“Fshati i mençur” dhe IT

“Fshati i mençur” dhe IT
1 Gazeta T&I Durrës Nr 23

A ka ndonjë lidhje ndërmjet zhvillimit bujqësor dhe përdorimit të IT (Teknologjia e Informimit)? Cilën përqasje duhet të ndjekim për të zhvilluar më tej zonat rurale? Cili është dhe si paraqitet rasti i Shqipërisë? Këto ishin disa nga pyetjet të Dhomës për Z. Petraq Papajorgji, Profesor i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë. Përgjigjet e tij, në ligjëratë të drejtë, po i rreshtojmë si në vijim:
“Ndërsa Shqipëria po bëhet gati të hyjë në Komunitetin Europian, numri dhe vështirësia e sfidave që duhet të kapërcejë janë të konsiderueshme. Vecanërisht procesi i ripërtëritjes së bujqësisë është i vështirë edhe për vetë faktin që bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vëndit.
Me këtë shkrim, nuk pretendojmë të japim zgjidhje të plotë këtij problem të komplikuar, por dëshërojmë më tepër të paraqesim një filozofi që është zbatuar me sukses nga shumë shtete të tjera dhe mund të zbatohet me sukses edhe në vendin tonë.
Ripërtëritja e bujqësisë shqiptare duhet të realizohet në kushtet kur mjedisi teknologjik ka avancuar në mënyrë të ndjeshme. Aktualisht, Interneti është shndruar në një platformë tërësore që ka ndryshuar rrënjësisht modelin e biznesit pothuaj në të gjitha fushat e veprimtarisë njerzore.
A ka lidhje zhvillimi i Teknologjisë së Informacionit (IT) me rritjen ekonomike e vendit? Studimet e shumta në këtë fushë tregojnë se deri në vitet 1990 nuk kishte ndonjë lidhje organike ndërmjet rritjes së investimeve në fushën e IT dhe rritjes ekonomike. Por, vecanërisht pas krizës së viteve 2000, rritja e investimeve në IT në një vend ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e prodhimit të brendëshëm të atij vendi. Aktualisht, është e veshtirë të imagjinohet ndonjë sektor i ekonomisë që nuk është i lidhur ngushtë me përdorimin e teknologjisë së informacionit. Statistikat tregojnë se në shumë vënde të botës, nuk mund të arrihet rritja ekonomike e vendit pa rritjen e investimeve në IT.

Një shëmbull i suksesit të perdorimit të IT në rritjen e ekonomisë ka qënë edhe iniciativa e njohur me emrin “smart city” (qytet i mençur). Një përkufizim i konceptit “smart city”, i pranuar gjërësisht, është: “një njësi administrative territoriale që përdor gjërësisht IT me qëllim që të rrisë nivelin e efikasitetit operacional, të ndajë informacionin me publikun dhe të përmirësojë cilësinë e qeverisjes dhe mirëqënien e banorëve të saj”.
Qasja “qytet i mençur” po përdoret përherë e më shumë për të përmirësuar shumë aspekte të jetës së përditëshme, duke filluar nga përmirësimi i sigurisë së banorëve me anë të monitorimit të zonave më probleme të rënda të krimit, me anë të përdorimit të sistemeve të sensorëve. Janë të shumta iniciativat e tipit “ndërtime të mençura”, “trafik i mençur”, “sensorë të mençur”, etj. Thelbi i këtyre iniciativave “të mençura” është mbledhja e informacionit me anë të sensorëve për t’u paraprirë problemeve të ndryshme. Si shëmbull mund të përmendim përdorimin e sensorëve për të mbledhur të dhënat klimaterike për zonat bujqësore, që të parandalojnë si thatësirat ashtu edhe përmbytjet, dy fenomene shpesh herë me pasoja katastrofike për vendin.
Suksesi i qasjes “qytet i mëncur” bëri që ajo të konsiderohej seriozisht edhe për proçesin e ripërtëritjes së zonave rurale. Në shtator të 2016, në qytetin Kork të Irlandës u mblodhën rreth 340 studjues e përfaqësues të komuniteteve të biznesit, për të hartuar vizionin e ripërtëritjes së zonave rulale të Bashkimit Europian. Me parrullën “Për një jete më të mirë në Zonat Rurale” deklarata e mbledhjes së Corkut, paraqiti kërkesat dhe pritjet e mundëshme për ripërtëritjen e zonave rurale. Një ndër objektivat kryesorë të kësaj deklaratë ishte ngushtimi i hendekut dixhital që egziston midis zonave të fshatit me ato të qytetit. Në deklaratë saktesohet që rëndësi të dorës së parë do t’u jepet qasjeve të kombinuara dhe dialogut ndërmjet politikave të përdorura në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me qëllim rritjen e koherencës dhe komplementaritetit.
