TENDERI SPITALLË

TENDERI SPITALLË
1 Gazeta T&I Durrës Nr 15

Zona ekonomike e Spitallës ka qenë në qendër të vëmëndjes së Dhomës, gjithnjë në kuadër të misionit themelor të saj, promovimi i zhvillimit të territorit në qarkun Durrës. Ka qenë Dhoma nxitësi i parë i zhvillimeve të reja në Durrësin Verior: ajo zbuloi, rreth 8 vjet më parë, një konçesion të harruar dhënë kompanisë Mak-Albania për të ngritur një Park Agroindustrial, në një sipërfaqe prej 56 ha. Më vonë, ambicjet e qeverisë së atëhershme projektuan zhvillimet e një parku industrial me sipërfaqe 850 ha si dhe të një parku energjitik me sipërfaqe 550 ha. Por, disa dështime të tenderit për parkun industrial si dhe mjaft ndryshimeve të pronësisë në private, e kanë detyruar qeverinë e sotme të reduktojë sipërfaqen për zonën ekonomike në 500 ha. Ky pretendim më modest bëri të mundur zhvillimin e një faze të parë të tenderit për zonën ekonomike, për një sipërfaqe prej 101.2 ha. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë Durrës, e cila do të jepet në konçesion zhvilluesit me çmim 1€, për një periudhë 99-vjeçare. Në tenderin e zhvilluar së fundmi për rolin e zhvilluesit morën pjesë kompania Edil Al- IT dhe grupi 3G (Pelikan, Best Konstruksion dhe Vëllezërit Hysa). Kompania Edil Al-IT ofron një investim prej 89 milion €,për ndërtim stabilimentesh të industrisë së lehtë dhe të logjistikës, me 12 mijë vende të reja pune Grupi 3G ofron një investim prej 38.9 milion € për një uzinë të pasurimit të ferrokromit, serra fotovoltaike për prodhim energjie të rinovueshme (20 ha) dhe stabilimente të logjistikës, me 2500 vende të reja pune. Eshtë miratuar edhe një plan i detajuar për lehtësitë fiskale që do të përfitojë investitori potencial, që kanë të bëjnë me: hyrjen dhe daljen e mallravenga zona; reduktimin me 50% të masës së normës së tatimit mbi fitimin për zhvilluesin e zonës për pesë vite, e njëjta që do të përfitohet edhe nga ana e përdoruesve; për 3 vite zhvilluesit do t’i njihen si shpenzime të zbritshme 20% e shpenzimeve kapitale vjetore; projektet e ndërtimit brenda zonës do të përjashtohen nga taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, nga taksa mbi pasurinë, mbi kalimin e së drejtës së pronësisë; njohjen si të zbritshme të shpenzimeve për paga dhe kontribute, për trajnimin e punonjësve; për kërkim shkencor dhe zhvillim, transferimin e veprimtarisë ekonomike, etj. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i mledhur së fundmi, ka renditur si ofertën e parë atë të kompanisë 3G. Rezultati nuk është shpallur ende zyrtarisht, pasi vlerësimi i Ministrisë është ankimuar nga ofertuesi i dytë në Prokurori dhe në Gjykatën Administrative. Është me vend të cilësojmë se në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Ndërkaq, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për mënyrën e vlerësimit të dy ofertave nga ana e Komisionit. Burime jo zyrtare thonë se vlerësimi është firmosur nga 5 antarë të Komisionit, por jo nga kryetari dhe 3 antarë të tjerë të Komisionit. E ndërsa për zgjidhjen me gjyq duhet të presim gjatë, mund te diskutohej ndërkohë impakti mbi ambjentin i stabilimentit të pasurimit të ferrokromit. Ndotja prej tij është vetëm 25 mg/m3, sa gjysma e ndotjes së Tiranës, pohojnë përfaqësues të 3G, kurse ndonjë specialistambienti deklaron se ndotja nga kjo uzinë do të ishte shumë e dëmshme për ambientin dhe shëndetin. Si vërtetohet se kush ka të drejtë dhe çfarë është në interes të komunitetit? Bashkia Durres nuk ka shprehur ndonjë kundërshtim për këtë lloj investimi, siç ka ndodhur me rastin e ENEL, që donte të ndërtonte një TEC 800 MGW. Në këto rrethana, do të ishte detyrë e Ministrive përkatëse të shpreheshin qartë se ky investim i dobishëm, që pasuron kromin bruto të grumbulluar në Port dhe i shton vlerë eksportit të tij, nuk dëmton as shëndetin e qytetarëve durrsakë dhe as turizmin në zonën përreth.