Të nderuar,
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përfitojnë nga rasti për t’Ju uruar sukses në përballimin e situatës së jashtëzakonshme të shkaktuar nga virusi COVID-19. Do të kërkonim nga Instituconi që Ju përfaqesoni të ndikoni pozitivisht ndaj kërkesave të biznesit të Qarkut Durrës dhe Tiranës për përmirësimin, menaxhimin dhe kapërcimin e situatës së jashtëzakonshme në të cilën ndodhemi.
Patjetër edhe sfida e përballimit të këtyre dëmeve do të jetë vërtet e vështirë, por sado e vështirë që të jetë, sado punë të duhet, së bashku do t’ia dalim.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar aktualisht pas përhapjes së virusit Covid-19, shumica e bizneseve të mëdha, shoqërive me kapital të huaj dhe ata të përbashkët që operojnë në Shqipëri po kalojnë në vështirësi operative lidhur me aktivitetin, prezencën fizike të personave përgjegjës dhe të bashkëpunëtorëve të tyre.
Në referim të Vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, Nr.208, datë 10.03.2020 për kufizim të veprimtarive të një pjese të konsiderueshme të punonjësve dhe aktiviteteve, kërkojmë nga ana juaj se do të ishte e nevojshme duke parë dhe konstatuar situatën e rëndë të bizneseve dhe gjëndjen e rënduar ekonomike në të cilën ndodhet Qarku i Durrësit, t´Ju propozojmë kërkesat si më poshtë:
- Punonjësit që do të rrinë në shtëpi për arsye të mbylljes së aktiviteteve, si dhe ato që do të vetekarantinohen, të trajtohen si të sëmurë dhe të paguhen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, për një periudhë të paktën 1 mujore dhe pastaj sipas situatës,
- Shtyrja e afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2019, pranë Tatim Taksave,
- Pezullimi i pagesave fiskale, minimumi për dy muaj dhe pastaj sipas situatës,
- Pezullimi i interesave dhe kësteve të kredive të Sipërmarrjes private për një periudhë 3 mujove minimalisht,
- Për të gjitha sipërmarrjet e afektuara nga masat e marra të rimbursohen rast pas rasti sipas dëmit të krijuar pas një ekspertize të argumentuar dhe të çertifikuar nga ekspertët,
- Të mos bllokohen llogaritë bankare për efekt të detyrimeve fiskale për afatin e kohëzgjatjes së situatës virale,
- Të mos ndërpriten energjia elektrike, uji dhe shërbimet e tjera bazike për arsye mospagesash,
- Të mund të pezullohet me ligj (duke i zeruar të gjitha detyrimet) aktiviteti i subjekteve të pezulluara me urdhër nga qeveria (bar, restorante, palestra, transport publik, etj.)
Si rezultat i realizimit të këtyre kërkesave, do të kishim një lehtësim e përmirësim të situatës së bizneseve, rikuperimin dhe rifillimin e punës sa më shpejt të jetë e mundur.
Kërkojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Institucioneve Shtetërore me qëllim që t’u japin qytetarëve mundësinë dhe besimin për rifillimin e jetës, aktivitetit ekonomik të qytetit si dhe kthimin e gjendjes së jashtëzakonshme në normalitet.
Me besimin se kërkesat tona janë të nevojshme dhe të domosdoshme dhe duke shpresuar që vizioni juaj përputhet me këto kërkesa të biznesit si grup interesi.
Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin