Që Bujqësia të përparojë (2)

Që Bujqësia të përparojë (2)
1 Gazeta T&I Durrës Nr 25

A ka bujqësia shqiptare produkte, në sasi dhe cilësi për t’u eksportuar, a mund të shtohen ato? Realiteti i sotëm flet për shumë mundësi, që mund të krijohen edhe në sajë të bashkëpunimit edhe me partnerë të huaj, me një vëmendje të veçantë ndaj grumbullimit, ruajtjes, perpunimit, amballazhimit, standartizimit te produkteve dhe lendeve te para. Le të shqyrtojmë më kryesoret prej tyre:
Sektori i perimeve
Shqipëria kultivon perime në 31,176 ha, nga të cilat:
– në sera me ngrohje, 1400 ha
– në sera me ngrohje me lëndë djegëse, 71 ha
– perime të dyta, 1.360 ha (kultivohen mbas korrjes së disa bimëve)
Në Shqipëri prodhohet një gamë e gjerë perimesh të freskëta, si lloje te ndryshme lakrash, sallatë, presh, qepë, bostan, lule lakër, brokoli, domate, speca, trangull, erëza, luleshtrydhe, e të tilla, në një sasi prej rreth 1,4 milion ton/vit. Nga këto, në sera me ngrohje prodhohen rreth 120 mijë ton/vit. Nga të cilat, në sera me ngrohje diellore prodhohen 113 mijë ton/vit dhe në sera me lëndë djegëse prodhohen rreth 7mijë ton/vit. Prodhimi i perimeve për treg nga serat me ngrohje me lëndë djegëse është gjithëvjetor dhe mund të programohet në përputhje me kërkesat e tregut. Prodhimi i perimeve për treg nga serat me ngrohje diellore arrihet në periudhën Prill – Dhjetor. Ndërsa perimet e prodhuara në fushë të hapur i kemi në muajt Maj – Shtator.
Shqipëria ka disa avantazhe, veçanërisht për prodhimin e perimeve natyrale dhe të një cilësie shumë të mirë. Ka avantazh hershmërinë, sepse ka klimë të ngrohtë dhe me shumë ditë me diell, dhe ka toka të pastra e mjaft produktive, ku përdoren fare pak plehra kimike e pesticide. Gjithashtu, ka shumë burime uji të pastër për ujitjen e perimeve. Aktualisht, ekspertët e hortikulturës vlerësojnë se po të garantohet tregu i shitjes në eksport, mund të prodhohen si në ambjente të hapura dhe në serat me ngrohje rreth 140 mijë ton perime të freskëta natyrale, të një cilësie shumë të mirë. Meqë në Shqipëri egzistojnë potencialet për të dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me perime, synimi për rritjen eksporteve të tyre bën të domosdoshëm edhe një bashkëpunim më të fuqishëm dhe të sigurtë me partnerë të huaj, për:
 të garantuar tregun e shitjes se prodhimit. Vetë kërkuesit e këtyre produkteve mund të bashkëfinanconin për ndërtimin e serave me ngrohje me lendë djegëse, me plasmas direkt me ngrohje diellore, apo me panele diellore.
 bashkëfinancimin dhe ndërtimin e depove frigoriferike dhe linjave të larjes, seleksionimit, standartizimit dhe paketimit të perimeve të freskëta me destinacion eksportin, për të plotësuar kuotat e akorduara nga vendet e BE
 bashkëfinancimin dhe ndërtimin e linjave të përpunimit, konservimit dhe amballazhimit të perimeve, për arsye se në muajt Qershor – Korrik – Gusht, që janë edhe muajt e prodhimit në sasi të mëdha të perimeve, ato mund të grumbullohen me një çmim të leverdisshëm.
 të plotësuar kriteret që u kërkohen fermerëve shqiptarë nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare, për disbursimin e 94 milion eurove grant, të cilat janë akorduar për ta, në kuadër të programit IPARD II, për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për periudhën 2018-2020.

• Sektori i bimëve medicinale.
Shqipëria prodhon 10 mijë e 600 ton bimë mjeksore natyrale dhe të kultivuara në vit. Bimët mjeksore kanë një cilësi shumë të mirë, me llojshmëri shumë të madhe. Grumbulluesit dhe eksportuesit tanë kanë nevojë për:
 investime në ndërtimin e ambjenteve për ruajtjen në kushte optimale të lëndëve të para, linjave të seleksionimit, të përpunimit dhe paketimit të bimëve medicinale, të laboratorëve për prodhimin e esencave, sipas kërkesave të tregut. Për financimin e tyre ata mund të aplikojnë në proçesin e vështirë për disbursimin e fondeve të preantarësimit në BE, siç janë ato të programit IPARD II.
 gjetjen e tregut, për një sasi të madhe sherebele dhe disa bimëve të tjera medicinale, të prodhuara e grumbulluara në Shqipëri, të cilat janë gjendje në magazina, të gatshme për t’u tregtuar si lëndë e parë.

