Stuhia me emrin TVSH

Stuhia me emrin TVSH
1 Gazeta T&I Durrës Nr 21
  • Tatimet “kërcënojnë”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka konstatuar një shtim të numrit të aplikimeve pranë sporteleve të QKB, të cilat në thelb kanë përfshirjen në skemën e TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar). Këto aplikime kanë qenë kryesisht për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe nga tatimpagues, të cilët për herë të parë hyjnë në skemën e TVSH-së.  Po ashtu, konstatohet një numër i madh regjistrimesh të menjëhershme biznesesh të reja, në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet. Nisur nga ky fakt, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tërheq vëmendje se në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe udhëzimin Nr. 24, datë 02.09.2008, i ndryshuar, nëse pas verifikimit në vend, rezulton e provuar se tatimpaguesi që ushtron aktivitet në atë ambient, ka lidhje familjare me tatimpaguesin, i cili ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti pas ndryshimit të përgjegjësisë tatimore apo konsumimit të kundravajtjes administrative, nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas rastit do t’i komunikohet tatimpaguesit ndërmarrja e hapave administrative të mëposhtëm:

  • Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore, duke e ngarkuar atë me të njëjtat përgjegjësi tatimore që ka patur tatimpaguesi/personi i lidhur para aplikimit për mbyllje aktiviteti, pavarësisht xhiros së pritshme të deklaruar nga ana e tij.
  • Kërkesa nga ana e Administratës Tatimore kundrejt tatimpaguesit për të shlyer detyrimet tatimore, si dhe aplikimi i masave shtrënguese për vjeljen e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti.
  • Numërimi i konstatimeve për zbatimin e penaliteteve do të bëhet duke përllogaritur edhe konstatimet e kundravajtjeve të konsumuara nga ana e tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njejtin aktivitet në të njejtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje aktivitet/pezullim aktiviteti.

Pra, për tatimpaguesit që kanë ndryshuar status (kaluar pasiv,etj.) dhe para se të bënin një gjë të tillë janë konstatuar me një shkelje (shkelja e parë), shkelja e konstatuar pas ndryshimit të statusit, konsiderohet shkelja e dytë në numër.

Tatimpaguesit e përfshirë në listën e tatimpaguesve për regjistrim në TVSH më 1 Prill, do të regjistrohen për TVSH-në edhe nëse kanë kaluar me status pasiv gjatë periudhës 1 Janar – 31 Mars 2018.

Ku bazohet ky “kërcënim”?

Në fakt Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përcakton si bazë ligjore të masës së mësipërme administrative ligjin përkatës si dhe një udhëzimin nr 24 të gushtit të vitit 2008, nenet e të cilit kanë ndryshuar deri sot në 236 raste, (75 % e ndryshimeve janë realizuar me Udhëzim Nr. 7, datë 10.01.2017, botuar në Fletoren Zyrtare Nr.4, datë 19.01.2017). Por, në asnjë nga rreshtat e udhëzimit, edhe me ndryshimet e shumta, nuk gjen një përcaktim të plotë të hapave që ka planifikuar të ndërmarrë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kur vëren çrregjistrim apo pezullim fiktiv të veprimtarisë së biznesit (?!). Madje togfjalëshi “pezullim fiktiv” nuk gjendet gjëkundi as në ligjin bazë, atë “Për Procedurat tatimore në RSH”.

Nuk kuptohet saktë se si e pse DPT do të penalizojë biznese që, sipas përcaktimit të urdhrit të fundit administrative të DPT, “kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe tatimpagues të cilët për herë të parë hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet”.

Një formulim të tillë nuk e kemi parë dhe dëgjuar asnjëherë nga administratat fiskale dhe as nuk e hasim në legjislacionin fiskal, por mbase do të na duhet ta verifikojmë menjëherë sapo administrata tatimore të deklarojë të penalizuarit e parë të kësaj dukurie. Të presim!

Ajo që Dhoma jonë mendon se është e nevojshme të realizohet nga administrata, përjashtuar “kërcënimin”, është respektimi rigoroz i ligjit për vjeljen e detyrimeve tatimore për të gjitha subjektet aktive, duke respektuar barazinë përpara ligjit dhe ndershmërinë tatimore. Subjektet që nuk e kanë pasur të mundur mbijetesën, janë në të drejtën e tyre sot e gjithë ditën të ndryshojnë përgjegjësinë e tyre tatimore, sigurisht duke mos mbetur debitorë ndaj arkës së shtetit. Askush tjetër nuk mund t’i mësojë këto subjekte se si duhet të bëjnë e nga cili kërcënim të mbrohen, sepse ligji përcakton qartë, qoftë kalimin e tyre në rregjistrin pasiv tatimor, qoftë çrregjistrimin, qoftë edhe krijimin e sipërmarrjeve të reja, sipas së drejtës së tyre për të zhvilluar veprimtari biznesi në respekt të ligjit. Si mund të ngarkohet me përgjegjësi tatimore një biznes rishtar, qoftë edhe kur vërtetohet se është një biznes “i lidhur”, për të paguar detyrimet e dikujt tjetër, familjar me të apo jo, kur ligji nuk e parasheh një gjë të tillë?!

  • Qeveria ndryshon serisht TVSH-në!

Qeveria planifikon të ndryshojë përsëri dispozitat zbatuese të tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave prekin kategorinë e profesioneve të lira si dhe investimet në fushën e agroindustrisë, përpunimit aktiv dhe energjetikës

– Ministria e Financave i ka propozuar ditët e fundit qeverisë shqiptare të miratojë uljen e kostove për kategorinë e biznesit, që në datën 1 Prill do të përfshihet në rregjimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Kjo kategori biznesesh do të ketë detyrimin për dorëzimin e deklaratës tatimore jo për çdo muaj, por njëherë në tre muaj, duke ulur kështu kostot e administrimit të biznesit.

