Investimet, pse duhet një ligj i ri

Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) ka parashtruar në një prezantim të sajin për Këshillin e Investimeve (KI) arsyet pse Shqipëria ka nevojë për një ligj të ri  gjithëpërfshirës në fushën e investimeve. Prezantimi “Përafrimi i Legjislacionit Shqiptar me Praktikat më të Mira Ndërkombëtare”, që mban “firmën” e Marc Reichel, ekspert i IFC, nënvizon se ligji aktual i investimeve i vitit 1993 është tepër i vjetruar. Eksperti ndërkombëtar rekomandon që legjislacioni që lidhet me investimet duhet të jetë gjithëpërfshirës, si për investimet e huaja ashtu edhe ato vendase, investimet e rregullta dhe strategjike duke e bërë atë një ligj më të fuqishëm.

Një tjetër arsye që kërkon ligj të ri për investimet është edhe fakti se ligji i miratuar në vitin 2015 po skandon. Në nenin 16 të ligjit “Për investimet strategjike” thuhet se: Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, është data 31 dhjetor 2018.

Praktikisht nga 1 janari 2019 investimet strategjike mbeten të pa mbuluara dhe kjo në një kohë kur qeveria në paketën e saj fiskale të vitit 2018 përfshiu disa lehtësime për investitorët strategjikë dhe ata me status special kryesisht në fushën e hotelerisë.

IFC nënvizon se Shqipëria ka nevojë për legjislacion të ri në fushën e investimeve pasi i nevojitet mbështetje e mëtejshme për politikat vendase dhe të huaja si dhe marrëveshjet bilaterale ndërkombëtare që Shqipëria ka.

  • Çfarë mungon sot në legjislacion

Së pari, mungon pjesa që lidhet me “lirinë për të investuar”, kurse në praktikat ndërkombëtare prezantohet lista negative për të informuar investitorët. Së dyti, mungon pjesa që sanksionon “lirinë për të menaxhuar kompaninë e vet”, ndërsa kjo në legjislacionin ndërkombëtar përcaktohet me një deklaratë për mosndërhyrjen e shtetit.

Mungon pjesa për “detyrimet e investitorit”, pasi sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, për të balancuar ligjin, kjo pjesë mund të shprehë që investitorët nuk kanë vetëm të drejta, por edhe detyrime.

Po kështu mungon pjesa për incentivat e investimit që, sipas praktikave ndërkombëtare, përfshin parimet për vlerësimin e incentivave ekzistuese dhe të reja, nga të cilat të rejat duhet të vendosen në ligjin e ri, ndërsa incentivat aktuale i lihen legjislacionit specifik.

Hartuesit e ligjit të ri rekomandojnë, në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare, edhe pjesën që lidhet me mekanizmin e ankesave, që aktualisht është inekzistent. Ky është një mekanizëm për investitorët që përfshihen për të zgjidhur mosmarrëveshjet në një fazë të hershme.

  • Ministria i përgjigjet nevojës për ligj të ri

Ministria e Ekonomisë ka bërë gati disa ndryshime në ligjin për investimet e huaja, që synojnë rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj.

Ndryshimet, të cilat janë në proces konsultimi, pritet të marrin miratimin e qeverisë dhe nisma synon t’u ofrojë më tepër garanci dhe siguri juridike investitorëve të huaj, të cilët investojnë në Shqipëri, veçanërisht për sa i përket ofrimit të garancive për çështjet e pronësisë dhe garantimit të titujve të pronësisë përballë palëve të treta.

Ministria e Ekonomisë vlerëson se çështjet e pronësisë apo pasiguria juridike, ndikojnë negativisht në investimet aktuale apo ato të pritshme. Investitorët vuajnë pasojat e kësaj situate për shkak të pasigurive juridike që paraqesin titujt e pronësisë dhe nevojës për garanci shtesë, ndërsa nga ana tjetër, kjo situatë rëndon mbi ekonominë vendase.

Rrjedhimisht, kjo nismë synon t’u mundësojë investitorëve strategjikë dhënien e garancive shtesë nga shteti, nëpërmjet mbrojtjes së posaçme shtetërore, për ato situata që shfaqin pasiguri juridike për këta investitorë.

Ministria e Ekonomisë thotë se një pjesë e investimeve të huaja të parashikuara për t’u realizuar në vend, disa herë janë shtyrë në kohë apo në raste të tjera nuk janë realizuar, për shkak se ato janë përballur me një situatë pasigurie juridike, e cila ka efekte negative si për shtetin dhe investitorët. Kjo situatë vërehet shpesh në lidhje me çështjet e pronësisë dhe pasigurinë që sjellin për investimet paqartësitë e titujve të pronësisë.

