Mbyllet një sezon turistik

Mbyllet një sezon turistik
2 Gazeta T&I Durrës Nr 27
  • Cilat janë dukuritë që u vërejtën dhe zgjidhjet e propozuara

Në pothuajse dy dekadat e fundit, aktorët kryesorë, biznesi, qeveritarët, apo edhe media kanë

folur për rëndësinë që duhet të marrë turizmi në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Nuk kemi qëllim të analizojmë rrugën e shtrembër 20-vjeçare të zhvillimit të paplanifikuar të turizmit, e cila prodhoi betonizimin e disa prej brigjeve detare si të Sarandës, deri diku të Vlorës, Shëngjinit etj. Ja vlen më tepër të merremi me një fakt të ri mjaft pozitiv: këto 3-4 vitet e fundit po përballemi me fenomenin e rritjes së kërkesës nga tregu i Europës Qendrore dhe Lindore si dhe ka një interes edhe nga tregu skandinav.

Si po i  përgjigjemi këtij fenomeni? Janë të shumtë analistët e tregut, opinionistët dhe vetë aktorët e këtij tregu që ndajnë mendime të ndryshme në përgjigje të kësaj pyetjeje.

Disa flasin se kjo gjendje e re e ka gjetur tregun turistik vendas të papërgatitur, në varësi të plotë të përcaktimit të çmimeve dhe politikave nga këta operatorë të huaj. Të tjerë analistë komentojnë se, tregu patriotik që përbën ende rreth 80% të totalit të pushuesve, nuk është më treg prioritar për shumë hotele. Po të analizosh me vëmendje, kreun e tabelës e zënë tregje me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, ose emigrantët tanë në Greqi, Itali, Gjermani etj. Sipas Shoqatës së Tur- Operatorëve shqiptarë, numri më i lartë i të huajve është ai i polakëve me rreth 100 mijë turistë, ose rreth 5% e totalit të turistëve. Sakaq, numri real i turistëve të huaj nuk kalon më shumë se 15-20% të totalit, sipas të nëjtit burim.

Çfarë dukurish janë vënë re këtë vit, edhe pse është ende shpejt për të bërë një analizë të plotë?

Biznesi hotelier pohon se po përballemi me një kërkesë në rritje për turizmin e plazhit, hotelet ekzistuese apo edhe të reja që po hapen, kanë nevojë për një industri agropërpunuese mbështetëse, për një infrastrukturë turistike më të zhvilluar që të përballojë këtë fluks, si dhe për një numër në rritje punonjësish të edukuar dhe të kualifikuar në turizëm në shkolla profesionale të turizmit. Tregu aktual turistik është totalisht i paorganizuar dhe ka nevojë të ketë standarde profesionale, të trajnohet dhe orientohet për ta përballuar me sukses këtë trend.

Sipërmarrësit pohojnë gjithashtu se dhe ende rrugët, kanalizimet, uji i pijshëm, ndotja e plazheve dhe ambientit është lënë siç e kemi patur. Vihet re, sipas tyre se ky fluks në rritje vazhdon të ketë ende një shpërndarje të deformuar në treg, ka një mbingarkesë të numrit të turistëve në zonat afër dy aeroporteve, atij të Tiranës dhe Korfuzit, pra kryesisht në Durrës dhe Sarandë, por ndërkohë vazhdon mungesa e turistëve në të gjitha zonat e tjera, dhe perla si Riviera Shqiptare janë duke pasur turizmin tradicional të 45 ditëve në vit. Sipas specialistëve, numrat dhe sasia e turistëve është me tepricë të dëmshme në 20-30% të territorit dhe është krejt i pamjaftueshëm në 70-80% të territorit që ngelet.

Shqetësimi ngrihet se ende nuk kemi as ndonjë plan për të rritur kapacitetet akomoduese, atje ku ka kërkesë dhe as plan si të shtojmë numrin e turistëve, atje ku nuk është kjo kërkesë e rritur.

Tashmë ka ardhur koha që edhe statistikat e turizmit t’i ngremë nga niveli i krahasimit historik me vitet e mëparshme, në nivelin e parashikimit ose pritshmërisë së rezultateve të turizmit. Sipas përfaqësuesve të këtij biznesi, nëse do të krahasohemi me destinacione turistike të përafërta do të kuptojmë diferencën. Sllovenia, me sipërfaqe dhe popullsi të përafërt me Shqipërinë, por me më shumë përvojë dhe potencial në turizëm, pret më pak se 4.5 milionë turistë, pra më pak se Shqipëria, por ndërkohë merr prej tyre rreth 2.5 miliardë euro, ose 550 euro për turist. Edhe Bullgaria që mbahet për një nga modelet e këqija të zhvillimit të turizmit masiv, edhe pse ka investuar shumë sidomos në turizmin e skive, por edhe të plazhit, ka gati katërfishin e sipërfaqes sonë, përsëri pret rreth 9 milionë turistë, pothuajse sa popullsia e vet dhe merr rreth 4 miliardë euro të ardhura, ose rreth 450 euro për turist. Por ka edhe vende si Kroacia që merr rreth 700 euro për turist, Portugalia rreth 1000 euro për turist apo Izraeli më shumë se 2000 euro për turist! Ndërkohë për 5.5 milionë turistë (dyfishi i numrit të popullsisë) dhe  1.6 miliardë euro që fiton Shqipëria, del që marrim më pak se 300 euro për turist.

