Takim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, përfaqësuar nga Kryetari Z. Alban Isteri, mori pjesë  në takimin e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me pjesmarrjen e Znj .Delina Ibrahimaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Znj. Emiriana Sako Kryetare, Bashkia Durrës, dhe me përfaqësues të DRT Durrës me temë: Plani i masave të turizmit.

Në këtë takim bizneset u njohën e u informuan me planin e masave të turizmit që po zbatohet nga Administrata Tatimore.

Znj. Ibrahimaj, i vuri në dijeni operatorët turistikë se plani që po zbaton Administrata Tatimore ka si qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, si dhe rritjen e nivelit të vetëdeklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.

Gjithashtu, Drejtoresha e Përgjithshme u bëri me dije tatimpaguesve, të cilët do t’i përgjigjen pozitivisht  ftesës  së  Administratës Tatimore, se nuk do të jenë objekt i kontrolleve tatimore. Tatimpaguesit u informuan se në asnjë rast qëllimi nuk do të jetë penalizmi, por ndërgjegjësimi për përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e bizneseve e vlerësuan pozitivisht nismën e Administratës Tatimore për të diskutuar dhe ndarë problemet. Ata u shprehën optimistë për rritjen e volumeve të sipërmarrjeve të tyre, por kërkuan që të rriten masat ndaj subjekteve që prishin ekuilibrat në treg dhe cënojnë konkurrencën e ndershme.