Shtyhet dhe nuk shtyhet…

Shtyhet dhe nuk shtyhet…
1 Gazeta T&I Durrës Nr 21

Me interesimin e vazhdueshëm për proçesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, po pasqyrojmë një intervistë të dhënë për shtypin nga znj. Entela Çipa, këshilltare e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, tekstualisht si në vijim:

Zonja Çipa, ka një interes në rritje lidhur me deklarimet zyrtare për liberalizimin e furnizimit me energji elektrike për subjektet që furnizohen në rrjetin 35 kilovolt. Së fundi, keni deklaruar se shtyhet me dy vjet të tjera ky proçes. Si qëndron e vërteta?

Përgjigje: Bazuar në ligjin për sektorin e energjisë elektrike, të miratuar në vitin 2015, të gjithë konsumatorët e lidhur në tension të mesëm, sipas një grafiku, do të furnizoheshin jo më nga furnizuesi universal, pra kompania OSHEE, por nga furnizues të tjerë në tregun e parregulluar. Për këtë qëllim, kërkohen investime në sektorin e matjes, pasi siç dihet do të bëhet i mundur sistemi i matjes online për këta konsumatorë, në mënyrë që të tregohet në kohë reale sa konsumohet dhe nga vijnë flukset e energjisë. Dhe për këtë qëllim, në kuadër edhe të projektit të Bankës Botërore me financim 150 milionë dollarë, një nga pjesët e këtij projekti ishte edhe investimi në sistemin e matjes, pra në të gjithë sistemin e furnizimit të këtyre konsumatorëve në tensionin e mesëm.

Për të bërë të mundur afatet ligjore, kompania OSHEE filloi investimin me fondet e veta me konsumatorët e vendosur në furnizimin 35 kilovolt, duke qënë se ishin më pak konsumatorë, rreth 80 të tillë dhe, në fund të vitit 2017, u plotësuan të gjitha kushtet teknike, ligjore dhe rregullatore për të bërë të mundur lidhjen e këtyre konsumatorëve në tregun e parregulluar.

Duke filluar nga 1 Janar 2018 kompania OSHEE njoftoi të gjithë konsumatorët e lidhur në tensionin 35 kilovolt që tanimë duhet të siguronin një furnizues në treg. Dhe kjo periudhë përfundonte në fund të muajit shkurt. Pra një periudhë dy mujore, të cilën ligji e ka lënë për t’u furnizuar nga furnizuesi i mundësisë së fundit, që është kompania OSHEE, por me çmim të parregulluar tashmë. Këto subjekte nuk furnizohen më me një tarifë të miratuar nga ERE, por në bazë të një metodologjie, (të miratuar po nga ERE), me çmim shumë transparent. OSHEE e blen vetëm për këta konsumatorë energjinë në treg, duke shtuar edhe tarifat e transmetimit dhe të shpërmdarjes dhe një “fi” administrative, që është e përcaktuar, po ashtu, nga ERE.

A kemi kompani shqiptare apo edhe të huaja rezidente në Shqipëri, që kanë lidhur tashmë një kontratë për furnizimin me energji, sipas kushteve që ju parashtruat?

Përgjigje: Pati një ngurim nga këta konsumatorë, pasi dihet se ky është një proces që zgjat dhe që ndodh për herë të parë në vendin tonë, megjithëse konsumatorët e mëdhenj të lidhur me tensionin e lartë tashmë kanë dalë nga sistemi që në vitin 2011, por duhet të themi që edhe kompanitë furnizuese, duke qënë numër i vogël konsumatorësh, kanë hezituar edhe ata për të lidhur kontrata, edhe pse kemi kontrata (në një numër të vogël) të lidhur këto dy muajt e parë. Për këtë qëllim, me kërkesë të vetë konsumatorëve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) e shtyu afatin e kësaj periudhë tranzitore, që është zgjatur deri në dy vjet të tjerë, tashmë. Por konsumatorët nuk është se do stopojnë së dali në treg, ose do të kthehet mbrapa ky proces, por do të vijojnë të furnizohen me tarifa të parrëgulluara, nga kompania OSHEE dhe jo nga kompani apo furnizues privatë.