Koncepti qytet apo fshat i mençur është bërë një fenomen i përgjithshëm dhe objekt studimi për kërkuesit shkencorë në të gjithë botën. Arësyeja pse koncepti qytet apo fshat i mençur janë bërë tema të kërkimeve shkencore është kryesisht për shkak të zhvillimit të vrullshëm të IT.
Të kthehemi tek rasti i Shqipërisë e të analizojmë disa të dhëna. Bujqësia në Shqipëri është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, e cila gjeneron rreth 17.7% të GDP, punëson rreth 55% të popullsisë së zënë më punë në tërësi. Të gjitha statistikat tregojnë se bujqësia ka qenë dhe do të mbetet aktiviteti kryesor i ekonomisë së vendit edhe në të ardhmen. Nga raportet e Komunitetit Europian del se problemet më të mprehta për ndryshimin e gjëndjes së bujqësisë në Shqipëri janë:

1. Sipërfaqja shumë e vogël e ekonomive bujqësore, 1.2 ha në krahasim me 14 ha për Europën,
2. Migrimi i popullsisë nga fshati në qytet,
3. Niveli i ulët i teknollogjisë së përdorur
4. Organizimi i ulët i fermerëve dhe niveli i ulët i industrisë së përpunimit të produkteve bujqësore.
Por, problemi më i mprehtë, nga zgjidhja e të cilit varet totalisht avancimi i zhvillimit të bujqësisë, është ai i sipërfaqes shumë të vogël të fermave bujqësore. Më përmasat aktuale të fermave bujqësore, kryesisht të bazuara në një familje me pak tokë dhe me ndonjë lopë, është pothuaj i pamundur bashkëpunimi midis fermerëve dhe aplikimi i ndonjë teknologjie, i domosdoshëm për rritjen e prodhimit bujqësor. Vihet ende re paranoja shoqërore e konceptit të kooperativës komuniste, koncept mjaft i hidhur për fshatarësinë shqiptare. Zgjidhja e këtij problemi kërkon mbështetjen e fuqishme të qeverisë që duhet të sqarojë masat e popullsisë që kooperativa e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me kooperativat komuniste. Qeveria duhet të ndërtojë ambjentin e nevojshëm politik e shoqëror që siguron popullsinë në zonat rurale që nuk ka kthim mbrapa të historisë.
Një problem tjetër i rëndësishëm është ai i pronësisë së tokës. Reforma 7501 krijoi një konfuzion total lidhur me pronësinë mbi tokën. Problemet ligjore të kësaj natyre, pengojnë ardhjen e investimeve të huaja të domosdoshmë për zhvillimin e bujqësisë.
Cila është rruga e Shqipërisë drejt zbatimit të filozofisë së fshatit të mençur? Përgjigjen këtij problem ja ka dhënë Mahatma Gandhi që shprehet që fshati do të zhvillohet duke vënë mjete globale në dispozicion të nevojave lokale. Gandhi sugjeron se rruga më e shpejtë dhe efikase është zhvillimi nga poshtë lart. Ҫdo njësi administrative duhet të zgjidhë problemet e veta me qëllim që të plotësojë nevojat e veta. Kjo arrihet vetëm me punë të madhe dhe inteligjente.
Tashmë shumë vende të botës kanë filluar aplikimin e qasjes “fshat i mençur” me shkallë të ndryshme suksesi. Si të tilla mund të përmendim Kinën, Indinë e Bangladeshin. Karakteristikë e përbashkët e këtyre vendeve është fakti së kanë ndërtuar fillimisht ekosistemin e fshatit “të mençur”. Me ekosistem kuptohet tërësia e ndërmarjeve bujqësore, fermerëve, institucioneve lokale e qendrore si dhe teknologjia e informacionit, në mënyrë që të lehtësohet kominikimi midis privatëve dhe shtetit, me ambjentin e jashtëm shoqëror dhe ekonomik, për të përdorur në mënyrë racionale burimet natyrore, financiare dhe ato njerzore me qëllim ofrimin e shërbimeve të shumta popullsisë në zonat rurale.
