POZICIONIM, SIPËRMARRJA DHE SHTETI

POZICIONIM, SIPËRMARRJA DHE SHTETI
1 Gazeta T&I Durrës Nr 9

Misioni i Dhomës është promovimi i sipërmarrjes së lirë si premisa themelore e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të territorit të Qarkut Durrës. Ky përcaktim e orienton Dhomën që të përqëndrojë burimet dhe ekspertizën e saj tek ato politika prioritare që rigjallërojnë ekonominë e komunitetit tonë dhe më gjerë, që
krijojnë vende të reja pune, që nxisin rritjen e mirëqënies dhe që rrisin të ardhurat. Duke konsideruar rritjen e aftësisë konkurruese dhe mbrojtjen e interesave biznesore si dy kollonat kryesore të promovimit të sipërmarrjes së lirë, Dhoma i sheh tepër vendimtare marrëdhëniet korrekte Sipërmarrje – Shtet. Prandaj,
ajo do të mbështesë të gjitha nismat e institucioneve të interesuara, publike apo private qofshin, të cilat synojnë t’i ndërtojnë këto marrëdhenie sipas 6 parimeve të mëposhtme:
1) Krijimi i një ambienti të ngrohtë e gjithnjë miqësor, ku sipërmarrjet të mund të lulëzojnë, ku sipërmarrja private të ketë vlerësim pozitiv të veçantë
2) Zvogëlimi i mëtejshëm i pengesave administrative dhe burokratike
3) Forcimi i një administrate publike në shërbim të NVMve, e përgjegjëshme për të thjeshtuar veprimtarinë e tyre sa më shumë e mundur
4) Rritja e aftësive likuiduese të NVM-ve
5) Rritja e aftësive konkurruese të NVM-ve në nivel rajonal dhe ulja e kostove për të bërit biznes
6) Mbështetja e aftësimit menaxhues të NVM-ve, veçanërisht në drejtim të rinovimit teknologjik dhe përfshirjes në tregun global.
Si nisje e këtij pozicionimi të Dhomës, mund të shtjellonim dy parimet e para:

1) Krijimi i një ambienti të ngrohtë e gjithnjë miqësor, ku sipërmarrjet të mund të lulëzojnë dhe të kenë vlerësim pozitiv të veçantë i shoqëruar me veprime respektive, si:

  • promovimi i respektit për shtresën e biznesit dhe përgjegjësinë shoqërore të saj në krijimin e punësimeve të reja dhe të mirëqënies në Shqipëri
  • mbështetja me fonde të veçanta e kulturës së sipërmarrjes dhe e daljes “më vete” e bizneseve të vogla fillestare
  • stimulimi i shpirtit novator dhe sipërmarrës tek rinia shkollore, me anë të futjes së sipërmarrjes si një kompetencë kyçe që në kurrikulat e shkollës 9 vjeçare
  • sigurimi i fondeve të veçanta për mbështetjen e sipërmarrjes femërore
  • eliminimi i praktikave të trajtimit të figurës së biznesit me standarte të dykuptimta e jo miqësore (tabelat orientuese për çmimet e mallrave dhe pagat, referencat doganore e të tilla si këto)
  • nxitja më tej ligjërisht e shtresës së biznesit për mbështetjen e veprimtarive shoqërore dhe për funksionimin e institucionit të bamirësisë

2) Zvogëlimi i mëtejshëm i pengesave administrative dhe burokratike i shoqëruar me veprime respektive, si:

  • ngritja e një dialogu konstruktiv të përhershëm ndërmjet ligjbërësve dhe ligjvënësve me komunitetin e sipërmarrësve, që garanton konsultimin me të në jo më pak se 8 javë kohë, për çdo propozim ligjor apo administrativ që ka impakt mbi sipërmarrjen
  • fiksimi që në fillim të vitit i datës së hyrjes në fuqi të ligjeve dhe rregullave të reja për sipërmarrjen dhe publikimi i përmbledhjeve të tyre vjetore
  • lehtësimi i të gjitha proçedurave tatimore dhe doganore me anë të shërbimeve dhe pagesave on-line si dhe me anë të organizmave garantuese dhe mbrojtëse ndaj veprimeve subjektive apo korruptive të mundshme të administrates
  • përdorimi për detyrimet e sipërmarrjeve i masave të veçanta si lehtësime, periudha tranzitore, përjashtime, sa herë që konsiderohet e përshtatshme funksionimi korrekt dhe sa më i shpejtë i Gjykatës Administrative

Formulimet e mësipërme janë hartuar në frymën e “Aktit për Biznesin e Vogël” për Europën. Prandaj, Dhoma beson në kontributin e të gjithë të interesuarve për përmirësimin dhe plotësimin e këtij “Pozicionimi”, duke e konsideruar atë si një nga mjetet ndihmëse për kalimin e Shqipërisë në një ekonomi të bazuar në dijen. Po ashtu, ajo ka besim të plotë se ky “Pozicionim” do të mirëpritet dhe do t’i bëhet jehonë nga liderët politikë, administrata publike dhe mediat.