Pasiguria juridike e titujve të pronësisë është shtuar edhe më shumë, nisur edhe nga gjendja e sistemit gjyqësor shqiptar. Për t’ju përgjigjur kësaj problematike, Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2010 miratoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7764, datë 02.11.1993, me qëllim dhënien e një mbrojtjeje të posaçme për investitorët e huaj. Konkretisht, përfshirja e mekanizmit të mbrojtjes së posaçme shtetërore në vitin 2010 synonte mbrojtjen e investimeve të huaja në rastet kur, për shkak të konflikteve gjyqësore me palë të treta private pengohej realizimi i investimit.

Kjo mbrojtje parashikonte zëvendësimin me të drejta të plota të investitorëve të huaj nga ana e shtetit shqiptar në një konflikt me palë të treta. Sidoqoftë, një nga kufizimet e këtij ligji është se kjo mbrojtje e posaçme shtetërore ishte e kufizuar në kohë deri më datë 31.12.2014, ndërsa ndryshimet e reja ligjore e shtyjnë këtë afat deri në fund të 2018-s.

Për këtë qëllim, veçanërisht për garantimin e titujve të pronësisë mbi të cilat këta investitorë kanë kryer investime, është e nevojshme ofrimi i garancive dhe mbrojtjeve të përshtatshme, me anën e mbrojtjes së posaçme shtetërore, shton më tej Ministria e Ekonomisë.

Investimet e huaja direkte në Shqipëri u rritën 2 për qind në vitin 2017,  në 1.1 miliardë dollarë, niveli i dytë më i lartë për vendin, me energjinë dhe minierat që mbanin pjesën e luanit. Ndërkohë që dy projekte të rëndësishme në energji si gazjsellësi Trans Adriatik dhe Hidrocentrali i Devollit iu afruan përfundimit, investitorë të huaj, të vendosur tashmë në vend, nisën të zgjeronin prezencën në projekte të energjisë së rinovueshme (përfshirë kompaninë austriake Verbund në hidrocentralin e Ashtës apo turqit e Ayen Enerji në hidrocentralin e Poçemit).

Edhe pse pjesa kryesore e investimeve erdhën nga vendet e zhvilluara të Europës në vitin 2017, firmat kineze nisën gjithashtu të investojnë në sektorin bankar, aviacion apo turizëm. Përmasat e investimeve kineze mund të rriten më tepër sapo Pacific Construction of China të nisë punën në Korridorin Blu (Autostrada Adriatiko-Ioniane).

Vlera e Investimeve të Huaja Direkte që kanë hyrë në vendin tonë nga viti 2012 deri në vitin 2017 është e konsiderueshme. Referuar shifrave, viti 2016 dhe 2017 mbajnë rekordin historik me respektivisht 1.10 miliard dollarë dhe 1.11 miliard dollarë. Sa i takon investimeve nga investitorët vendas për t’u investuar në shtete të tjera, të paktën për vitin 2017 ka pësuar rënie të dukshme në raport me vitin 2016. Konkretisht dy vite më parë investimet shqiptare jashtë territorit në formën e IHD-ve ishin 64 milionë dollarë, kurse në vitin 2017 vetëm 24 milionë dollarë, shifër kjo pak a shumë e njëjtë me vitin 2012, kur regjistronin 23 milionë USD.

  • Studimet ndërkombëtare dhe konkurrenca në rajon

Studime ndërkombëtare rekomandojnë se rajoni duhet të heqë dorë nga gara e tij për të ofruar taksa sa më të ulëta dhe se duhet të gjejnë alternativa të tjera të tërheqjes së investimeve, duke vënë theksin tek shteti ligjor dhe përmirësimi i klimës së të bërit biznes. Vetëm lidhur me Investimet e Huaja Direkte, OECD ka bërë një vlerësim me dy komponentë kryesorë. Komponenti i parë është ai i politikave në investimet, që përfshin gjashtë nënkomponentë të tjerë, ku i pari është garancia për shpronësimin. Në këtë tregues, Shqipëria ka marrë 3.5 pikë njëlloj sa Bosnja, por më pak se Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë regjistruar vlerën 4. Nënkomponenti i dytë lidhur me politikat e investimeve është edhe më i dobëti në tërësi për vendin tonë. Bëhet fjalë për sistemin gjyqësor, ku Shqipëria ka marrë një vlerësim 1.5 pikë dhe po kaq edhe Bosnja, ndërkohë që të katërta vendet e tjera janë dukshëm më mirë me Serbinë dhe Malin e Zi, si performueset më të mira.

Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve është nënkomponenti i tretë dhe këtu Shqipëria renditet e parafundit duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën, por ndërkohë pjesa tjetër e vendeve janë më mirë sesa ne. Aspekti ligjor për rregullimin e të drejtave të pronësisë e rendit Shqipërinë sërish para Bosnjës, por në të njëjtin nivel me Kosovën dhe Maqedoninë. Pjesa tjetër sërish janë më mirë.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentiva në taksa, në funksion të rritjes së Investimeve të Huaja Direkte, thuhet në një analizë të fundit të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore”.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin