Tërmeti në Shqipëri dhe dëmet ndaj biznesit

Tërmeti i 26 Nëntorit ka sjellë dëme të shumta në qindra biznese të vogla dhe të mëdha në Durrës. Organizatat e biznesit i kanë kërkuar qeverisë masa lehtësuese për të rikthyer njerëzit në punë. Durrësi është rajoni i tretë në Shqipëri për nga pesha ekonomike e tregtare që përballon prurjet më të madhe turistike në sezonin veror.

Nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës Lavdosh Petoshati doli shëndoshë e mirë pas katër orësh, falë ndihmës së punëtorëve të tij. Pronari i “Pespa Alumin” e sheh kompaninë në ditën më të vështirë ,që kur e ka ngritur, para gati 20 vitesh, pasi dëmet në godina janë të mëdha dhe mbi të është barrë edhe një kredi në miliona euro.

“Kompania ka 300 punëtorë të cilët janë nga rrethi i Durrësit, njerëz të cilat kanë nga 18 vjet,17 vjet, 13 vjet dhe sot a mund ti themi këtyre njerëzve që sot janë specialistë të kësaj kompanie që do të të lemë 10 ditë në shtëpi apo një muaj, nuk e bëj dot. Unë do vazhdoj deri ditën që do kem frymë, do i mbaj”.

Sipërmarrësi i prodhimeve të aluminit në Shqipëri në këtë fabrikë me rreth 30 mijë metër katrorë thotë më tej se kërkesa e punëtorëve është të rifillojnë punën. Ai thotë se ka arritur të përshtasë mjediset e padëmtuara që të mundësojë kthimin e shpresës me fillimin e disa proceseve.

“Në qoftë se njerëzit do ti punësosh është si puna e shkollave që të hapen, krijohet një lloj gjallërie me njerëzit, të cilët janë të vrarë, janë të shkatërruar dhe kjo gjë do ti bënte t`ua hiqte pak ato gjërat e këqija të tërmetit. Me punonjësit e mi dhe me gjithë stafin kam folur nëpër telefona që ditën e dytë dhe njerëzit kanë kërkuar që duan të fillojnë puë. Nuk pranonin të rrinin qoft edhe tre ditë pa punë”.

Mbi 20 biznese të tilla të mëdha me nga 100 deri në 300 punëtorë në Durrës kanë pësuar dëmtime të godinave nga tërmeti me humbje në miliona euro. Rikthimi i prodhimit shihet jetik për ardhmërinë e tyre, sidomos në peshën që bizneset kanë në punësim. Kryetari i Dhomës së Tregëtisë së Durrësit Alban Isteri flet për Zërin e Amerikës për situatën e biznesit pas tërmetit.

“Dëmet krysore janë në infrastrukturë, janë shumë biznese prodheues të mëdhenj por edhe biznese të vogla që kanë pësuar dëme të parikuperueshme në miliona e milia euro të cilat e kanë pothuajse të pamundur në një kohë të shpejtë të rehabilitojnë situatën në të cilën ndodhen. Ka mangësi të mëdha të fuqisë puntore për shkak të situatës pasi një pjesë e mirë e punëmarrësve nuk janë paraqitur dhe kompanitë punojnë me 50% të kapaciteteve”.

Zoti Isteri thotë më tej se Asambleja e Dhomës së Tregëtisë i ka propozuar qeverisë qeverisë një paketë masash ndihmëse.

“Pikësëpari masat konsitojnë në një koordinim më të mirë për dëgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe çertifikimin e godinave me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurtë për punëmarrësit, lehtësira fiskale për bizneset në Qarkun Durrës, duke i pezulluar të gjitha detyrimet fiskale për një periudhe 3 vjeçare, (tatim fitimi, sigurime shoqerore, TVSH, taksa vendore etj), rimbursimin e TVSH për ndërtuesit dhe fasonistët Lobimin nëpërmjet Bankës Së Shqipërisë për pezullimin e pagesave të kësteve të kredive pë një periudhë një vjeçare, etj”.

Kryetari i Dhomës së Tregëtisë së Durrësit , një organizëm joqeveritar tha më tej se ishte kërkuar edhe angazhimi i Agjensisë së Mbikqyjres Financiare për të monitoruar pagesat e dëmeve për bizneset e siguruara si dhe propozime të tjera për të lehtësuar pozitën e biznesit të goditur nga pasojat. Qarku i Durrësit është qarku i tretë më i madh në Shqipëri ku jeton 10,1 % e popullsisë ndërkohë që numri i të punësuarve përbën 7,5 % të numrit të përgjithshëm në Shqipëri. Zona përballon prurjen më të madhe turistike dhe rikthimi i standarteve të shërbimeve në këtë sektor pritet të jetë një sfidë për sezonin e ardhshëm veror.
©Copyright VOA

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin