet janë përpunuar mbi 2.4 milion ton mallra për 10-mujorin, me një rritje prej 9 përqind, ndërsa tragetet kanë transportuar nga/drejt Durrësit afro 674 mijë ton, ose 7 përqind më shumë se 10-mujorin janar-tetor 2016.

 

Janar – Tetor 2017: Më shumë eksporte me anije se sa në 10 muaj 2016
Afro 264 mijë ton çimento, prodhuar në vendin tonë, janë nisur me anije nga Durrësi drejt porteve të tjera gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti. Shifra është rreth 5.8 herë më e madhe se sa sasia e eksportuar gjatë 10 muajve të parë të vitit 2016.
Mallrave që janë përpunuar në portin më të madh të vendit me destinacion portet e tjera të Mesdheut i shtohen zinku, kromi dhe squfuri, që të gjithë mallra rinfuzo të cilat përpunohen në Terminalin Lindor.

Eksportet me anije dhe tragete kanë shënuar një rritje prej 20 përqind krahasuar me vitin e kaluar, duke regjistruar një sasi prej 1 milion e 123 mijë ton mallra të përpunuar në 10 muaj, bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.
Ndërkohë vendin e parë për importet gjatë këtij 10-mujori e zë koksi rifuzo me afro 198 mijë ton, e më pas gruri me 124 mijë ton.
Plehrat bujqësore si nitrat apo pleh kimik arrijnë shifrën e përgjithshme prej afro 90 mijë ton.
Melamina dhe xhamat shënojnë një sasi të përgjithshme mbi 100 mijë ton, ndërsa llamarina, blloqet e mermerit dhe tubat e profilet e importit arrijnë shifrën prej rreth 88 mijë ton gjithsej.
Importet me anije dhe tragete kanë tejkaluar shifrën prej 1 milion e 956 mijë ton mallra në 10 muaj, me një rritje prej 3 përqind, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2016.
Moti i keq, APD merr masa për përballimin e situatave emergjente
-Mjetet zjarrfikëse, mbështetje komunitetit të lagjeve periferike-
Drejtoria Ekzekutive e APD ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e rënduar nga moti i keq i 36 orëve të fundit.
Mjetet e rënda operacionale, dy automjete zjarrfikëse dhe autoambulanca janë në gatishmëri të plotë teknike dhe janë angazhuar jo vetëm në situatat emergjente brenda territorit portual, por edhe në ndihmë të komunitetit qytetar në lagjet periferike të Durrësit.
Bashkë me forcat operacionale, ato të FSPD, Dispeçerisë dhe të Administratës po bashkëpunohet me institucionet brenda dhe jashtë portit, si Prefektura, Kapiteneria, etj.
Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në port sipas grafikut të parashikuar. Po ashtu u ankorua në Terminal edhe trageti “AF Michela” i linjës Ankona-Durrës.

Anija “NS Anxhela” që po shkarkon çimento rinfuzo vijon ti mbajë hambarët e mbyllur për shkak të reshjeve të shiut. Në Terminalin e kontejnerëve po përpunohet pa probleme anija “Contship Voë”, ndërsa gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe 5 anije të tjera, dy nga të cilat me kontejnerë dhe tre të tjera me rreth 10 mijë ton mallra të ndryshme.
Sipas Drejtorisë Ekzekutive në 24 orët e fundit në komunikim me Kapitenerinë janë strehuar brenda basenit portual dy anije që ndodheshin në radë gjatë fortunalit të së enjtes. Bashkëpunimi ka vijuar me lehtësimin e hyrjes në port edhe për disa motopeshkatore.
Falë masave parandaluese janë vënë nën kontroll kanalet shkarkuese të ujrave të bardha pranë shesheve dhe kalatave.
Sipas raportimeve të Drejtorisë Ekzekutive  janë zbatuar në kohë dhe me përpikmëri të gjitha kërkesat specifike teknike për kushte të tilla meteorologjike, duke nisur nga blokimi i të gjitha operacioneve të përpunimit nga vinçat portualë, në kushtet e erës së fortë me shpejtësi mbi 15 m/sek.
Është kryer në kohë edhe kontrolli dhe sigurimi i vinçave portualë në kalata, në kushtet e rrezikut të motit ekstrem. Nga të njejtat burime, mësohet se funksionojnë plotësisht të gjithë gjeneratorët e energjisë për emergjencat portuale. Pavarsisht nga luhatjet e tensionit në rrjet në tteritorin e portit nuk ka asnjë problem lidhur me ndriçimin, kamerat e sigurisë portuale ao sistemit IT, mjaft të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës në port.
Në kushtet e rënduara të motit, Drejtoria Ekzekutive thekson gatishmërinë e APD për të vënë  mjetet dhe forcat e saj në dispozicion të të gjitha subjekteve, institucioneve dhe komunitetit në qytetin e Durrësit.
Rreth 63 % e mallrave të Shqipërisë të eksportuara drejt tregjeve ndërkombëtare ‘udhëtojnë’ përmes detit   (ATSH)
Në janar-tetor 2017, sipas ISTAT, 91.3 % e mallrave në portet shqiptare  përpunohen në Durrës.
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) publikoi të hënën disa të dhëna për periudhën janar-tetor 2017, që lidhen me eksport-importet e mallrave.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave, gjatë dhjetëmujorit 2017, mallrat e eksportuara me det zënë 62.9%, me rrugë 35.9% dhe me ajër 0.5%.
Në këtë periudhë, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3.372.000 ton, duke u rritur me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Porti i Durrësit zë 91.3%, të gjithë mallrave të ngarkuara/shkarkuara në të gjitha portet gjatë periudhës janar –tetor 2017.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, 93% e mineraleve dhe metaleve që eksportohen nga Shqipëria transportohen përmes detit. Po ashtu, sipas INSTAT, edhe treçereku i tekstileve eksportohen përmes detit. /ATSH/

Tragetet në janar-nëntor 2017: 5 përqind më shumë udhëtarë se sa në 11 muaj 2016
Tragetet e linjave Durrës-Bari e Durrës-Ankona-Trieste e kthim, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë shfrytëzuar nga 818.440 udhëtarë gjithsej.
Nga të dhënat statistikore mësohet se shifra e kësaj periudhe është 5 përqind më e lartë se sa ajo e 11-mujorit të vitit 2016, kur tragetet transportuan 776.135 udhëtarë.
Sektori i Statistikave në APD bën me dije, se në këto 11 muaj tragetet janë shfrytëzuar nga 42.305 udhëtarë më shumë se sa në periudhën janar-nëntor 2016.
Një rritje prej 2 përqind ka edhe numri i udhëtarëve shqiptarë, në krahasim me ato të vitit 2016, ndërsa numri i të huajve që kanë shfrytëzuar tragetet në 11 muaj 2017 është 17 përqind më I lartë se sa e njejta periudhë e vitit 2016.
Tragetet kanë kryer 922 lundrime gjithsej, ose 26 lundrime më pak se sa në periudhën janar-nëntor 2016.
Gjatë këtyre 11 muajve 433.614 udhëtarë janë larguar me tragete nëpërmjet portit të Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe Triestes, ndërsa 384.826 të tjerë kanë mbërritur në portin më të madh të vendit tonë.