Durrësi e ka humbur vendin e dytë pas kryeqytetit përsa i përket rëndësisë që qyteti bregdetar ka në rritjen ekonomike në shkallë vendi. Në raportin “Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas Rajoneve Statistikore në Shqipëri, 2018” të publikuar nga INSTAT, qarku i Durrësit nuk renditet më në vend të dytë si në vitin 2017, por ka rënë disa pozicione duke u renditur pas qarkut të Tiranës, Fierit dhe Vlorës dhe me pikë të njëjta përqindje me qarkun e Elbasanit.
Megjithëse është porti më i madh në vend dhe qyteti me vijën bregdetare më të gjatë në Shqipëri, nyja kryesore e transportit të pasagjerëve dhe mallrave, qarku me të vetmin aeroport funksional, Durrësi ka shënuar një ulje të konsiderueshme nga +0.61 pikë përqindje në vitin 2017 në vetëm 0.25 pikë përqindje në vitin 2018.
Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, kjo rënie e konsiderueshme duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për bashkinë dhe qeverinë.
“Kjo është një këmbanë alarmi për qeverisjen vendore dhe qendrore, të cilët duhet të kuptojnë që Durrësi duhet të rikthehet në atë status që ka pasur gjithnjë, në motorin e zhvillimit ekonomik të vendit së bashku me Tiranën”,- thotë Isteri.
Duke iu referuar raportit të INSTAT që paraqet situatën e Durrësit në vitin 2018, gjendja mund të jetë shumë më e keqe në vitin 2019 dhe 2020, kur qyteti bregdetar po vuan pasojat e tërmetit dhe pandemisë Covid-19.
“Po të mendosh që Durrësi ka kaluar pasojat e tërmetit në vitin 2019, parametrat mund të ulen edhe më shumë, ndërsa për vitin 2020, koronavirusi ka për të ndikuar që parametrat ekonomikë të jenë në recession”,- thotë Isteri.
Për Isterin është koha që qeveria dhe bashkia të kenë një qasje pozitive dhe konstruktive për planet e mirëfillta të zhvillimit ekonomik të qytetit, duke u përqendruar kryesisht në industrinë e prodhimit si dhe në sektorin e turizmit dhe atë të transportit.
“Këto janë 3 shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të qarkut të Durrësit, prandaj kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe vizion për t’i ofruar mundësinë të kapërcejnë pasojat e krizës që do të ndihen për një kohë të gjatë”,- deklaron kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
M.B.
Copyright:/portali DurresLajm/