Vendorët me sytë tek prona dhe biznesi

Vendorët me sytë tek prona dhe biznesi
2 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Një ndryshim thelbësor për taksën mbi pronën, praktikisht “ndërtesat”, është miratuar së fundmi nga Qeveria. Baza e kësaj takse nuk do të jetë më sipërfaqa, por vlera e tregut të vetë ndërtesës. Kështu, në Paketën Fiskale të vitit 2018, të propozuar nga Qeveria, është përcaktuar që taksa e pronës për ndërtesën e banimit të jetë 0.05% e vlerës së saj në treg, ndërsa për ndërtesën që përdoret apo shfrytëzohet për veprimtari ekonomike, taksa e pronës të jetë 0.15% e vlerës së saj në treg. A do të paguajnë më shumë apo më pak qytetarët dhe bizneset? Meqë efekti në buxhet është llogaritur në plus 2.4 miliardë lekë, rrjedh që ata duhet të paguajnë edhe më tepër se më parë. Bashkia e Tiranës ka avancuar edhe më shumë duke parashikuar të taksojë më tepër pronat në qenndër në krahasim me ato periferike. Nuk dijmë akoma si do të veprojë Bashkia Durrës, kur të miratojë Paketën Fiskale 2018 të saj.

Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë këtë taksë, duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit në draft, kjo kategori duhet të paguajë 30 % të taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, të cilën zhvilluesi nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në lejen e ndërtimit!

Nga kjo taksë përjashtohen disa kategori mes të tjerave edhe hotelet me 5 yje që kanë status special.  Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ahmetaj, i pyetur për këtë taksë në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave ka shpjeguar se “sa i përket taksimit të ndërtesave, po kalojmë në llogaritje të bazës së taksës nga një taksim fiks tek vlera e tregut. Diferecimi do të bëhet për banesat përpara vitit ’93, edhe si një instrument mbrojtjeje sociale. Do të krijohet Kadastra Fiskale, një proces dhe instrument që nuk bëhet brenda një dite dhe do të bëhet ridimensionim i përgjegjësive të njësive të qeverisjes vendore për administrimin dhe mbledhjen e taksës”. Në fakt, ky ridimensionim i përgjejgësive do të thoshte një sforcim tepër i madh për Bashkinë Durrës, e cila për vitin 2016 mblidhte vetëm 36% të kësaj takse, bazuar mbi sipërfaqen dhe jo mbi vlerën e tregut të pronës!

Sipas relacionit që miratoi qeveria në mbledhjen e saj të fundit, taksimi mbi bazë vlere tregu kërkon caktimin e vlerës së drejtë të tregut dhe për këtë një element i rëndësishëm është ekzistenca e një tregu aktiv të pasurisë së paluajtshme. Aktualisht, tregu më aktiv është tregu i ndërtesave dhe për këtë arsye, synohet të fillohet me kategorinë ‘ndërtesa’ dhe më pas, në një fazë tjetër, të përfshihen edhe kategoritë e tjera të pasurive të paluajtshme objekt të kësaj takse, si trualli dhe toka bujqësore.

Qeveria duket se e ka zgjidhur edhe llogaritjen e vlerës së banesave ekzistuese. Institucione të ndryshme shtetërore aktualisht përllogarisin dhe miratojnë vlerën e tregut të ndërtesave. Këshilli i Ministrave miraton çdo vit kostot mesatare të ndërtimit të ndërtesave të aplikuara nga Enti Kombëtar i Banesave. Kjo bazë e mirë të dhënash është aktualisht në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe e përdorshme për përcaktimin e vlerës së tregut të ndërtesave.

Në ndërkohë, pas miratimit dhe zbatimit të Ligjit nr. 81/2016 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, shumë ndërtesa janë të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me vlerën e tregut. Miratimi i këtij ligji ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm për taksimin mbi vlerën e tregut. Që do të thotë, të gjithë ata që për arsye të ndryshme rivlerësuan banesat e tyre, do të duhet të paguajnë taksën e ndërtesës mbi bazën e çmimit të rivlerësuar

Ndonëse me vetëm 3 ditë kohë dhe jo 2 muaj sa e përcakton ligji periudhën e diskutimit, komuniteti i biznesit arriti të formulojë kërkesën që taksa e pronës për bizneset prodhuese të jetë jo 0.15%, por vetëm 0.05%  e vlerës së saj të tregut.

Taksa e re e tabelës

Në draftin e qeverisë është bërë një ndarje më e detajuar e kategorive të tabelave. Në total janë katër  ndarje ku e para është “tabela për qëllime identifikimi, të trupëzuara, ose jo brenda territorit, ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri/ose aktiviteti i biznesit)”.

Pikërisht këtu është edhe risia ku kjo kategori ka të paktën pesë nënndarje të tjera. Edhe me këtë skemë për një tabelë deri në 2 metër katror biznesi paguan zero taksë por rritje progresive  të saj ka edhe rritje të çmimit. Nga ana tjetër ka edhe një ndarje sipas llojit : e thjeshtë, e thjeshtë me ndriçim dhe elektronike.

Me kategorizimin e ri për një tabelë të thjeshtë (pa ndriçim) 2 m2 deri në 10 m2 taksa në Bashkinë Tiranë dhe Durrës është 15 mijë lekë m2. Për Bashkinë Shkodër dhe gjithë ato të renditura në kategorinë 2, taksa vjetore është 10 mijë lekë m2/vit.

Shembull: Një biznes në Durrës ka të vendosur një tabelë të thjeshtë pa ndriçim, e cila është 15 metra katror. Shuma e taksës që ky biznes do të paguajë do të ishte: (10 m2 x 15 000 lekë) + (5m2 x 12 750 lekë) = 150 000+63 750= 213 750 lekë në vit ose (17 812 lekë/muaj). E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për sipërfaqet e tabelave mbi 20 m2 dhe mbi 40 m2.

Përmbledhtas, Qeveria, pa u lodhur shumë në diskutime me palët e interesuara, ka ngarkuar vendorët që t’i kenë sytë tek pronat dhe biznesi! Sepse, prej andej duhet të vijnë të ardhurat më të rëndësishme për buxhetet vendore. Natyrisht, nuk është harruar të porositet që këto të ardhura të shpresuara të shpenzohen me nikoqirllëk, në favor të zhvillimit ekonomiko shoqëror të komunitetit!