Përmirësimi i klimës së biznesit

Përmirësimi i klimës së biznesit
3 Gazeta T&I Durrës Nr 27

Janë plotë 81 propozime të dala nga takimet sektorale me sipërmarrjen shqiptare, që i janë paraqitur qeverisë shqiptare për t’i marrë parasysh në hartimin e politikave të saj ekonomike dhe fiskale. Por vetëm 32 prej tyre janë marrë në konsideratë nga autoritetet. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes pas 9 tryezave sektoriale me biznesin ka dalë me disa propozime konkrete për përmirësimin e klimës së biznesit, për secilën nga fushat ku sipërmarrja ushtron aktivitetin në Shqipëri.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Sipërmarrjes, nga 81 propozimet e formuluara gjatë këtyre tryezave, 32 syresh u morën përsipër nga zv. ministrat përkatës për t’u ndjekur në hallkat e tjera drejt implementimit final të tyre.

Ja disa nga propozimet kryesore konkrete:

  • Ndryshimet për konsultimin publik

Mos zbatimi i vazhdueshëm i procesit të konsultimit paraprak dhe përgjatë miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore me grupet e interesit është një realitet, i cili shkakton problematika të qenësishme tek sipërmarrja, e cila nuk përfshihet në proceset vendimmarrëse. Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes propozon ndryshim në ligjin për konsultimin publik, duke bërë ndërhyrje për penalizmin individual të çdo zyrtari publik që nuk e zbaton ligjin për konsultimin “Ligji nr. 146, date 2014, për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes propozon shtimin e një dispozite ligjore në ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, e cila të përfshijë masën e gjobës, duke e përshkallëzuar deri në masë disiplinore moszbatimin e procesit të konsultimit paraprak nga ana e zyrtarëve publikë.

  • Procedura doganore, duhet unifikim me tatimet për gjobat

Sipërmarrja ka denoncuar probleme të vijuara me procedurat doganore, sa i takon penaliteteve të vendosura dhe procedurës së të drejtës së ankimimit.

Ministria e Sipërmarrjes propozon rishikimin e ligjit për procedurat doganore mbi penalitetet dhe të drejtën e ankimimit, me qëllim unifikimin e këtyre përcaktimeve sipas ligjit për procedurat tatimore. Konkretisht neni 289, pagesa e detyrimit dhe 40% e gjobës para ankimit në gjykatë. Unifikimi i ligjit me procedurat tatimore do të sillte në një mbarëvajtje në uljen e problematikave të sipërmarrjes dhe si rrjedhojë përmirësim të klimës së biznesit.

Ministrja e Shtetit propozon rishikimin e ligjit për procedurat doganore nëpërmjet unifikimit të procedurave doganore me procedurat tatimore, të cilat parashikojnë pagesën e detyrimit dhe jo penalitetit.

  • Inspektimet, kërkohet procedure onile

Grupe interesi kanë raportuar si problematike ndërprerjen e procesit të inspektimit “online” në të gjithë fushat e inspektimit dhe gjithashtu problemet e vazhduara me mbivendosjen e kompetencave të inspektimeve të ndryshme. Shpesh shfaqet mbivendosje në fushat e kontrollit ndërmjet inspektorateve. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes propozon rishikimin e Ligjit nr.10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, për parashikimin e inspektimit online në të gjitha fushat e inspektimit.

  • Agrobiznesi, të eliminohen detyrimet e prapambetura

Ekzistojnë detyrime të shumta të prapambetura për disa qindra fermerë e subjekte të agrobiznesit të rezultuara nga një grant i dhënë në mbështetje të fermerëve shqiptarë nga qeveria e Japonisë në vitet 1999-2005. Hartimi i një ligj i veçantë i cili të parashikojë për subjektet pasive për më shumë se 2 vite, fshirjen e detyrimit i cili nuk ka asnjë mundësi mbledhje dhe çregjistrimi i tyre nga të gjithë database e administratës shtetërore, me qëllim mbylljen e detyruar të tyre.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rekomandon rishikimin e Ligjit nr. 9723 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” për fshirjen e detyrimeve të prapambetura për disa qindra fermerë e subjekte të agrobiznesit, subjekt i grantit në mbështetje të fermerëve Shqiptarë nga qeveria e Japonisë në vitet 1999-2005.

  • Kodi Punës, të ulen gjobat

Janë raportuar problematika sa i takon zbatimit të Kodit të Punës dhe akteve nënligjore pasi krijon vështirësi dhe pengesa për zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes prodhuese.

Ministria e Sipërmarrjes rekomandon rishikim të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë LIGJ Nr. 7961, datë 12.07.1995, i ndryshuar në disa nene të tij, për shembull:

* Rishikimi i 58 neneve që përcaktojnë gjoba për bizneset.

* Rishikim i masave të gjobave. (Nisin nga 20 rroga mujore deri në 250 rroga mujore.)

* Fleksibilitet më i lartë në zbatimin e orëve minimale, orëve jashtë orarit, dhënies së pushimeve.

* Lehtësimi i bizneseve nga detyrimet e kontrolleve mjekësore për punonjësit, përfshirë vendosjen e mjekut.

 

  • Industria e riciklimit, të kufizohet eksporti i plastikës

Janë raportuar në mënyrë të vijueshme problemet që krijon legjislacioni në fuqi sa i takon lejimit të eksportit të mbetjeve plastike dhe letër, si lëndë të para për industrinë e riciklimit. Propozohet të kufizohet eksporti i mbetjeve plastike dhe letër, të cilat konsiderohen si lëndë të para për industrinë e riciklimit, përderisa ndalohet importi i tyre. Çështja kërkon artikulim ligjor dhe procedurial nëpërmjet rishikim të Ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

  • Procedura tatimore, të rregullohet rimbursimi i TVSH-së

Një nga kërkesat e sipërmarrjes që punon nën regjimin e përpunimit aktiv (fason) është përjashtimi i nënkontraktorëve nga TVSH-ja. Subjektet primare që furnizojnë të tretët i paguajnë ata pa TVSH-në (d.m.th 20% më pak) me premtimin që TVSH-në do t’ia kalojnë kur të rimbursohen nga shteti. Si rrjedhojë, subjektet e vogla marrin më pak para dhe janë në varësi të kontraktorit kryesor. Subjektet që furnizojnë të tretët automatikisht duhet ta kalojnë pjesën e kontrollit, që të marrin rimbursimin e TVSH-së. Në këtë mënyrë nënkontraktori pret kontraktorin dhe ky i fundit pret qeverinë, duke krijuar kështu vonesa në pagesa që kanë vënë në vështirësi nënkontraktorët, teksa kjo e ardhur e munguar është zë i fuqishëm i tyre.

Propozohet që në Ligjin nr. 92/2014, dt 24/07/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar “, në Nenin 54 “Të tjera përjashtime nga TVSH-ja”, të parashikohet: Kryerja nga nënkontraktorët e furnizimit të shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare, të destinuara për t’u rieksportuar për personat e tatueshem të autorizuar mbi  bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv, është furnizim i përjashtuar”.