Qeveria shqiptare duhet të nxjerrë mësime nga eksperienca e vendeve të tjera: ndërtimi i ekosistemit për “fshatin e mençur” kërkon koordinimin e shumë faktorëve të ndryshëm, lokalë dhe globalë, privatë dhe publikë. Ndërtimi i ekosistemit kërkon një punë serioze dhe studime të shumta përpara se të fillojë zbatimi konkret. Edhe eksperienca botërore tregon së pa një mbështetje të fuqishmë nga ana e qeverisë, nuk është i mundur zbatimi me sukses i qasjes së “fshatit të mençur”. Qeveria duhet të ndihmojë në këto drejtime:
 Ndërmarjen e një fushate për edukimin e popullsisë me konceptet e sipërmarjes
 Rritjen e aftësive teknike të popullsisë për zgjidhjen e problemeve teknologjike që duhen kapërcyer
 Bashkëpunimin e ngushtë me universitetet për proçesin e trajnimit të popullsisë
Një problem shumë i rëndësishëm, të cilin qeveria mund ta zgjidhë fare lehtë është ai i përqëndrimit monopolist tek AKSHI në të gjithë tenderat në fushën e IT. Ky konçentrim i paparë në duart e një personi, drejtorit të AKSHI-t, ka filluar të shkaktojë probleme serioze pasi kërkon aprovimin e çdo projekti në të tërë vëndin nga një person i vetëm. Është e pamundur që drejtori i AKSHI-t të lexojë çdo projekt që mund të kenë bashkitë e institucionet e vendit. Shumë projekte me vlerë janë hedhur në koshin e plehrave, për arësye nga më të ndryshmet që nuk kanë lidhje me cilësinë e natyrën e problemit që trajton projekti. Një çentralizim të këtyre përmasave nuk e kemi parë as në kohën e komunizmit!
Një projekt që mund të japë rezultate të shpejta, me pak investime private dhe me ndihmë nga shteti, është ai i bujqësisë bio. Mbetjet fekale të kafshëve, sidomos ato të gjedhëve dhe pulave, me pak përpunim, mund të përdoren si pleh për zarzavatet. Duke qënë se këto plehra janë shumë të pasur në azot dhe potasium, duhen përdorur me shumë kujdes, pasi keqpdorimi i tyre mund të shkaktonte atë që quhet ndotje pikësore (point pollution): azoti dhe potasi kalojnë në ujrat nëntoksore dhe mund të marrin drejtim të pakontrollueshëm, duke ndotur edhe burime ujrash të pijshëm. Kontrolli i aplikimit të plehrave me origjinë shtazore mund të arrihet lehtë me përdorimin e sensorëve të mençur, që masin sasinë e azotit dhe potasiumit në tokë në mënyrë të vazhdueshme. Investimi për sensorët dhe ndërtimi i sistemit të softverit që mbledh të dhënat dhe përcakton se cilat janë sipërfaqet që mund të plehrohen, mund dhe duhet të ofrohet si ndihmë nga shteti.
Mendojmë se problemi më i rëndesishëm që nuk mund të zgjidhet pa ndihmën e shtetit, është ai i paisjes me njohuritë minimale të popullsisë në zonat rurale në fushën e teknologjise. Egziston një hendek i madh midis zonave rurale dhe atyre qytetare lidhur me nivelin arsimor, e për pasojë edhe në nivelin e njohjes dhe përdorimit të teknologjisë. Ky problem duhet zgjidhur sa me pare, pasi do të pengojë për shumë kohë avancimin e teknologjisë dhe rritjen e të ardhurave të popullsisë në zonat rurale.
Si përfundim mund të themi se qasja “fshat i mençur” është një rrugë e njohur dhe e suksesëshme, e provuar në shumë vende të botës. Por, kjo qasje kërkon një punë serioze paraprake kërkimore e planifikuese përpara se të vihet në zbatim. Kjo është edhe sfida më e madhe për vendin tonë: përgatitja serioze përpara së të aplikohet në praktikë. Faktet tregojnë të kundërtën: ne nuk kemi shumë durim për të studjuar e planifikuar tërë detajet e duhura, për zbatimin më sukses të një qasjeje edhe pse të tjerët e kanë zbatuar atë me sukses”!