Njoftim për trajnerë të kualifikuar në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe sigurisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës është në kërkim të trajnerëve të kualifikuar për të zhvilluar trajnimet në fushën e Menaxhimit të Emergjencave dhe Sigurisë për bizneset anëtare të saj. Në kuadër të përkushtimit tonë për të mbështetur kompanitë në rritje dhe zhvillim, po zhvillojmë një program edukativ për Shëndetin, Sigurinë dhe Mjedisin, i cili synon të përmirësojë njohuritë dhe praktikat e bizneseve anëtare në fushën e:

  1. Menaxhimit të situatave në raste tërmetesh dhe fatkeqësish të tjera natyrore.
  2. Parandalimit të zjarrit dhe masave për shuarjen e tij.
  3. Evakuimit të punëtorëve në raste emergjencash, me qëllim sigurimin maksimal të shpëtimit në kushtet më të vështira.

Trajnimet do të synojnë stafin e mëposhtëm:

  • Punonjësit përgjegjës për parandalimin dhe shuarjen e zjarrit.
  • Punonjësit e ngarkuar me evakuimin e punëtorëve.
  • Përgjegjësit e shërbimeve të parandalimit dhe mbrojtjes.
  • Punëdhënësit dhe përfaqësuesit e sigurisë së punëtorëve.
  • Punonjësit e ndihmës së parë. (sipas ligjit nr. i punonjësve të trajnuar duhet të jetë 10% e numrit të stafit në ambjentin përkatës)

Informacioni kryesor për angazhimin:

  • Objektivi: Trajnimi dhe zhvillimi i modulit edukativ në HSSE, për 3 pikat e mësipërme.
  • Kohëzgjatja: Minimumi 8 orë trajnim dhe punë praktike.
  • Gjuha: Trajnimet do zhvillohen në gjuhën shqipe por dokumentacioni duhet të mbahet në shqip dhe anglisht.

Kriteret për Ekspertët:

Operatorët ekonomikë duhet të disponojnë kapacitetet teknike si më poshtë:

  1. Përvoja e mëparshme: Të kenë realizuar shërbime të ngjashme në tre vitet e fundit, me vlerë jo më pak se 40% të fondit. Dëshmia e realizimit duhet të jetë e dokumentuar (vërtetim nga ent publik ose faturë tatimore nga sektori privat).
  2. Akreditimi: Të jenë të akredituar sipas ligjit shqiptar për ofrimin e Trajnimit Profesional, me licencë/autorizim nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ose ekuivalent. Të kenë licencën e vlefshme të formimit profesional X.2.B.
  3. Instruktorët:
  4. Të kenë diplomë në fushat përkatëse të inxhinierisë ose të edukimit profesional, duke përfshirë diploma bachelor.
  5. Të kenë një minimum prej 3 vitesh eksperiencë në fushat përkatëse të trajnimeve, duke përfshirë përvojë praktike dhe të njohura në legjislacionin kombëtar.
  6. Të kenë të paktën një certifikatë të njohur në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, ose ekuivalent.
  7. Të kenë kualifikime të njohura sipas Sistemit Evropian të Krediteve për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (ECVET) dhe dokumentacion të duhur për certifikatat e trajnimit.

Kriteret e Veçanta të Kualifikimit:

  • Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
  • Status aktiv dhe jo në proces falimentimi.
  • Të mos jetë i dënuar penalisht apo në proces gjyqësor.
  • Pagesa e detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.
  • Preferohet të jetë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës

Afati për Paraqitjen e Dokumentave:

Subjektet e interesuara duhet të paraqesin dokumentet e nevojshme brenda datës 31.10.2024.

Dokumentacioni duhet të dërgohet me email në adresën artan.luku@ccidr.al ose dorazi pranë zyrave tona në adresën: Lagjja 11, Rruga Aleksandër Goga, Pallati Borova, Durrës.