Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë prej qeverisë shqiptare të rishikojë paketën e ndihmave. Sipas tyre dhe nisma Rama 2 është e pamjaftueshme dhe me shumë mangësi, pasi synon një mbështetje minimaliste për një pjesë të punonjësve, ndërsa vërehet se për turizmin nuk ka përpjekje. Si shembull pozitiv shihen reagimet e Maqedonisë dhe të Serbisë. Paketa e dytë e ndihmës së qeverisë Rama është konsideruar e pamjaftueshme prej bizneseve. Madje kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë se qytetit të Durrësit për Ora News shprehet se nuk do të zgjidhet asnjë problem sa i përket industrisë së turizmit. “Duhet paketë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe jo një paketë për të shtyrë 40 ditë”. Madje, Alban Isteri, thekson se me këtë strategji të qeverisë penalizohen dhe punonjësit. “Paketat e Maqedonisë dhe Serbisë mbështesin pagat e punonjësve. Biznesi ka nevojë për suport”. Pozitiv është konsideruar projekti i garancisë sovrane, për të cilën së fundi kreu i qeverisë është shprehur se do të marrë përsipër pagesat e interesave. Por dhe kjo nismë nuk është e plotë. Një tjetër vërejtje mbetet dhe për shtyrjen e tatim fitimit që për bizneset është e pakuptimtë kur nuk ka xhiro.