Per nje pakt me sipermarrjen
Tashmë është bërë e qartë për të gjithë aspirata e Shqipërisë per t’u bashkuar me familjen europiane. Dëshmi të veprimit të këtij prioriteti madhor shqiptar janë pa dyshim antarsimi në NATO, përpjekjet serioze për liberalizimin e vizave, paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe thellimi i reformave në vend, shoqëruar me investime të jashtëzakonshme në infrastrukturë. Por, po aq e qartë për të gjithë është se karta e integrimit europian nënkupton në radhë të parë arritjen e standarteve të përcaktuara për të gjitha fushat e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike. Dhe ky konstatim vlen, sigurisht, edhe për marrdheniet Shtet-Sipërmarrje. Është e vërtetë se kemi një Tryezë Konsultimi të Qeverisë me Sipërmarrjen, se ka patur dhe diskutime të përbashkëta për ligje apo rregulla të reja për sipërmarrjen. Por, megjithatë, ato kanë qenë të pamjaftueshme, joefektive dhe joefiçiente karshi ritmit të ndryshimeve në Shqipëri e në botë, si dhe nevojave reale të sipërmarrjes vendase për t’u adaptuar ndaj tyre. E thënë ndryshe, sipërmarrësit shqiptarë kanë nevojë për rregulla të reja loje, për një pakt të ri e të qartë me shtetin e tyre.
Me vlerësimin më të lartë për nismën private dhe rrezikun që e shoqëron atë, duke njohur rolin kyç të NVM (Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme) në rritjen e punësimit dhe të mirëqënies në Shqipëri, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ftojnë të gjitha institucionet e interesuara të shtetit që të ndërtojnë marrëdheniet me sipërmarrjen në përshtatje me 5 parimet e paraqitura nga:
PAKTI ME SIPËRMARRJEN
I. Krijimi i një ambienti të ngrohtë e gjithnjë miqësor, ku NVM të mund të lulëzojnë, ku sipërmarrja private të ketë vlerësim pozitiv të veçantë
|
II. Zvogëlimi i mëtejshëm i pengesave dhe kostove për të bërit biznes
|
III. Forcimi i një administrate publike në shërbim të NVM-ve, e përgjegjëshme për të thjeshtuar veprimtarinë e tyre sa më shumë e mundur.
|
IV. Rritja e aftësive likuiduese të NVM
|
V. Mbështetja e aftësimit menaxhues të NVM, veçanërisht në drejtim të rinovimit teknologjik dhe përfshirjes në tregun global
|
Në fakt, ky “Pakt” është hartuar në frymën e “Aktit për Biznesin e Vogël”, lançuar nga Komisioni Europian në qershor 2008. Ndër më thelbësoret, duke konsideruar se sipërmarrja private është kontribuesi kryesor i krijimit të buxhetit të shtetit, pakti thekson se duhet dhe mund që, një pjesë shumë më e madhe e këtij buxheti sa deri më sot, t’i kthehet përsëri asaj. T’i kthehet në formën e mbështetjes së sipërmarrjes private me asistencë teknike, grante, kredi “të buta”, fonde të garancisë e plot instrumenta të tjerë të këtillë, të cilët janë bërë tashmë rregull në Europë! Ndërkaq, efekti shumfishues i kësaj mbështetjeje do të rrisë shumë herë më tepër punësimin dhe mirëqënien si dhe vetë buxhetin e shtetit. Prandaj, Dhomat e Tregtisë besojnë në kontributin e të gjithë të interesuarve për përmirësimin dhe plotësimin e këtij “Pakti”, duke e konsideruar atë si një nga mjetet ndihmëse për kalimin e Shqipërisë në një ekonomi të bazuar në dijen. Po ashtu, ato kanë besim të plotë se “Pakti” do të mirëpritet dhe do t’i bëhet jehonë nga liderët politikë, administrata publike dhe mediat.
Andrea Xhavara
Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës
(Mbajtur më 27 Tetor 2009, në Kongresin e IV të Sipërmarrjes Femërore të Forumit AIC)