Taksat, që nuk zenë vend

Taksat, që nuk zenë vend
1 Gazeta T&I Durrës Nr 23

Që taksat mbi biznesin ndryshojnë vazhdimisht dhe nuk zenë vend është një fakt i rëndomtë që pranohet nga të gjithë. Shifrat flasin vetë: TVSH ka ndryshuar rreth 90 ndërsa Tatim Fitimi rreth 75 herë. Qeverisjet vijojnë të “luajnë” me taksat, nën një të drejtë që ofron buxheti i shtetit, që gjithnjë shoqërohet me paketat fiskale respektive që, ose “axhustojnë” të ardhurat, ose stimulojnë politika populiste qeveritare në favor të grupeve të caktuara të interesit. Kështu ka ndodhur e kështu duket se ndodh! Në fakt, të gjitha qeveritë në çerekshekullin e fundit nuk kanë mundur të tregojnë se mbi cilat baza janë nisur kur kanë parashikuar ndryshime të rëndësishme fiskale, cilat studime të thelluara kanë çuar në rritje të taksave e tatimeve apo në ulje të tyre, cilat praktika dhe përvoja europiane e ndërkombëtare janë marrë për bazë dhe, në fund të ditës, cilat kanë qënë efektet në buxhet nga ndryshimet e tilla fiskale. Nuk ka asgjë të tillë! Ajo që quhet taksë e sheshtë që sjell më shumë të ardhura, anatemohet menjëherë sepse nuk i ka sjellë këto të ardhura sipas parashikimit. Ajo që quhet taksë progresive dhe pretendohet që të taksojë ndershmërisht taksapaguesit, anatemohet menjëherë sapo hyn në fuqi, sepse nuk sjell të ardhurat e dëshiruara dhe diskriminon kategori të caktuara taksapaguesish. Për hir të së vërtetës, në tërë këto vite të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut, nuk ka treguar kush se cili është sistemi më efikas në kushtet konkrekte të ekonomisë shqiptare, cili sistem sjell më shumë të ardhura. Ndërsa, për përdorimin efektiv dhe efiçient të parasë së mbledhur, asnjëherë nuk është bërë një analizë e vërtetë. Vendin e tyre, pra të politikave fiskale të studiuara, e zënë nismat e orës së fundit, në të shumtën e rasteve të pakonsultuara me bizneset, taksapaguesit që plotësojnë “pjesën e luanit” të tërë sistemit të të ardhurave në buxhet, ta pakonsultuara as me faktorë jashtë interesit, sikundër janë studio ligjore të fiskut, apo edhe akademikët dhe profesoriati, që kurrë ndonjëherë nuk ka arritur të bëjnë një oponcencë konstruktive për çështje të tilla kaq të rëndësishme për ekonominë, konsolidimin fiskal dhe rritjen ekonomike të vendit. Duket sikur qeveritë i përngjasojnë njëra tjetrës në këtë drejtim, tamam si vëllerëzit siamezë.
Ç’po ndodh tani në fund? Qeveria ndryshoi pragun e rregjistrimit në tatimin e vlerës së shtuar. Ndryshe u tha, ndryshe u bë! U premtua që nuk do të ketë asnjë lloj pragu, pastaj u vendos pragu duke e ulur atë. Argumentat “pro” e “kundër” nuk munguan, por mungoi tërësisht analiza fiskale, ekonomike dhe profesionale se çfarë do të sjellë në buxhet ky ndryshim. U tha vetëm se do të luftohet informaliteti dhe se do të zgjerohet baza e tatimpoaguesve. Në të vërtetë, me shkrimin “TVSH, një taksë e shtuar” në numrin e kaluar të kësaj gazete, Dhoma ka argumentuar se ulja e pragut të TVSH në 2milion Lekë është në fakt një rritje taksash, e cila e ul fitimin rreth 40 deri 50%, për të gjitha bizneset që do të ruajnë çmimet e mëparshme. Ky efekt negativ mbi biznesin e vogël që rihyn në regjistrin e TVSH, sikur është kuptuar edhe nga vetë Qeveria. Javën që shkoi u prezantuan disa nga nismat e fundit që Ministria e Financave ka materializuar, pas iniciativave publike të Kryeministrit. Më e rëndësishmja ishte nisma që bizneset nga 8 deri në 14 milionë do të kenë tatim-fitimi 5 %.
Ministria e Financave tha, në një deklarim publik se, ka materializuar draftligjin për mendimmarrje në institucione të tjera dhe saktësoi që ky ndryshim do të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari i vitit 2019.
Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatim-fitimit 15%, me luhatje të qarkullimit nga zero deri në miliarda, dhe nga këto, 10,800 apo 50% të tyre iu zbritet tatim-fitimit në 5%. Pra, duke iu shtuar dhe atyre që përfitojnë nga tatim-fitimi i thjeshtësuar, bëhen mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejpërdrejtë takse. Kjo është llogaria që bën dikasteri i financave.
