Tërmeti dhe pandemia i dhanë një goditje të fortë sektorit të biznesit në Durrës. I gjithë viti 2020 shihet nga ekspertët e ekonomisë si një vit krize, ndërsa parashikime deri diku të zymta vijnë edhe për vitin 2021. Në Durrës është konstatuar edhe nga organizmat ndërkombëtarë si BERZH apo Banka Botërore një rudhje e ekonomisë me rreth 12%, ndërkohë që në shkallë vendi rudhja shkon në 8-9%.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri thotë se pasojat e rënda të dy fatkeqësive natyrore në ekonomi u pasqyruan në performancën e biznesit, ku qindra subjekte pezulluan aktivitetin apo shkurtuan forcën punëtore.
“Rreth 1200 biznese pezulluan aktivitetin, ndërsa numri i të papunëve është rritur me rreth 35 mijë persona, në sektorin formal dhe informal. Problematika të mëdha ka pasur në sektorin e turizmit, transportit të udhëtarëve, bizneset e vogla janë përballur me shumë vështirësi në këtë periudhë. 80% e bizneseve kanë regjistruar rënie të xhiros ose kanë punuar me humbje”,- tha Isteri për “DurrësLajm”.
Por krahas sektorëve që vitin 2020 e konsiderojnë si vit të zi, ndërtimi ishte ndër sektorët e vetëm që regjistroi një performancë shumë të mirë. Milionat e hedhura nga qeveria shqiptare në procesin e rindërtimit i dhanë këtij sektori oksigjenin e nevojshëm për të regjistruar një rritje të konsiderueshme.
“Ka pasur rritje sektori i ndërtimit, i cili po performon mirë falë investimeve të mëdha që qeveria ka akorduar falë donacioneve të ndërkombëtarëve për procesin e Rindërtimit. Shpresojmë që edhe viti 2021 të jetë në këtë vazhdë”,– tha Isteri.
Kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës shpreson që me nisjen e vaksinimit në masë të popullatës në Shqipëri dhe Evropë, situata ekonomike të shkojë drejt përmirësimit, megjithëse do të duhet kohë e gjatë, ndoshta dhe vite, që të rikthehemi në parametrat para nisjes së pandemisë Covid-19. Sipas tij, nëse hapen kufijtë dhe sektori i turizmit nis punën si zakonisht dhe njëkohësisht shtohet konsumi, performanca ekonomike do të jetë pozitive.
“Sektori i ndërtimit mendoj se do të jetë lokomotiva që do të ndihmojë ekonominë. Të shpresojmë që sezoni turistik të jetë funksional këtë vit. Nëse shikojmë situatën aktuale, Gjermania apo Italia që janë vende të BE-së janë në lockdown deri në muajin mars. Me aplikimin e vaksinimit në masë në Evropë shpresojmë që të mund të hapen kufijtë, gjë që shoqërohet me lëvizjen e udhëtarëve, rritjen e konsumit si dhe rritje të ardhurash në sektorin e turizmit”,– deklaroi kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.
Për Isterin, një paketë e tretë ndihme për biznesin do të ishte e domosdoshme, pasi biznesi i madh vuan pasojat afatgjata të krizës, ndërsa nga ana tjetër qeveria nuk inkurajon me politika mbështetëse hapjen e bizneseve të reja.
M.B.
/portali DurresLajm/