Njoftim për Trajnerë të Kualifikuar në Fushën e Menaxhimit të Emergjencave dhe Sigurisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës po kërkon trajnerë të kualifikuar për të zhvilluar trajnime në fushën e Menaxhimit të Emergjencave dhe Sigurisë për bizneset anëtare të saj. Ky program edukativ është pjesë e iniciativës për të mbështetur kompanitë në rritje dhe zhvillim, duke përmirësuar njohuritë dhe praktikat në fushën e Shëndetit, Sigurisë dhe Mjedisit (HSSE). Trajnimet do të përqendrohen në fushat e mëposhtme:

  1. Menaxhimi i situatave të emergjencave si tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore.
  2. Parandalimi i zjarrit dhe masat për shuarjen e tij.
  3. Evakuimi i punonjësve në raste emergjencash, për të siguruar shpëtimin maksimal.

Trajnimet do të targetojnë stafin e mëposhtëm:

  • Punonjësit përgjegjës për parandalimin dhe shuarjen e zjarrit.
  • Punonjësit e ngarkuar me evakuimin e punëtorëve.
  • Përgjegjësit e shërbimeve të parandalimit dhe mbrojtjes.
  • Punëdhënësit dhe përfaqësuesit e sigurisë së punëtorëve.
  • Punonjësit e ndihmës së parë (sipàs ligjit nr., të punonjësve të trajnuar duhet të jetë 10% e numrit të stafit në ambjentin përkatës).

Informacione të rëndësishme për angazhimin:

  • Objektivi: Trajnimi dhe zhvillimi i modulit edukativ në HSSE, për tre pikat e mësipërme.
  • Kohëzgjatja: Minimumi 8 orë trajnim dhe punë praktike.
  • Gjuha: Trajnimet do zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dokumentacioni duhet të jetë në shqip dhe anglisht.

Kriteret për Ekspertët:

  • Përvoja e mëparshme: Të kenë realizuar shërbime të ngjashme në tre vitet e fundit, me vlerë jo më pak se 40% të fondit. Dëshmia e realizimit duhet të jetë e dokumentuar (vërtetim nga ent publik ose faturë tatimore nga sektori privat).
  • Akreditimi: Të jenë të akredituar sipas ligjit shqiptar për ofrimin e Trajnimit Profesional, me licencë/autorizim nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ose ekuivalent. Të kenë licencën e vlefshme të formimit profesional X.2.B.

Instruktorët:

  • Të kenë diplomë në fushat përkatëse të inxhinierisë ose të edukimit profesional, përfshirë diplomën bachelor.
  • Të kenë një minimum prej 3 vitesh eksperiencë në fushat përkatëse të trajnimeve, duke përfshirë përvojë praktike dhe njohuri në legjislacionin kombëtar.
  • Të kenë të paktën një certifikatë të njohur në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, ose ekuivalent.

Kriteret e Veçanta të Kualifikimit:

  • Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
  • Status aktiv dhe jo në proces falimentimi.
  • Të mos jetë i dënuar penalisht apo në proces gjyqësor.
  • Pagesa e detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.
  • Preferohet të jetë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

Afati për Paraqitjen e Dokumentave: Subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme dhe ofertën sipas formatit të specifikuar deri më datë 28.02.2025. Dokumentacioni mund të dërgohet me email në adresën: artan.luku@ccidr.al ose dorazi pranë zyrave të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Lagjja 11, Rruga Aleksandër Goga, Pallati Borova, Durrës.

Për çdo pyetje ose sqarim të mëtejshëm, ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni.

Për formatin e ofertës, mund të referoheni në linkun bashkëngjitur.

Formati i ofertës