I bashkuar së fundi me dikasterin e ekonomisë, ky institucion do të duhej që, më së fundi, të kombinonte politikat ekonomike me ato fiskale dhe të argumentonte ekonomikisht ndryshimet që sjellin rritjen e të ardhurave. Por as tani kjo nuk ndodh. Tani thjesht ministria iu është drejtuar “mendimdhënësve”, sikundër deklarohet publikisht, për të mbledhur komente për ndryshimin e fundit fiskal. Në fakt, mendimdhënës duhet të ishin institucionet e përfaqësimit të biznesit, dhomat publike të tregtisë dhe industrisë, apo edhe institucionet ligjore të përfaqësimit si Këshilli Konsulatitv i Biznesit, Këshilli Ekonomik Kombëtar, Këshilli Kombëtar i Tatimeve, Këshilli Kombëtar i Punës e të tjerë, por që nuk funksionojnë prej vitesh dhe prej vitesh nuk gjen asnjë analizë, koment, vëzhgim, kundërshti, oponencë prej tyre (me përjashtime shumë të rralla, që, sakaq, edhe ato nuk merren në konsideratë.)
Tani qeveria do ta ndryshojë përsëri ligjin për tatim fitimin (ekspertët e fushës thonë se është ndryshimi i 79-të), ndërkohë që ka relatur edhe një bilanc përfituesish. Sipas qeverisë, nga 110 mijë biznese aktive, mbi 93-95 mijë e kanë tatim fitimin nga zero deri në 5%. Pra, 90% e bizneseve të Republikës së Shqipërisë kanë përfituar ulje takse, janë 90 % e sipërmarrjeve shqiptare që në mandatin e parë dhe të dytë të qeverisë Rama, kanë përfituar ulje të ngarkesës fiskale. Janë 93-95 mijë biznese nga 110 mijë biznese. Nga 110 mijë biznese aktive, 93 mijë kanë përfituar dhe përfitojnë ulje të konsiderueshme të tatim-fitimit nga 15% në 5% apo zero. I vetmi koment për këtë draft është se biznesi i vogël që ka rihyrë në TVSH, nuk përfiton asgjë nga këto ulje, pra ai do të ketë fitim shumë më të vogël, nëse nuk rrit çmimin e produkteve të tij.
Ndryshime të tjera fiskale.
E dyta, e raportuar deri tani si lehtësi fiskale për sipërmarrësit, është nxitja për prodhimin e energjisë së rinovueshme diellore, ku një sërë produktesh dhe teknologjie përjashtohen nga TVSH-ja për makineri dhe pajisjet në import, që është, sikundër deklaron Ahmetaj, një politikë shumë ndihmuese edhe për rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë.
E treta, që ka qenë një diskutim i gjatë dhe një iniciativë e Kryeministrit, është nxitja për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, pra bashkimet bujqësore, ku tatim-fitimi do të shkojë 5 %. Pra qeveria ka bërë 2 lëvizje: ngriti pragun e TVSH-së për to, për t’i trajtuar si fermerë të mëdhenj, pra që këta fermerë që bashkohen të mos kenë “frikën” e TVSH-së, dhe tani ul dhe tatim-fitimin nga 15 % në 5 %.
Agroturizmi – tatim-fitimi zbret në 5%, në bazë të definicionit që ka nxjerrë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Do të kenë TVSH të reduktuar për një sërë shërbimesh 6%, përjashtim nga taksa e infrastrukturës për investime. Pra, balancohet paketa për strukturat e shërbimit me 4 deri në 5 yje, me paketën për agroturizmin, një ulje e ngarkesës fiskale e drejpërdrejtë.
“Qershia mbi tortë” ka të bëjë me heqjen e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, pra PPP. Nga mesi i vitit 2019 e tutje, nuk do të ketë më oferta të pakërkuara, thotë qeveria. Ofertat do të jenë të kërkuara dhe sigurisht që në këtë rast, studimi i fizibilitetit bëhet nga institucionet qeveritare. Risi të tjera të këtij projektligji janë ekspertiza e specializuar për zhvillimin e projekteve të konçensioneve, që do të futet në ligj; rritja e kontrollit të implikimeve fiskale të kontratave që konçensionit; mekanizmat e zëvëndësimit të konçensionarëve në bashkëpunim me institucionet financiare.
Gjithë sa deklarohet, edhe pse mund e duhet të ketë efekt tek sipërmarrjet, nuk vjen si pasojë e ndonjë studimi serioz dhe të gjerë, si një politikë e studiuar taksash dhe tatimesh, por si një tërësi koregjimesh të vendimeve të mëparshme. Duket sikur qeveria respekton përcaktimin filozofik “demokracia është një sistem koregjimesh të njëpasnjëshme”. Por, me studime më sistemike mund të kishim shumë më pak koregjime, për periudha më të gjata. Kjo do t’i jepte mundësi bizneseve të mendonin edhe për manaxhimin strategjik, i cili është pothuaj i pamundur, kur taksat nuk zenë vend!