Keni planifikuar edhe liberalizimin e furnizimit me energji elektrike edhe të konsumatorëve që furnizohen aktualisht në sistemin e tensionit 20, 10 dhe 6 kilovolt. A ka një grafik zyrtar për këtë çështje?

Përgjigje: Po, sikundër e thashë, ky proçes po ndiqet me investimin e Bankës Botërore dhe shpresojmë që brenda vitit 2018, të gjithë konsumatorët të lidhur ne 20 kilovolt të jenë gati për të dalë në tregun e parregulluar. Ky është një proçes, sikundër e kemi ndjekur edhe në vendet e rajonit apo ato europiane, është një proces që ka zgjatur dhe, vetë drejtori i Sekretariatit të Komunitetitt ë Energjisë, i cili vjen nga një eksperiencë personale si ministër i Energjisë në Slloveni, u shpreh (në komisionin kuvendor kur u pyet për këtë qëllim) se ky proces në Slloveni ka zgjatur të paktën një vit e gjysëm. Pra është një proces ku edhe konsumatorët duan një farë besimi, shikohen të parët që dalin në treg, si çdo liberalizim apo hapje e tregut, sepse këta janë pionierët e libaralizimit të tregut dhe janë bizneset më të fuqishme shqiptare.

A ka ndonjë planifikim ministria që, pas liberalzimit të këtyre subjekteve dhe daljes së tyre në tregun e liberalizuar, të mendohet për një ulje të çmimit për konsumatorët familjarë që mbeten të vetmit që do të furnizohen nga furnizuesi publik?

Përgjigje: Duhet të themi se përsa i takim çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, ky çmim është i ndërsubvencionuar dhe janë bizneset ato që aktualisht mbulojnë edhe konsumatorin familjar. Tarifa e miratuar nga ERE, 9,5 lekë për kilovat orë, nuk përfaqëson koston reale, kështu që nuk mund të themi se do të kemi ulje të çmimit për të arritur në kosto, pasi kjo energji është nën kosto dhe diferenca e çmimit përballohet nga konsumatorë të lidhur në tensionin 0,4 kilovolt jofamiljarë, tarifa e të cilëve është 14 lekë/kilovatorë. Ndryshe nga të gjitha vendet europiane që kanë të kundërtën, pra ku konsumatori familjar mbron, subvencionon, inkurajon biznesin i cili hap vende pune, siç duhet kushtet reale ekonomike të konsumatorit shqiptar bëjnë që ende Shqipëria të mbajë një tarifë fikse për të gjithë familjarët, 9,5 lekë, pra nën kosto. Por të gjithë konsumatorët sot e kanë të drejtën për të dalë në treg, hap pas hapi, siç thashë, kur do të bëhet i mundur investimi në sistemin e matjes për të instaluar matje në kohë reale që edhe ne, si të gjithë konsumatorët europianë, të zgjedhim furnizuesin nga shtëpia.

Komenti i Dhomës, për çfarë deklarohet në intervistën më lart, do të përqëndrohej në dy çështje. Së pari, qeveria më në fund pranon se konsumatori familjar ndërsubvencionohet nga konsumatorët e tensionit 0,4 kilovolt, të cilët janë biznese, zyra private, ojf, por edhe administratë publike. Ndryshe, qeveria i detyron të paguajnë një pjesë të faturës së energjisë atyre që kanë punësuar! Së dyti, nga deklarata del e qartë se bizneset e tensionit 35 kilovolt, duke filluar nga muaji mars 2018, duhet ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike e furnizuar nga OSHEE. E vërteta do të kuptohet më mirë (pas 1 prillit), kur të vijë fatura e OSHEE për muajin mars. Nëse kjo faturë do të rezultojë 10% më e lartë, do të kuptonim saktë që proçesi i liberalizimit të energjisë shtyhet dhe nuk shtyhet…