HEVON në Mal të Zi: Prezantimi i HEVON Trolley dhe promovimi i bashkëpunimeve B2B në sektorin e vajit të ullirit.

Më 21-22 shtator 2026, një delegacion i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës mori pjesë në aktivitetin transnacional të projektit “HEVON – High-quality EVO oil Network of competitive MSMEs in South Adriatic”, të zhvilluar në Ulqin, Mal i Zi. Aktiviteti mblodhi partnerë të projektit, biznese, restorante dhe aktorë të sektorit të vajit të ullirit nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi, me fokus vlerësimin dhe testimin e HEVON Trolley, si dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërmjet operatorëve të zinxhirit të vajit ekstra të virgjër të ullirit në rajonin e Adriatikut Jugor.

Dita e parë – Living Lab dhe testimi i HEVON Trolley

Gjatë ditës së parë u zhvillua një takim Living Lab, ku morën pjesë partnerët e projektit, biznese dhe përfaqësues të sektorit Ho.Re.Ca. të përfshirë në rrjetin HEVON.

Gjatë takimit u prezantua dhe u testua HEVON Trolley, një mjet i ri i krijuar për prezantimin dhe degustimin e vajit ekstra të virgjër të ullirit. Ai është konceptuar në bashkëpunim me bizneset dhe profesionistët e sektorit dhe do të vihet në dispozicion të katër rajoneve pjesëmarrëse në projekt.

Programi vijoi me HEVON Olive Oil Experience, një sesion degustimi i udhëhequr nga ekspertë të fushës, ku u prezantuan vajra ekstra të virgjër ulliri nga kompani të përfshira në aktivitetet e projektit.

Në përfundim të ditës u organizua një darkë në restorantin Kalo, ku prototipi i HEVON Trolley u prezantua në një mjedis real përdorimi. Prezantimi u shoqërua me degustimin e një përzgjedhjeje vajrash ekstra të virgjër të ullirit dhe me një menu të dedikuar të vajit të ullirit, e konceptuar për të prezantuar kompanitë, territoret dhe produktet e tyre.

Deklaratë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës

Neritan Golja, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të rajonit:

“Pjesëmarrja në aktivitetin HEVON në Ulqin ishte një mundësi e rëndësishme për të sjellë më pranë bizneset dhe aktorët e sektorit të vajit ekstra të virgjër të ullirit nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi. Përmes takimeve B2B dhe shkëmbimit të eksperiencave, bizneset kanë mundësi të prezantojnë produktet e tyre, të krijojnë kontakte të reja dhe të eksplorojnë mundësi bashkëpunimi në tregjet rajonale dhe evropiane. Për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, mbështetja e ndërkombëtarizimit të bizneseve dhe krijimi i urave të reja të bashkëpunimit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të rolit tonë në kuadër të projekteve evropiane.”

Dita e dytë – Takimet B2B

Më 22 shtator, aktiviteti vijoi me zhvillimin e takimeve Business-to-Business (B2B), ku morën pjesë prodhues, përfaqësues të sektorit Ho.Re.Ca. dhe aktorë të tjerë të sektorit të vajit të ullirit nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Takimet synuan krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërkufitar, shkëmbimin e kontakteve dhe zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit ndërmjet operatorëve të sektorit, me fokus në forcimin e konkurrueshmërisë dhe promovimin e produkteve cilësore të vajit ekstra të virgjër të ullirit.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të prezantonin kompanitë dhe produktet e tyre, të shkëmbenin eksperienca dhe të identifikonin mundësi të reja për bashkëpunim me operatorë nga tre vendet e Adriatikut Jugor.

Gjatë aktivitetit vijoi gjithashtu prezantimi i HEVON Trolley, i cili synon të shërbejë si një mjet praktik për prezantimin dhe promovimin profesional të vajit ekstra të virgjër të ullirit, veçanërisht në sektorin Ho.Re.Ca.

Pjesëmarrja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, si partnere e projektit HEVON, mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara në Ulqin së bashku me përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe aktorë të sektorit të vajit të ullirit.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet është pjesë e angazhimit të Dhomës për të mbështetur bizneset shqiptare në promovimin e produkteve, krijimin e kontakteve të reja ndërkombëtare dhe zhvillimin e mundësive për bashkëpunim dhe ndërkombëtarizim.

Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, projekti HEVON synon të krijojë një rrjet më të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe aktorëve të sektorit të vajit ekstra të virgjër të ullirit në Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi.

Rreth projektit HEVON

HEVON – High-quality EVO oil Network of competitive MSMEs in South Adriatic bashkëfinancohet nga Programi Interreg IPA South Adriatic (Itali–Shqipëri–Mal i Zi) 2021–2027.

Projekti synon të forcojë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) që operojnë në zinxhirin e vajit ekstra të virgjër të ullirit në Itali, Shqipëri dhe Mal të Zi, përmes zhvillimit të mjeteve inovative dhe krijimit të një rrjeti bashkëpunimi me fokus në tregjet evropiane dhe mesdhetare.

Projekti ka nisur në korrik 2025 dhe do të zbatohet për një periudhë prej 30 muajsh.

Ndër rezultatet e pritshme të projektit janë HEVON Kit, i cili përfshin udhëzime, HEVON Trolley dhe një menu të dedikuar të vajit të ullirit, si dhe platformën B2B, programe trajnimi dhe një strategji të përbashkët për promovimin e sektorit.

Partneriteti i projektit udhëhiqet nga Union of Municipalities of Basso Biferno (Itali) dhe përfshin LUM University “Giuseppe Degennaro”, Kairos Social Cooperative, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Bashkinë Berat dhe Shoqatën Valdanos në Mal të Zi.