Kështu për të gjithë subjektet, të cilat nga data 1 Prill 2018 do të përfshihen në rregjimin normal të TVSH-së (kategoria që realizon qarkullim prej 2 milionë lekësh në një vit kalendarik) dhe deri në nivelin e qarkullimit prej 5 milionë lekësh, kjo kategori, pra që realizon qarkullimin vjetor deri në pesë milionë lekë, është gjithashtu kategoria që i nënshtrohet tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në shkallën tatimore zero lekë.

Sipas ndryshimit ligjor, “personat e tatueshëm që realizojnë një qarkullim vjetor mbi kufirin minimal të rregjistrimit në TVSH, por jo më shumë se 5 milionë lekë dorëzojnë deklaratën e TVSH-së, mbi baza mujore brenda datës 14 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujorit të vitit kalendarik”. E thënë me fjalë të thjeshta, të gjithë bizneset që hyjnë në skemën e TVSH-së, do të mund të dorëzojnë deklaratën tatimore në datën 14 korrik të vitit 2018, kur do të bëhet edhe dorëzimi i librave të shitjeve dhe blerjeve.

– Investoni në energji? Përfitoni 20 % TVSH-në e makinerive!

Sipas propozimit të bërë, qeveria ka përjashtuar nga TVSH-ja të gjithë ata investitorë të vegjël që investojnë në fushën e energjisë elektrike në vlerën nën 50 milionë lekë. Qeveria ka ndryshuar listën e makinerive e pajisjeve të importit që investohen në këtë fushë, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm makinerish e pajisjesh që nuk do të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar në masën 20 për qind. Kjo do të thotë që importimi i makinerive dhe pajisjeve janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja.

Në këtë kuadër Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka identifikuar dhe përgatitur kodet e makinerive dhe pajisjeve që përdoren në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme me fuqi të instaluar deri 0,7 megavat. Këto kode i shtohen  listës së makinerive e pajisjeve që kanë qënë deri tani të përjashtuara nga TVSH. Ky favorizim iu shkon sidomos sipërmarrjeve nga biznesi i vogël dhe i mesëm që i ndihmon ato të investojnë në fushën e prodhimit të energjisë elektrike të pastër me vlerë investimi jo më shumë se 50 milionë lekë.

– Profesionet e lira? Kthim në “identitet”

Ndryshimi më i rëndësishëm është ai që lidhet me pragun e rregjistrimit në TVSH të profesionave të lira. Sipas projektit, të gjitha profesionet e lira, pas miratimit të këtij ndryshimi do t’i nënshtrohen rregjimit normal të TVSH-së dhe për to nuk do të ketë përjashtim, sikundër ka qënë praktika e derisotme. Ky përcaktim i ri rrëzon argumentin e mbrojtjes së avokatëve në Gjykatën e Lartë, rrëzon vendimin e kësaj të fundit dhe automatikisht sjell dy pasoja. Së pari, avokatët qëndrojnë jashtë TVSH-së deri më 1 prill 2018, nëse kanë qarkullim më të vogël se 5 milionë lekë, por pas kësaj date nisin regjimin njëlloj si 16 grupet e tjera, si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë etj.

Ndërkohë kjo frenon edhe 16 profesionistët e tjerë për të ankimuar ligjin në Gjykatën e Lartë, duke i lënë me situatën aktuale. Kufiri minimal prej 2 milionë lekësh nuk vlen për këto profesione që janë automatikisht të përjashtuar me pikë të veçantë.

– Je fermer individual? Nuk përfiton!

Projekti i qeverisë, që po diskutohen ende nga aktorët e interesit merr në konsideratë edhe premtimin për përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar të prodhuesve bujqësore që zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadër të një sipërmarrje bujqësore të organizuar. Pra, nëse një fermer vepron si fermer individual, ai duhet të qarkullojë më shumë se 5 milionë lekë për të përfituar TVSH. Nëse veprimtaria e tij zhvillohet në kuadër të shoqatave të bashkëpunimit bujqësor, shoqata është e përjashtuar nga aplikimi i TVSH-së, pra vlera e TVSH-së është zero.

Skema e deritanishme e rimbursimit të TVSH-së për fermerët nuk ka funksionuar sipas parashikimit. Qeveria ka menduar të ndryshojë skemën, duke kërkuar të incentivojë fermerët që zhvillojnë veprimtari ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar sipas ligjit për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB). Për këto të fundit nuk ka kufi minimal të rregjistrimit në TVSH, sikundër është në rastin e fermerit individual (5 milion lekë). Ndryshimi i mësipërm i krijon mundësinë të gjithë fermerëve të bashkuar në shoqërti që ta përfitojnë TVSH e produkteve të shituara drejtpërdrejt nga SHBB, ndërkohë që me skemën e deritanishme nuk nxitej kooperimi në bujqësi dhe, edhe eksportuesit, edhe përpunuesit nuk i tërhiqnin sasitë minimale të produktit të fermerëve, duke krijuar stoqe prodhimi tek fermerët dhe dëmtim të produkteve apo edhe kosto të rënda për fermerin. Tashmë mbetet të provohet që skema e bashkimit të fermerëve në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, për të pranuar që do të ketë kthim të TVSH-së tek fermeri dhe jo tek grumbulluesit apo grosistët që përfitonin jashtë çdo logjike. Mbetet të verifikohet skema e re sapo ajo të hyj në fuqi, pas botimit në fletoren zyrtare.