100-vjetori i Dhomës së Tregtisë Durrës/ Meta i akordon titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”

Në 100-vjetorin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, presidenti Ilir Meta i akordoi këtij institucioni titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kreu i Shtetit thekson se roli i Dhomës në mbrojtjen e interesave të biznesit ka qenë i pazëvendësueshëm.

“Misioni dhe veprimtaria e këtij institucioni ka qenë gjithmonë mbrojtja e përkujdesja ndaj interesave ekonomike të biznesit të Durrësit, për të rritur dhe zgjeruar vazhdimisht marrëdhëniet tregtare dhe industriale, por edhe për të promovuar eksportin e prodhimeve autentike shqiptare”,- shkruan Meta.

Duke u ndalur tek problematikat e sektorit të biznesit, i goditur rëndë nga dy fatkeqësitë natyrore tërmeti dhe pandemia, presidenti Meta nënvizon se është koha për gjallërimin e klimës së biznesit në Durrës.

“Durrësi, për fat të keq, përveç problemeve që ka në tërësi klima e biznesit, është goditur shumë rëndë vitet e fundit nga tërmeti dhe nga pandemia, me pasoja tepër serioze, aq sa të ardhurat e sipërmarrësve janë ulur ndjeshëm.

Ndaj është është koha për një rigjallërim, për t’i dhënë frymëmarrje dhe përmirësuar klimën e biznesit, duke mbështetur në veçanti sipërmarrësit me ide novatore, nëpërmjet politikave fiskale e ekonomike, që garantojnë konkurrencën e lire”,– shkruan kreu i shtetit, Ilir Meta.

Historiku i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës u krijua në janar të vitit 1921 dhe kryetar i parë i saj ishte Idomen Kosturi.

Në ditët tona nuk ka mbërritur një histori e shkruar e Dhomës së Tregtisë Durrës. Mbetet detyrë e historianëve dhe studiuesve për të hulumtuar dhe zbuluar më shumë në këtë fushë, por prej vitesh ka qarkulluar mendimi, i shkruar edhe në dokumente të Dhomës, se ajo është krijuar më 10 janar 1921.

Stafi i DurrësLajm ka përgatitur një material filmik për historikun 100-vjeçar të kësaj Dhome, nga viti i parë i krijimit dhe deri në ditët tona, të cilin e gjeni në fund të shkrimit.

Historia e këtij institucioni është e pandarë nga ajo e njerëzve që e kanë formuar, e kanë drejtuar dhe kanë kontribuar në zhvillimin e tij.

Gjatë këtyre viteve, Dhoma e Tregtisë Durrës është kthyer në një pikë orientuese për të gjithë biznesmenët e qarkut, por edhe ata të huaj dhe njëkohësisht shërben si një qendër referimi në zhvillimin e politikave ndihmëse për biznesin dhe rritjen e shërbimeve ndaj tij.

Me kontributin e pazëvendësueshëm të dhënë në këto 100 vite të ekzistencës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ka forcuar gjithnjë e më shumë rolin e saj si mbrojtëse e interesave të biznesit dhe është shndërruar në një zë të fortë pranë autoriteteve shtetërore për të ofruar zgjidhjet më të mira të mundshme për politikat fiskale të qeverisë dhe pushtetit vendor.

COPYRIGHT @portali DurresLajm/

COPYRIGHT @portali DurresLajm/