Isteri: Është shumë e rëndësishme që ky sezon turistik të mos dështojë

Ditën e parë të javës së ardhshme, që përkon edhe me nisjen e muajit qershor, thuajse të gjitha bizneset do të jenë të hapura, madje edhe qarkullimi i mjeteve nga njëri qark në tjetrin do të lejohet. Njëkohësisht nuk do të ketë më zona të gjelbërta dhe të kuqe. Por pavarësisht hapjes, biznesi në vendin tonë dhe veçanërisht në Durrës, po kalon një situatë të vështirë. Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, paketa e tretë që do të miratohet nga qeveria duhet të jetë paketa reale e rimëkëmbjes ekonomike. 

“Ne shpresojmë, që paketa e tretë, ose më mirë paketa e parë për rimëkëmbjen ekonomike në ndihmë të biznesit të përfshijë disa parametra, qoftë në aspektin e lehtësirave fiskale, qoftë në aspektin e mbështetjes së biznesit, sektorit të turizmit, sidomos atij mbarëkombëtar”,- tha Isteri.

Në të njëjtën kohë, kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës thekson se është shumë e rëndësishme që të mos dështojë sezoni turistik, madje që ai të zgjatet në kohë, në mënyrë që biznesi të mund të rikuperojë në muajt shtator dhe tetor humbjet e muajit prill dhe maj.

“Është shumë e rëndësishme që ky sezon turistik të mos dështojë. Ne kërkojmë qoftë nga qeveria dhe qoftë nga njësitë vendore të ndërmarrin planet konkrete dhe të mos veprojmë me masa nga sot, nesër”,– deklaroi Isteri.

Deri më tani, qeveria Rama ka aplikuar vetëm dy paketa në ndihmë të biznesit, por duket se ato kanë qenë të pamjaftueshme për të mbuluar dëmet e shkaktuara gjatë dy muajve të izolimit për shkak të pandemisë. Dhomat e Tregtisë dhe grupet e interesit propozojnë uljen e çmimit të energjisë elektrike për sektorin e prodhimit dhe biznesin në përgjithësi dhe uljen e kostos së karburantit.

Ditën e mërkurë, kryeministri Rama bëri me dije se të vetmet aktivitete që mbeten të mbyllura edhe pas datës 1 qershor janë transporti publik dhe aktivitetet sportive.

M.B.

Copyright: /portali DurresLajm/