Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale u zhvillua eventi me temë « Mbrojtja dhe zbatimi i të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Republikën e Shqipërisë ».
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës z. Alban Isteri, pasi përshëndeti të pranishmit dhe të ftuarit shprehu gadishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve me qëllimin e përmirësimit dhe rritjen e shërbimeve ndaj biznesit.
Në fjalën përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i DPPI, znj. Ledina Beqiraj shprehu falenderimet e saj për të gjithë pjesëmarrësit si dhe dëshirën për të vijuar më tej bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës krahas shumë shërbimeve të tjera do te ofrojë dhe një shërbim të ri i cili do te jetë hapja e një sporteli One Stop Shop të DPPI me qëllim informimin e publikut dhe lehtësimin e proçesit të aplikimit për objektet e Pronësisë Industriale.
Me hapjen e këtij sporteli bizneset do të mund të marrin shërbime nga Stafi i Dhomës.
Disa nga Temat qe u diskutuan gjatë eventit ishin:
- Shpikjet dhe Modelet e Përdorimit
- Markat Tregtare dhe të Shërbimit
- Dizenjot Industriale
- Treguesit Gjeografikë
- Topografitë dhe Qarqet e Integruara
Eventi vijoi dhe me prezantimin e të ftuarve nga institucione të tjera kyçe të fushës së Pronësisë Intelektuale si: znj. Lisjana Shanaj, përfaqësuese e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit dhe të drejta të tjera lidhur me to, z. Julian Llupo përfaqësues i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut, znj. Lindita Mëneri, Darian Suli dhe z. Përparim Mezini, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të cilat informuan më shumë të ftuarit mbi mënyrat e regjistrimit të objekteve të PI-së dhe çështjet juridike.