Vini re statistikat e dhëna nga INSTAT për vitin e kaluar për vetëm dy kategori turistësh, grekë dhe italianë:

Vihet re se janë të ardhurat më të ulëta në rajon për turist. Cila është zgjidhja? Ekspertët e turizmit thonë se duhet të synojmë një turizëm cilësor dhe jo sasior. Sipas tyre, qeveria nuk mund të bëjë indiferentin në këtë situatë, sepse po flasim për një sektor që zë 40% të eksporteve duke sjellë në vend më shumë se 1.5 miliardë euro, dhe që punëson 1 në 4 persona në vend. Vetë biznesi ka kërkuar dhe kërkon që Qeveria të ketë kontroll të plotë të situatës në këtë sektor, sidomos në vendosjen ligjeve e standardeve, të ofrojë politika stimuluese apo edhe penguese sipas rastit, nëse do të zhvillojë apo të frenojë mbingarkesën apo ndonjë lloj të caktuar turizmi dhe të caktojë vizion të qartë se çdo të bëjë me turizmin në të ardhmen. Turizmi nuk është problem, por është potencial, prandaj janë njerëzit që e kanë në dorë ta përdorin për keq apo për mirë atë.

  • Turizmi dhe shkalla e reduktuar e TVSH

Nisur nga shqetësimi i tatimpaguesve, të cilët operojnë në fushën e akomodimit dhe të turizmit, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, Drejtoria e Tatimeve ka sqaruar në një qarkore të posaçme drejtuar degëve rajonale se, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Vendimi”.

Administrata tatimore, në përmbushje të misionit të saj, si dhe mbështetur në parimet e administrimit tatimor të përcaktuar në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për një zbatim të njëjtë dhe efektiv të legjislacionit tatimor orienton si me poshtë dy çështje për t’u rikonsideruar:

Në funksion të përcaktimit të modaliteteve dhe kushteve të regjistrimit të personave të tatueshëm që ushtrojnë veprimtari në fushën e strukturave akomoduese, bazuar në pikën 1 të nenit 11/1 të VKM nr. 652, datë 10.11.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, e cila referon që strukturat akomodouese ushtrojnë veprimtarinë sipas legjislacionit në fushën e turizmit, duhet t’i referohemi këtij të fundit për të sqaruar së pari se çfarë është një strukturë akomodouese.

Kështu sipas neni 4 pika 33 e ligjit për turizimin, sqarohet koncepti i struktures akomoduese, me të cilën kuptohet: “Sruktura që vë në dispozicion të turistëve, vendas apo të huaj, individë ose të organizuar në grupe, për një periudhë kohe të pacaktuar, por jo më shumë se 1 vit, shërbimet e akomodimit (fjetje, ushqim, pije dhe shërbime të tjera), në përputhje me standardet e përcaktuara sipas klasifikimit dhe kategorizimit të saj”.

Pra, i rëndësishëm është fakti që njësitë e shërbimit të tipit restorante, bare, salla konferencash, sallë fitnesi, pishina, park lojërash, apo shezlongje në rastin e resorteve etj., të jenë në shërbim të strukturave akomoduese dhe brenda njësive akomoduese apo kompleksit si një e tërë, duke faturuar TVSH-në sipas shkallës tatimore që u takon dhe duke zbatuar kushtet e përcaktuara dhe parashikimet në Ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe Udhëzimin përkatës, në lidhje me procesin e regjistrimin.

Për sa i përket përcaktimit ligjor të parashikuar në paragrafin 2 të nenit 11/1 të Vendimit të Keshillit të Ministrave Nr. 953, datë 29.12.2014 “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit Nr. 92/2014, Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, se, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, sjellim në vëmendje se, nëse personi i tatueshëm ushtron dhe veprimtari të tjera përveç asaj të strukturave akomoduese, duhet të regjistrohet si person i tatueshëm më vete.

Me veprimtari të tjera kuptohet kur subjekti, përveç veprimtarisë në fushën e akomodimit, ushtron edhe aktivitete të tjera si p.sh., ndërtim, tregti, energjetikë etj. Në një rast të tillë, ky tatimpagues duhet të ndajë më vete veprimtarinë ekonomike në fushën e akomodimit dhe hotelerisë me aktivitetin tjetër që ushtrohet jashtë veprimtarisë akomoduese apo që është jashtë tërësisë së shërbimeve që i shërbejnë njësisë akomoduese, sipas konceptit të fushës së turizmit, si më lart të shpjeguar.

Kjo bëhet në mënyrë që të identifikohet qartë aktiviteti që ushtrohet në fushën e strukturave akomoduese dhe që përfiton nga shkalla tatimore 6% TVSH me aktivitetin tjetër që ushtrohet me shkallë standarde të TVSH-së.

Duke iu referuar dispozitave ligjore të ligjit nr. 9901 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, të gjithë subjektet që ushtrojnë një veprimtari ekonomike regjistrohen në regjistrin tregtar në një nga format e parashikuara në këtë ligj dhe sipas mënyrës së parashikuar në ligjin 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, ndryshuar. Sipas ligjit Nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, subjektet regjistrohen si:

– Tregtarë, të cilët janë persona fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil dhe që ushtrojnë veprimtari ekonomike të pavarur;

– Në formën e një shoqërie tregtare (kolektive, komandite, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëri aksionere).

Me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në një nga format e mësipërme, subjektet pajisen me numër identifikimi unik, të gjeneruar elektronikisht, i cili shërben si numër identifikimi i tyre tatimor për tatimet kombëtare