Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës shpreh ngushëllime për vdekjen e biznesmenes Shpresa Prodani.

Komuniteti i biznesit ndjehet sot i tronditur për ikjen e parakohshme të Zonjës Shpresa Prodani.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës është krenare dhe përherë falënderuese për përkrahjen e vazhdueshme të znj. Prodani për të gjitha aktivitetet e saj, gjithë kontributin e saj në vite në mbështetje të Dhomës, ndërsa, nga dita e sotme, Republikës së Shqipërisë do t’i mungojë një sipërmarrëse e palodhshme dhe një avokues i zëshëm i komunitetit të biznesit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës çmon tejmase kontributin që znj. Prodani, ka dhënë në fuqizimin e sektorit privat në Shqipëri dhe në zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti. Përmes angazhimit të saj në sektorin privat për mbi tre dekada, znj. Prodani i ka lënë Shqipërisë ndërmarrjen e fuqishme DyrrahSped Shpk, e cila është ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit e themeluar në vitin 1993, ndër të parat agjensi në Shqipëri.

Znj. Prodani ka demostruar edhe një angazhim të pashembullt përgjatë muajve të fundit pas shpërthimit të pandemisë COVID19, në ngritjen e shqetësimeve të komunitetit afarist në Shqipëri, por edhe në ofrimin e rekomandimeve konkrete për tejkalimin e vështirësive me të cilat po përballet sektori privat.Gjithashtu e angazhuar përherë në shoqatat e grave afariste me kontribut të madh në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes për këtë humbje të madhe!