Energjia e liberalizuar, më e shtrenjtë

Energjia e liberalizuar, më e shtrenjtë
2 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, sikundër ishte edhe parathënë, ka filluar të shfaqë problemet e para. I nisur me nxitim, i pa axhustuar me mendimin dhe pervojën e biznesve të fushës, i anuluar dhe rianuluar disa herë në afatet e zbatimit të tij, tashmë tregu i energjisë së libëralizuar po vuan pasojat e një pune jo profesionale. Problemet e para për sipërmarrjet ishin ato të mungesës në treg të operatorëve që tregtonin energji elektrike, të cilët nuk u akomoduan shpejt me bizneset që përdoronin energjinë e liberalizuar. Kompanitë tregtare kërkonin kuota të larta furnizimi, kompanitë nuk kishin nevojë për këto kuota. Kompanitë e tregtimit kërkonin afate të gjata dhe të garantuara furnizimi me energji, komparitë përdoruese nuk e kishin krijuar ende besimin tek këta operatorë të rinj në treg, pa përvojë dhe pa ndonjë histori biznesi.

Kjo pamje e tregut kërkoi ndërhyrjen e rregullatorit të energjisë, i cili përcaktoi edhe kriteret që do të ndiqeshin, përsa kohë konsumatori i tensionit të liberalizuar dhe operatorët e tregut në Shqipëri nuk do të kishin mundësi të gjenin njeri tjetrin. Për të gjithë operatorët që nuk kishin mundësi të gjeni furnizuesi e tyre, do të përgjigjej për dy vjet Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (një emër paragjykues ky) që do të ishte pjesë e operatorit publik të furnizimit. “Hileja” ishte që çmimi i energjisë elektrike, i cili do të ishte i liberalizuar në favor vetëm të kompanisë tregtare, sepse Enti Rregullator i Eneergjisë Elektrike do të merrte përsipër të caktonte me vendim çmimin e energjisë. Kështu ndodhi që ky çmim të ndryshohej për çdo muaj dhe bizneset të mos e kënë kurrë në bilancet e tyre të parashikuara më herët koston e produktit që blejnë për çdo ditë.

Operatorët publikë, me një “gur, vranë dy zogj”, që do të thotë se, edhe përfituan nga tarifa e rritur e energjisë (kjo është tendenca e përgjithshme e caktimit zyrtar të çmimit), edhe “gjuajtën” kompanitë, të cilat për arsye të ndryshme nuk mundën të lidhnin kontrata me tregtarët e energjisë me shumicë.

Kështu çmimi i energjisë për subjektet e lidhura në 35 kilovolt, në muajin korrik regjistroi nivelin 12.86 lekë/kwh. Sikurse thamë, bëhet fjalë për të gjithë ato subjekte që kanë detyrimin e sigurimit vetë të energjisë nga tregu i lire, por që në pamundësi të gjetjes së një furnizuesi, po e marrin këtë shërbim nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, që në këtë rast është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Në krahasim me muajin dhjetor, kur nuk kishte filluar ende liberalizimi i tregut të energjisë, dhe kur energjia tregtohej me tarifë të përcaktuar prej 9.5 lekë/kvh, çmimi është 35.4% më i shtrenjtë.

Në një vendim të Entit Rregullator të Energjisë bëhet me dije se është kjo tarifa që ka kërkuar OSHEE për muajin korrik, e cila do të shërbejë si tarifë faturimi për këto biznese ndërkohë që jepen në detaje arsyet se pse kemi këtë çmim. ERE nuk tregon se si e qysh OSHEE e kalkuloi këtë tarifë!

Nëse ERE do t’i hynte shpjegimeve, atëhere do t’i duhej të sqaronte s efatura përmban akoma “borxhin e keq” (faturat e atyre që nuk paguajnë), borxhin ndaj CEZ, prej 40 milion dollarë në vit, por edhe faturën e majme të FSHU.

Të pyetur për këtë vendim, zyrtarë pranë ERE që nuk pranuan të identifikohen thanë se “çmimi maksimal i blerjes së energjisë elektrike për periudhën e furnizimit nga tregu i parregulluar ose blerja nga prodhuesit me përparësi (BRE) është e barabartë me çmimin vjetor të blerjes së energjisë elektrike për vitin 2018 prej 8.5652 Lekë/kWh, me riskun 3% mbi çmimin e blerjes; çmimi maksimal rezulton 8.82 Lekë/kWh”. Po i njëti burim theksoi se “kemi një kosto administrative gjithsej 1.79 Lekë/ kWh. Këtyre u shtohen edhe tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit nga OST sh.a që është 0.75 Lek/kWh

Tjetër është tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV, miratuar me Vendimin Nr. 211, Datë 28.12.2017 “Mbi fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të OSHEE sh.a. për tarifat e shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike sipas nivelit të tensionit dhe lënien në fuqi të çmimeve me pakicë për klientët që shërbehen nga furnizuesi i shërbimit universal për vitin 2018” është 1.5 Lek/kWh.

Ky është çmimi më i lartë me të cilin do të përballen bizneset e nxjerra në tregun e lirë që nga momenti kur nisi procesi i liberalizmit. Në janar energjia u sigurua me një tarifë prej 11.6 lekë/kWh ndërkohë që në shkurt-maj edhe pse OSHEE kërkoi tarifa më të ulët, ERE miratoi një dysheme 9.5 lekë nën argumentin se nuk kishte një analizë të kostove nga ana e kompanisë publike.

Numri i bizneseve të lidhura në 35 kilovolt është i kufizuar me rreth 80 të tillë ku pjesa më e madhe vijojnë të marrin shërbimin nga OSHEE. Rreth 10 për qind e këtij totali kanë dalë në treg të lirë dhe sigurojnë të vetëm energjinë pa ndihmën e kompanisë publike.

Grupi i dytë i bizneseve që do të dalin në treg të lirë është ai i 20 KV që pritet të zërë vend në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky kontingjent do të ketë mundësi që në rast se nuk gjen furnizues në treg të marrë energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, sipas të njëjtit parim dhe metodologjie që aplikohet për grupin 35 kilovolt. Periudha e tranzicionit drejt liberalizmit dhe kur OSHEE do të japë asistencën e saj është të paktën dy vjet nga afati kur është bërë shkëputja nga tregu i rregulluar. Do jetë më e shtrenjtë energjia edhe për këtë grup të dytë? Ndoshta, sepse as OSHEE dhe as ERE nuk i konsiderojnë argumentat e Dhomës që çmimi i energjisë në vendin tonë, ku në të shumtën prodhohet nga uji, duhet të ulet. Këta janë pjesë e grupit që “nuk do dhe nuk na dëgjon”!