• Sektori i pemtarisë
Shqipëria prodhon 205 mijë ton fruta në vit. Por, me këtë sasi, për shumë varietete frutash nuk plotësohen nevojat e vendit, prandaj detyrohemi të importojmë. Aktualisht, në Shqipëri po shtohen siperfaqet e mbjella me shegë, fiq, ullinj, mollë, etj. Janë gati për eksport mbi 7000 ton mollë të një cilësie dhe varieteti shumë të mirë. Janë në prodhim dhe duke u vjelur rreth 39 mijë ton agrume, nga të cilat 26 mijë ton janë mandarina të varietetit Klementina. Ky varietet është mjaft i kërkuar nga tregu, si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prodhimi i mandarinave, për pak vite në vijim, pritet që të dyfishohet dhe do të shkojë deri në 50 mijë ton në vit. Po kështu, do të dyfishohet edhe prodhimi i portokalleve, limonave dhe i kivit.
Prodhuesit e frutave në Shqipëri kanë nevojë për:
 të tregtuar sasinë në rritje të agrumeve, veçanërisht të varietetit të mandarinës Klementina, potenciali per eksport duke filluar nga viti që vjen është mbi 20 mijë ton
 të mbjellë fidane të rinj mandarinash dhe agrumesh
 të ndërtuar linja seleksionimi, amballazhimi dhe magazina e depo frigoriferike, për ruajtjen e agrumeve.
• Sektori i peshkimit dhe akuakulturës.
I. Nga flota e peshkimit në Shqipëri zihet 4,368 ton peshk, nga të cilat sasi:
– peshkimi detar 2830 ton
– peshkimi bregdetar 580 ton
– peshkimi në laguna 364 ton
– peshkimi në ujërat e brendshme 594 ton.
II. Akuakultura 604 ton
III. Molusqet 308 ton
Në total I + II + III = 4368 + 604 + 308 = 5274 ton
Operatorët në sektorin e peshkimit kanë në pronësi një flotë relativisht të vjetër anijesh dhe nuk kanë më një kantier ku t’i riparojnë anijet. Po ashtu nuk kanë një qendër të specializuar të grumbullimit, përpunimit dhe ruajtjes së peshkut. Ndërkaq, disa operatorë kanë kapacitete të mjaftueshme për përpunimin, amballazhimin dhe eksportin e sardeles dhe açuges.
Në Shqipëri, operatorët e Peshkimit kërkojnë partnerë që:
– të bashkëpunojnë për ripërtëritjen e flotës së peshkimit dhe për ndërtimin e një kantieri të ri për riparimin e anijeve te peshkimit.
– të bashkëpunojnë për ndërtimin e një qendre per grumbullimin, përpunimin dhe standartizimin e peshkut, si dhe për ngritjen e ″Mercato Itico″, qendra e shitjes së peshkut me ankand.
– të bashkëpunojnë për importin e paisjeve dhe ushqimit per rritjen e peshkut dhe midhjeve ne afërsi të bregdetit
Ndërsa, prodhuesit e akuakulturës dhe të midhjeve në liqenin e Butrintit kërkojnë partnerë për investime në rritjen e prodhimit dhe gjetjen e tregut të produkteve të tyre
• Sektori i blegtorisë
Shqipëria ka rezerva e potenciale të mëdha për rritjen e prodhimit dhe të eksportit në sektorin e blegtorisë. Fermerët kanë në pronësi 2.92 milion krerë të imta, 503 mijë krerë gjedh, 213 mijë njëthundrakë, 181 mijë derra, 292 mijë koshere bletë dhe 8.3 milionë shpendë.
Prodhon në vit 1.16 milion ton qumësht, 776 milion kokrra vezë, 160 mijë ton mish peshë e gjallë, 3217 ton lesh, 3300 ton mjaltë. Nuk eksporton produkte apo lëndë të para me origjinë shtazore. Importon mbi 200 milion euro në vit produkte me origjinë shtazore. Fermerët në fushën e blegtorisë kërkojnë të bashkëpunojnë me partnerë të huaj:
a) Në fushën e veterinarisë, për shkëmbim eksperience dhe konsolidimin e veprimtarisë së SHBB të stacioneve veterinare private.
b) Në fushën e mbarështimit, transportit, grumbullimit, therjes dhe tregtimit të kafshëve të gjalla me synim hapjen e rrugës për eksportimin e tyre.
c) Në fushën e mjedisit, për importin e linjave për përpunimin e mbetjeve dhe veçanërisht të plehut organik.
d) Në grumbullimin e tepricës së qumështit nga fermerët, mbasi aktualisht vetëm 40 % e tij grumbullohet dhe del në treg i freskët apo i përpunuar, pjesa më e madhe e tij për mungesë tregu përdoret për ushqim të blegtorisë.
e) Në grumbullimin dhe përpunimin e lëkurëve, mbasi vetëm 20 % e tyre grumbullohet, pjesa tjetër shpërdorohet. Në grumbullimin e leshit, mbasi vetëm 30 % e prodhimit grumbullohet e shitet në treg, pjeses tjetër nuk i dihet fare destinacioni.
Për grumbullimin, magazinimin, seleksionimin, amballazhimin dhe ruajtjen e lëndeve të para bujqësore e blegtorale, për 33 mijë fermerët tanë, në vitet e fundit ka patur disa iniciativa private për investime e shoqëruar edhe me mbështetje financiare nga Agjensia e Zhvillimit Bujqësor Rural, me fonde grant nga buxheti i shtetit. Vlen të theksohet se për mbështetjen e bujqësisë nga buxheti, me investime dhe grante, Shqipëria vazhdon të ketë një diferencë shumë të madhe krahasuar me rajonin. Maqedonia mbështet me grante sektorin bujqësor përmes buxhetit me mbi 170 milion euro në vit, Kosova me rreth 90 milion euro, ndërsa Shqipëria këto vitet e fundit alokon si grante nga buxheti vetëm 15 – 20 milion euro. Bile, si u përmend dhe më sipër, në asnjë vit nuk është disbursuar plotësisht. Në vitin 2017 parashikohet të disbursohet rreth 20 % e fondit të akorduar si grant nga buxheti!
Në Shqipëri, për rreth 90 % të fermerëve ka shumë probleme e mangësi në rrugët rurale e veçanërisht ato midis fermave, që ndikojnë në rritjen e kostove dhe pengojnë fermerët veçanërisht në proçesin e vjeljes dhe grumbullimit të prodhimit.
Kapacitetet frigoriferike janë të pa mjaftueshme për ruajtjen e prodhimeve dhe veçanërisht, për prodhimet e kësaj kategorie fermerësh në kohën e pikut. Në këtë periudhë, kjo kategori fermerësh pëson dëmtime shumë të mëdha edhe për mungesë tregu, për shitjen e tepricës së prodhimeve të tyre.
Mungojnë linjat e seleksionimit, amballazhimit dhe standartizimit për shumë lëndë të para të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, duke penguar si tregtimin në supermarketet brenda vendit ashtu dhe eksportin e këtyre prodhimeve.
Shqipëria ka kërkesa nga tregu i huaj dhe potenciale të mëdha per eksport të kafshëve të gjalla dhe të produkteve blegtorale. Por, akoma nuk po i lejohet të eksportojë asnjë prodhim nga blegtoria dhe akuakultura. Shkaku mbetet mosplotësimi i standarteve për mbrojtjen e konsumatorit. Standartet europiane janë tepër të qarta. Për çdo 100 mijë banorë nevojitet një numër i caktuar agronomësh, veterinerësh, zooteknikësh, thertoresh, institutesh çertifikimi të cilësisë e mjaft të tjera që vendi ynë nuk i plotëson. Shqipëria importon rreth 200 milion euro në vit produkte me origjinë shtazore, jo për mungesë prodhimi, por kryesisht edhe për mangësi të linjave të përpunimit, seleksionimit, amballazhimit dhe depove frigoriferike për ruajtjen e këtyre produkteve. Ndërkaq, raporti import – eksport i produkteve bujqësore dhe atyre me origjinë shtazore mbetet akoma 4 me 1.
Duke vazhduar analizën e realitetit shqiptar, me blegtori janë të angazhuara 292 mijë familje fermere nga 353 mijë gjithsej. Por, këta fermerë kanë probleme me matrikullimin e kafshëve, me shërbimin veterinar, sepse mungon mbështetja financiare e domosdoshme për Shoqëritë e Bashkëpunimit të Stacioneve Veterinare Private, me transportin e kafshëve të gjalla, sepse mungojnë mjetet e specializuara të transportit, si dhe aktet nënligjore që rregullojnë proçesin e transportit. Ka probleme me kushtet dhe standartet e tregjeve të grumbullimit dhe shitjes së kafshëve të gjalla. Me standartet e thertoreve dhe pikave të shitjes së mishit. Me standartet e grumbullimit, transportit dhe ruajtjes e përpunimit të qumështit. Ka probleme me mjedisin, ku situata sa po vjen e po rëndohet, sepse mbetjet nga blegtoria si psh plehu organik nuk po përpunohet. Kemi vetëm një linjë të një ndërmarrje për rritjen e pulave për vezë, e cila merret me përpunimin e plehut organik. Dhe Shqipëria importon pleh organik nga jashtë, për të plotësuar nevojat e vendit, kryesisht për fermerët që prodhojnë produkte natyrale, bio.
Problemet që veçuam dhe evidentuam janë bërë tashmë të njohura nga shoqatat e biznesit dhe agrobiznesit, të cilat mendojmë se aktualisht mund të futen në rrugën e zgjidhjes pa shumë vështirësi. Sepse, për periudhën në vijim 2018 -2021 egzistojnë burimet e financimit dhe historitë e suksesit, si brenda dhe jashtë Shqipërisë edhe për zhvillimin e bujqësise sociale dhe agrobiznesit si dhe të zonave rurale në tërësi.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin